TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë19 Maj 2025, 15:49

Skandali me Kodin Zgjedhor: 1/3 + 3/3= 4/3

Shkruar nga Pamfleti

 Skandali me Kodin Zgjedhor: 1/3 + 3/3= 4/3

Fleta e votimit si provë e krizës së legjitimitetit: fatura e marrëveshjes Rama–Berisha

Procesi zgjedhor i 11 majit nuk është më thjesht një farsë politike, por është tashmë një absurditet edhe teknik. Ligji zgjedhor, përveçse i ndërtuar mbi pazare dhe marrëveshje të pista, ka prodhuar edhe një nga deformimet më groteske të votës së qytetarëve: një fletë votimi që nuk respekton as logjikën, as ligjin, as zgjedhësin.

Sipas parimeve të Kodit Zgjedhor, çdo qark ka një numër të caktuar mandatesh për deputetë. Qarku i Tiranës, për shembull, ka 37 mandate. Sipas ligjit në fuqi, 1/3 e kandidatëve duhet të jenë në listë të mbyllur, pra të paracaktuar nga partia dhe të pandryshueshëm nga vota. Por në përpjekje për të deformuar edhe këtë rregull, ligjvënësit kanë futur një nonsens të pastër juridik: kanë shkruar në tekst se 3/3 e kandidatëve janë në listë të hapur, çka përbën një kontradiktë logjike dhe ligjore.

Si pasojë e kësaj, në vend që të kemi një listë normale me 37 kandidatë, nga të cilët 12 paraprinë listën e mbyllur, sot qytetarët përballen me një fletë votimi me 49 emra, të gjithë në listë të hapur. Jo vetëm që kjo fletë është një sfidë për çdo zgjedhës, por edhe një përpjekje për të fshehur në konfuzion vlerën reale të votës.

Ky problem nuk ka ndodhur vetëm në Tiranë. Në çdo qark të vendit është aplikuar e njëjta formulë absurde: janë shtuar emrat në mënyrë artificiale, janë zgjeruar listat përtej logjikës, dhe është bërë gjithçka për të krijuar konfuzion maksimal. E gjitha kjo jo për të rritur përfaqësimin, por për të ruajtur pushtetin dhe për të kontrolluar më mirë rezultatin përmes çoroditjes.

Kjo është ajo që ndodh kur zgjedhjet administrohen nga partitë që kanë frikë nga liria e votës. Kjo është ajo që ndodh kur Kodi Zgjedhor nuk është një kontratë demokratike, por një kontratë private midis Edi Ramës dhe Sali Berishës.

Sot, edhe fleta e votimit është provë e krizës së legjitimitetit. Dhe kur edhe teknika bie, atëherë zgjedhjet nuk janë më një proces, por janë një mashtrim me firma dhe vula./Pamfleti

 

skandali me kodin zgjedhor fleta e votimit

Lini një Përgjigje