Federata Sllovene e Futbollit ka bërë të ditur zyrtarisht se arbitri Slavko Vincic i ka dhënë fund karrierës së tij në arbitrim. 46-vjeçari, i cili drejtoi finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, ka vendosur të tërhiqet nga fusha, vetëm një javë pas ndeshjes më të rëndësishme të karrierës së tij.
Në njoftimin e saj, federata sllovene e cilësoi këtë si përmbylljen e një rruge historike për arbitrin nga Maribori.
"Një javë pas finales së Kupës së Botës në SHBA, Slavko Vincic e mbylli zyrtarisht karrierën e tij historike në nivelin më të lartë të arbitrimit botëror.
Arbitri nga Maribori u bë arbitri i parë kryesor slloven që drejtoi finalen e madhe të Kupës së Botës FIFA 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës. Si kurorëzim i sezonit të tij të fundit, Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) e shpalli arbitrin më të mirë të Kupës së Botës, ndërsa në Itali iu dorëzua edhe çmimi prestigjioz 'Giulio Campanati'."
Federata rikujtoi edhe momentet më të rëndësishme të karrierës së tij ndërkombëtare. Vincic ishte arbitër në tre finale të Europa League, përfshirë atë të vitit 2022 mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers. Në vitin 2024 ai drejtoi gjithashtu finalen e UEFA Champions League mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit.
Përvoja e krijuar në ndeshjet më të rëndësishme të futbollit europian konsiderohet si një nga arsyet kryesore që FIFA i besoi drejtimin e finales së Kupës së Botës 2026. Në momentin kur mori lajmin se ishte përzgjedhur për finalen, Vincic nuk i fshehu emocionet dhe shpërtheu në lot.
Gjatë Botërorit ai arbitroi edhe tre takime të tjera, mes tyre sfidën e fazës me eliminim direkt mes Ekuadorit dhe Meksikës. Në atë ndeshje ai ndëshkoi me karton të kuq Piero Hincapié, pasi mbrojtësi mbuloi gojën me dorë teksa i fliste një futbollisti meksikan gjatë një debati në fushë.
Edhe finalja e Kupës së Botës pati momente të vështira për arbitrin slloven. Vincic përjashtoi me karton të kuq mesfushorin argjentinas Enzo Fernández pas kartonit të dytë të verdhë, ndërsa Argjentina e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak.
Megjithatë, përplasjet më të forta erdhën pas vërshëllimës përfundimtare. Leandro Paredes, i futur si zëvendësues, ishte një nga protagonistët e incidentit që përfshiu futbollistët e të dy skuadrave, ndërsa Vincic hasi vështirësi në qetësimin e situatës. Pas ngjarjes, FIFA hapi një hetim disiplinor për incidentet e regjistruara pas finales.
Lini një Përgjigje