Ka kohë që në Shqipëri xhemati dhe mjaft klerikë janë kthyer në patronazhistë që sjellin e çojnë vota sipas konjukturave të momentit. Ka 10 vjet që ndihmojnë Edi Ramën si pjesë e shtytjes që i jep Erdogani, i cili financon miliona për shoqata dhe media në Shqipëri...
Pas përfundimit të faljes së Fiter Bajramit në Tiranë, e shpërndarjes së fotove në rrjet, kishte mjaft entuziazëm nga qarqe besimtarësh, jo vetëm në Shqipëri.
Nga Maqedonia apo Kosova, u shprehën ngazëllime për atë ndodhi në Tiranë, si dhe reflektime për atë që besimtarët myslimanë në këto vende nuk e kanë mundësi.
Një gazetar nga Shkupi, besimtar i devotshëm, shkruante në rrjet se kot i është vendosur epiteti ‘Meka e Ballkanit’, qytetit të tij, pasi vendin e parë e mban Tirana.
Është krejt normale që në një ditë feste, më të rëndësishmen për besimtarët, sidomos pas kalimit të 30 ditëve agjërim, ku përveç një regjimi në ushqim, duhen kryer edhe vepra të mira, që të ketë entuziazëm dhe gëzim për ata që i luten Zotit pas kësaj sakrifice.
Një media që mbështetet e financohet nga Ankaraja, theksonte me entuziazëm se këtë herë në faljen e Bajramit në sheshin ‘Skënderbej’ kishte më shumë besimtarë se herët e tjera.

Megjithatë, çështja këtu shtrohet ndryshe. Ky rit që tashmë është vendosur prej vitesh, a është një lutje e besimtarëve, apo një demonstrim politik i fuqisë së fesë që ata mbështesin?
Sikur të ishte thjesht një falje, një adhurim ndaj Zotit, besimtarët mund të shpërndahen në faltoret myslimane, përkatësisht xhamitë që në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë janë të shumta.
Siç ndodh çdo ditë dhe nga 5 herë në ditë, ku besimtarët i falen Zotit, duke ndjekur një rit që sipas Kuranin e ka të detyrueshëm çdo praktikant i fesë islame.
Logjika e mungesës së një xhamie të madhe për të zënë të gjithë besimtarët, nuk duket se qëndron. Pasi asnjë xhami apo kishë nuk mund të mbajë një numër të madh, aq sa dalin për Fiter Bajram prej vitesh në Sheshin ‘Skënderbej’.
Në qytet janë ndërtuar xhami kudo, në të cilat çdo ditë shkojnë ata besimtarë që e kanë me dëshirë e vullnet besimin dhe praktikimin e fesë.
Por këtu, shihet qartë, se në faljen e Bajramit marrin pjesë shumë nga ata që nuk e bëjnë ritin fetar gjatë ditëve të zakonshme, por edhe besimtarët korrektë marrin pjesë në një rit që është kthyer në një brand më shumë politik.
Një imazh për të treguar se Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë mbizotërohet nga besimtarët myslimanë.
Nga ana tjetër, nuk kemi parë deri më sot, një rit të ngjashëm nëpër sheshet e vendit, të procesioneve fetare të religjioneve të tjera, si katolikët, ortodoksët, evangjelistët etj.
Të gjithë i kryejnë këto rite në faltoret e tyre, që janë të njohura e të formalizuara si shtëpi të faljes.
E kjo është krejt normale dhe ndodh në çdo vend të botës. Madje edhe në Turqi, i cili është një vend i madh mysliman, faljet kryhen në xhami. Përveç ritit të pelegrinazhit të përvitshëm në Mekë, ku në gurin e Abrahamit kryejnë ritin miliona njerëz nga e gjithë bota.
Ky demonstrim, sidomos kur merr nota të një publiciteti politik në rrjete e televizione, duket se është një karshillëk jo vetëm ndaj besimeve të tjera, por edhe ndaj shtetit vetë, i cili është i ndarë nga feja.
Ka mjaft klerikë në vendin tonë, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, që më shumë sesa për librat e shenjtë dhe ligjëratat religjioze, flasin për sisteme politike, ligje, rregulla etj., të cilat mund të funksionojnë vetëm në një shtet etatist dhe që fenë e ka pjesë të lidhur me të.
Në një shtet laik, secili ka të drejtë të besojë, ka lirinë të praktikojë ritet e tij fetare, por pa ndërhyrë në natyrën e shtetit laik dhe në liritë e besimeve të tjera.
Ka kohë që në Shqipëri xhemati dhe mjaft klerikë janë kthyer në patronazhistë që sjellin e çojnë vota sipas konjukturave të momentit. Ka 10 vjet që ndihmojnë Edi Ramën si pjesë e shtytjes që i jep Erdogani, i cili financon miliona për shoqata dhe media në Shqipëri.
Influencë që po kthehet çdo ditë e më shumë një ndikim malinj, siç bën edhe Rusia apo Kina me mediat e veta.
Në momente delikate këto media dhe njerëzit e tyre që dalin në panele, mbrojnë qëndrimet e Ankarasë për probleme të ndryshme, edhe pse ato mund të bien ndesh me qëndrimet e Tiranës apo aleatëve të saj të ngushtë si SHBA e BE.
Kështu ndodh me gulenistët, kështu ndodh edhe me rastin e politikës së Lindjes së Mesme, duke lënë sherrin brenda nesh, sherr që nuk është i yni./Pamfleti
Lini një Përgjigje