TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi26 Gusht 2025, 10:01

A ka dështuar sezoni turistik në Malin e Zi?

Shkruar nga Pamfleti

A ka dështuar sezoni turistik në Malin e Zi?

Përkundër rritjes së turistëve, Mali i Zi po humb miliona nga qëndrimet e shkurtra, taksat e larta dhe informaliteti që po gërryen themelin e ekonomisë turistike.

 Mali i Zi, dikur një nga yjet më të ndritshëm të turizmit në Adriatik, po përballet me një krizë të heshtur ekonomike që rrezikon të minojë gjithë sektorin turistik.

Edhe pse sipas të dhënave zyrtare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 është shënuar një rritje prej 6,3% në numrin e turistëve, me mbi 940 mijë vizitorë, realiteti është shumë më pak optimist.

A ka dështuar sezoni turistik në Malin e Zi?

Numri i netëve të kaluara nga turistët është ulur me mbi 272 mijë, që përkthehet në më pak konsum, më pak të ardhura për operatorët turistikë dhe më pak fitim për shtetin.

Kjo rënie është veçanërisht e ndjeshme në sektorin e akomodimit, ku shumë biznese po përballen me kostot e rritura të operimit. Rritja e TVSH-së nga 7% në 15% për akomodimin ka ndikuar negativisht tek bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat janë shtylla kryesore e turizmit bregdetar në Mal të Zi. Mungesa e një strategjie kombëtare të qëndrueshme për zhvillimin e turizmit, ndërtimet pa plan, infrastruktura e amortizuar dhe trafiku i rënduar janë vetëm disa nga simptomat e një sektori që vuan nga improvizimi dhe mungesa e vizionit.

Për më tepër, informaliteti mbetet një plagë e hapur. Një pjesë e madhe e akomodimeve private operojnë në të zezë, pa deklaruar turistët dhe pa paguar taksa, duke krijuar një hendek të madh mes statistikave dhe realitetit në terren. Kjo ekonomi gri jo vetëm që i heq të ardhura buxhetit të shtetit, por deformon konkurrencën në treg dhe dëmton cilësinë e shërbimit.

Në këtë panoramë të zymtë, ajo që bie më shumë në sy është mungesa e një plani afatgjatë për të orientuar turizmin drejt cilësisë, e jo vetëm numrave. Mali i Zi nuk mund të mbështetet vetëm tek rritja e numrit të vizitorëve, kur ata qëndrojnë më pak, shpenzojnë më pak dhe largohen pa dëshirë për t’u kthyer. Tregu turistik ndërkombëtar është gjithnjë e më konkurrues, dhe vendet që nuk e profesionalizojnë ofertën e tyre, thjesht bien nga skena.

Ky është një leksion i vlefshëm edhe për Shqipërinë, që ndodhet në faza të ndryshme të zhvillimit turistik, por që ndajnë të njëjtat rreziqe: informalitetin, mungesën e strategjisë dhe ngopjen me statistika që nuk përkthehen në mirëqenie. Nëse dëshirojmë që turizmi të mos jetë vetëm një sezon me bujë, por një shtyllë e qëndrueshme e ekonomisë kombëtare, duhet të mësojmë nga dështimi i fqinjit. Sepse turizmi i improvizuar nuk sjell zhvillim, sjell vetëm iluzione./Pamfleti

sezoni turistik mali i zi

Lini një Përgjigje