Trump sulmoi Papën si të ishte një rival politik. Por historia ka treguar se: kur Cezari kërkon edhe altarin, fillon rënia morale e pushtetit.
Më 13 prill 2026, Donald Trump vendosi të bëjë atë që bëjnë zakonisht liderët që nuk durojnë dot kufi moral: sulmoi njeriun që nuk i bindet skenarit të tij.
Papa Leo XIV, pasi kritikoi luftën SHBA-Izrael kundër Iranit dhe retorikën e shenjtërimit të forcës, u godit nga Trump si “i dobët për krimin” dhe “i tmerrshëm për politikën e jashtme”. Përgjigjja e Papës ishte e ftohtë, e prerë dhe cinike: “Ne nuk jemi politikanë… jemi paqebërës.”
Kaq mjaftoi që Shtëpia e Bardhë të dukej e vogël, nervoze dhe lakuriq në planin moral.
Kjo nuk është thjesht një zënkë mes një presidenti dhe një Pape. Kjo është përplasja klasike mes pushtetit që kërkon nënshtrim dhe autoritetit moral që refuzon të bëhet dekor i tij. Trump, si shumë sundues para tij, nuk është zemëruar se Papa ka gabuar ‘gabuar’. Është zemëruar sepse Papa i ka prishur koreografinë.
Lufta, në gjuhën e pushtetit, duhet të shitet si siguri, bombardimi si stabilitet, arroganca si patriotizëm. Papa Leo i emëroi drejt: lufta prodhon vuajtje, dhe përdorimi i Zotit për të drejtën është një mashtrim i vjetër me kostum të ri.
Trump ka një problem thelbësor me figura si Papa: ato nuk konkurrojnë me të në terrenin e sondazheve, por në terrenin ku ai është gjithnjë më i dobët, te ndërgjegjja. Një president mund të blejë kohë mediatike, mund të dominojë algoritmet, mund të ndezë turmat me statuse në rrjetet sociale. Por ai nuk mund të imponojë respekt moral me ‘CAPS LOCK’. Kur Papa thotë se Kisha nuk merret me politikë të jashtme në mënyrën si e kupton një president, ai nuk po bën modestin; po demaskon. Po i thotë Trumpit se ka një ndryshim mes shtetit që prodhon frikë dhe fesë që duhet, të paktën në teori, të frenojë egon e shtetit.
Kjo skenë ka precedentë historikë. Jo sepse Trump është kopje e diktatorëve të shekujve të mëparshëm, por sepse modeli i sjelljes është i njohur: sundimtari kërkon që altari të heshtë ose ta bekojë. Kur altari nuk bindet, fillon sulmi, delegjitimimi, tallja, presioni. Kjo është arsyeja pse kjo përplasje tingëllon e njohur për këdo që ka lexuar historinë e marrëdhënieve mes papatit dhe pushtetit të zhveshur nga çdo përmbajtje morale.
Napoleoni e kuptoi herët se Kisha ishte e dobishme vetëm kur bekonte kurorën e tij. Papa Piu VII pranoi një marrëveshje me Francën në 1801, por kur Napoleoni pushtoi Shtetet Papnore dhe i aneksoi në 1809, Papa e shkishëroi pushtuesin, i cili më pas u mor rob, duke kaluar vite në internim. Historia është brutalisht ironike: perandori donte vulën e qiellit, por kur nuk e mori sipas kushteve të veta, përdori prangat. Me pak fjalë, kur pushteti nuk arrin të blejë moralin, përpiqet ta burgosë.
Mussolini, më cinik dhe më teatral, ndoqi të njëjtën logjikë me metodë fashiste. Ai kërkoi pajtim me Kishën për të konsoliduar regjimin, por kur fashizmi nisi të gllabëronte shoqërinë dhe rininë, Papa Piu XI reagoi. Në enciklikën ‘Non abbiamo bisogno’ të vitit 1931, Vatikani dënoi atë që e quajti në thelb adhurim pagan të shtetit dhe një revolucion që rrëmben të rinjtë nga Kisha për t’i edukuar me urrejtje e dhunë. Kjo është formula e çdo regjimi të etur për kontroll total: të zëvendësojë Zotin me shtetin dhe ndërgjegjen me disiplinën.
Edhe me nazizmin, përplasja mori formën e njohur të mashtrimit fillestar dhe denoncimit të vonuar. Regjimi i Hitlerit firmosi konkordat me Selinë e Shenjtë në 1933 dhe më pas i shkeli sistematikisht. Në 1937, Papa Piu XI publikoi ‘Mit brennender Sorge’, ku dënoi mitin e racës, idhujtarinë e shtetit dhe shkeljet e marrëveshjes nga Rajhu. E thënë troç: edhe atëherë, pushteti donte një kishë dekorative, jo një kishë që kujton se njeriu nuk është lëndë e parë për makinerinë ideologjike.
Në shekullin XX vonë, përplasja mes papatit dhe autoritarizmit mori një formë tjetër me Gjon Palin II. Ai nuk komandonte ushtri, por ndikimi i tij mbi Poloninë komuniste dhe lëvizjen “Solidarnosc” ndihmoi të hapej një çarje në bllokun sovjetik. Mesazhi i tij nuk ishte me armë, por me dinjitet. Dhe kjo është pikërisht ajo që regjimet e forta urrejnë më shumë: jo armët, por njeriun që u kujton qytetarëve se frika nuk është virtyt.
Prandaj, përplasja Trump–Leo nuk duhet lexuar si episod folklorik i një presidenti impulsiv që zgjohet i inatosur dhe shkruan një status. Ajo duhet lexuar si simptomë e një sëmundjeje më të thellë të politikës bashkëkohore: lideri modern nuk kënaqet më të qeverisë; ai kërkon të zëvendësojë edhe busullën morale të shoqërisë. Nuk i del të ketë ushtri, polici, media të nënshtruara dhe aparat partie. Ai kërkon edhe altarin. Kërkon edhe bekimin. Kërkon edhe heshtjen e atyre që duhet të flasin kur ai kalon kufirin. Kur nuk e merr, shpërthen.
Ka diçka pothuajse komike te fakti që Trump e akuzon Papën si “të tmerrshëm për politikën e jashtme”. Sigurisht që është. Një Papë serioz është gjithnjë “i tmerrshëm” për politikën e jashtme të ndërtuar mbi kërcënim, mbi kultin e forcës dhe mbi justifikimin teologjik të luftës. Një Papë që thotë “mjaft më luftë” është i padurueshëm për çdo administratë që kërkon ta paraqesë zjarrin si diplomaci. Problemi nuk është se Papa s’kupton realpolitikën; problemi është se ai e kupton fare mirë dhe refuzon të gjunjëzohet para saj.
Leo XIV, në këtë histori, nuk del domosdoshmërisht hero i pagabueshëm. Asnjë papë nuk është i tillë, dhe historia e Vatikanit është plot me heshtje, kalkulime dhe kompromise. Por në këtë rast, ai ka bërë atë që shumë liderë civilë nuk guxojnë ta bëjnë: i ka thënë superfuqisë se paqja nuk është dobësi dhe se feja nuk është licencë për luftë. Kjo e bën përgjigjen e tij më të madhe se vetja. Ai nuk fitoi një debat publik. Ai rivendosi një kufi: jo çdo gjë që i leverdis pushtetit mund të na imponohet si e moralshme.
Në fund, ky është nervi i vërtetë i konfliktit. Trump nuk po grindet me Vatikanin për doktrinë. Po grindet me idenë se ekziston dikush që mund t’i thotë “jo” pa kërkuar leje nga sondazhet, donatorët apo baza elektorale. Dhe kjo e tërbon. Sepse autoritarizmi modern, edhe kur vjen i paketuar si patriotizëm demokratik, ka të njëjtën uri të vjetër: kërkon jo vetëm bindje, por edhe adhurim. Papa, me të gjitha kufijtë e institucionit që përfaqëson, i tha se Kisha nuk është ministri e propagandës së perandorisë. Kaq. Dhe pikërisht për këtë, fjalia e Papës peshon më shumë se gjithë klithma presidenciale: paqebërësit nuk kanë nevojë të ulërasin; vetëm pushteti i pasigurt e bën këtë.
Ky konflikt nuk është mes fesë dhe politikës. Është mes ndërgjegjes dhe oreksit për pushtet. Historia e ka treguar disa herë: kur Cezari kërkon edhe altarin, zakonisht ka filluar të humbasë kufirin me hyjnizimin e vetes. Napoleonit nuk i mjaftoi kurora. Mussolinit nuk i mjaftoi shteti. Nazizmit nuk i mjaftoi partia. Regjimeve komuniste nuk u mjaftoi policia. Të gjithëve u duhej edhe shpirti i njeriut. Dhe pikërisht aty fillon përplasja me Kishën, ose me çdo zë moral që refuzon të shndërrohet në dekor oborri./Pamfleti
Ti papul ne je kaq paqedashes, miresi e hiresi lejo te hapen e te behen kerkime ne arkivat e Vatikanit per Shqiperine e Shqiptaret.