TAGS-AT E JAVËS

Editorial28 Shkurt 2026, 10:13

Basti i rrezikshëm i Donald Trump-it me Iranin

Shkruar nga Pamfleti
Basti i rrezikshëm i Donald Trump-it me Iranin
Donald Trump /

Pavarësisht premtimeve të tij elektorale për t’u dhënë fund “luftërave të pafundme”, presidenti Trump po e shtyn Amerikën drejt një konflikti të gjerë me Iranin pa një plan të qartë apo miratim nga Kongresi. Ky veprim jo vetëm që rrezikon jetën e ushtarëve amerikanë, por minon besueshmërinë e SHBA-së duke u bazuar në justifikime të paqëndrueshme dhe duke injoruar pasojat afatgjata rajonale…

Në fushatën e tij presidenciale të vitit 2024, Donald Trump u dha fjalën votuesve se ai do t’u jepte fund luftërave, jo se do të niste të reja. Megjithatë, përgjatë vitit të kaluar, ai ka urdhëruar sulme ushtarake në shtatë kombe të ndryshme.

Oreksi i tij për ndërhyrje ushtarake duket se “po rritet duke ngrënë”. Tani, ai ka urdhëruar një sulm të ri kundër Republikës Islamike të Iranit, në bashkëpunim me Izraelin, ndërkohë që zyrtarët amerikanë pohojnë se presin që ky operacion të jetë shumë më i gjerë sesa bombardimi i shënjestruar i objekteve bërthamore në qershor të vitit të kaluar.

Megjithatë, ai nuk ka ofruar asnjë shpjegim të besueshëm se përse po rrezikon jetët e pjesëtarëve tanë të shërbimit ushtarak dhe civil dhe po nxit një kundërpërgjigje madhore nga ana e Iranit.

Ai as nuk ka përfshirë në këtë vendimarrja Kongresin, të cilit Kushtetuta i njeh fuqinë e vetme për të shpallur luftë. Në vend të kësaj, ai ka përmendur një sërë justifikimesh të pjesshme dhe të ndryshueshme, duke përfshirë mbështetjen e tij sporadike për popullin heroik iranian që proteston kundër qeverisë së tyre tiranike, si dhe kërkesën e tij që Irani të heqë dorë përfundimisht nga kërkimi i një arme bërthamore.

Fakti që Trump deklaroi se programi bërthamor iranian u “asgjësua” nga sulmi i qershorit 2025 - një pretendim ky i përgënjeshtruar si nga inteligjenca amerikane, ashtu edhe nga ky sulm i ri - nënvizon mospërfilljen e thellë që presidenti ka ka ndaj detyrës së tij për të treguar të vërtetën kur angazhon në betejë forcat e armatosura amerikane.

Kjo tregon gjithashtu se sa pak besim duhet të kenë qytetarët amerikanë në siguritë që ai jep mbi qëllimet dhe rezultatet e listës së tij në rritje të aventurave ushtarake. Qasja e  Trump ndaj Iranit është e pamatur.

Synimet e tij janë të mjegullta dhe keq të përcaktuara. Ai ka dështuar të sigurojë mbështetjen ndërkombëtare dhe të brendshme, e cila do të ishte e domosdoshme për të maksimizuar shanset e një rezultati të suksesshëm.

Ai ka shpërfillur hapur si ligjin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar mbi rregullat e luftës. Sigurisht, regjimi iranian nuk meriton asnjë lloj simpatie. Ai ka mbjellë vetëm mjerim që nga revolucioni i tij 47 vite më parë: mbi popullin e vet, mbi fqinjët e tij dhe anembanë botës.

Vetëm në fillim të këtij viti, masakroi mijëra protestues. Ai burgos dhe ekzekuton pa mëshirë disidentët politikë. Ai shtyp gratë, njerëzit e komunitetit L.G.B.T.Q. dhe pakicat fetare. Udhëheqësit e tij kanë varfëruar qytetarët e tyre, ndërkohë që janë pasuruar në mënyrë korruptive.

Ata kanë thirrur “Vdekje Amerikës!”, që kur erdhën në pushtet, kanë vrarë qindra pjesëtarë të shërbimit amerikan në rajon, si dhe kanë financuar terrorizmin që ka marrë jetë civilësh në Lindjen e Mesme dhe deri në Argjentinën e largët.

Qeveria e Iranit paraqet një kërcënim unik, sepse e endërthur këtë ideologji vrasëse me ambiciet e saj bërthamore. Irani i ka sfiduar vazhdimisht inspektorët ndërkombëtarë përgjatë viteve.

Që pas sulmit të qershorit, qeveria ka treguar shenja të rifillimit të kërkimeve për teknologjinë e armëve bërthamore. Presidentët amerikanë nga të dyja partitë, e kanë bërë me të drejtë zotimin e palëkundur për të parandaluar Teheranin që të pajiset me bombën atomike.

Gjithsesi, përpjekjet e mëparshme për të frenuar ambiciet e Iranit përmes forcës ushtarake ose presionit maksimal, kanë dështuar në arritjen e një stabiliteti afatgjatë. Duke anashkaluar aleatët tradicionalë dhe duke shpërfillur mekanizmat diplomatikë, Donald Trump po e çon Amerikën drejt një qorrsokaku.

Ky sulm i ri rrezikon të ndezë një zjarr rajonal që mund të përfshijë Libanin, Irakun dhe Jemenin, ku grupet e mbështetura nga Irani janë të gatshme të kundërpërgjigjen. Për më tepër, është shqetësuese mungesa e një plani për “të nesërmen”.

Çfarë do të ndodhë nëse regjimi nuk dorëzohet? Po sikur ky sulm të shërbejë vetëm sa ta bind udhëheqjen iraniane se arma bërthamore është mjeti i vetëm për mbijetesë? Trump nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto pyetje.

Ai duket se po luan bixhoz me sigurinë kombëtare, për hir të një shfaqjeje force që mund të jetë një tjetër luftë të pafundme në Lindjen e Mesme. Pra pikërisht lloji i luftës që ai dikur premtoi se do ta shmangte me çdo kusht.

Në fund të fundit, detyra e një presidenti është të mbrojë vendin jo vetëm me armë, por edhe me maturi dhe respekt për ligjin. Duke vepruar në mënyrë të njëanshme dhe pa një strategji të qartë, Donald Trump po dëshmon se instinktet e tij, janë më shumë shkatërrimtare sesa vendimtare.

Amerika dhe bota meritojnë më mirë se sa një marshim i pamenduar drejt katastrofës./Pamfleti nga “New York Times”

basti i rrezikshëm donald trump irani

1 Komente

  1. T
    Tony

    Amerika te mos ankohet se vete e zgjodhi "bastaxhiun" pronarin e kazinove. Filozofi me i madh i kohrave K.M qe e ka varrin ne London, ka thene: "Kush e nxit bastin eshte maskara e kush e pranon bastin eshte budalla. Me popull injorant budalle qe shkon e sheh shfaqjet e wresting ku ndeshjet jane me regjizure e kujtojne se jane te verteta, nga qe jane shpelare nga trute qe ne gjeneze nuk kam pare e degjuar. Te gjitha Perandorite e medha rane pas kulmit qe arriten se, fluturuan me pras ne bythe. Qe kur Shqiperia filloi te ndjeke moralin e kazinove mori rruget e mutit.

    Lini një Përgjigje

    Editorial