TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Korrik 2026, 16:16

Akuza për fenë në Kuvend, Vengu dhe Gjekmarkaj përplasen ashpër

Shkruar nga Pamfleti
Akuza për fenë në Kuvend, Vengu dhe Gjekmarkaj përplasen
Vengu-Gjekmarkaj

Debatet për raportin përfundimtar të Reformës Administrativo-Territoriale u shoqëruan me një përplasje të fortë në Kuvend mes deputetit të Partisë Socialiste, Pirro Vengu, dhe deputetit demokrat Agron Gjekmarkaj.

Gjatë fjalës së tij, Vengu kritikoi qëndrimet e opozitës, duke iu drejtuar veçanërisht Gjekmarkajt, për të cilin tha se në diskutimet e mëparshme kishte kërkuar që në kriteret e reformës të përfshihej edhe elementi fetar.

"Pamë disa kolegë sot që ta marrin urrejtjen si mision dhe ecin para duke vazhduar linçimin e kolegëve. Zoti Gjekmarkaj na mësoi herën e kaluar që në kriteret e Reformës Territoriale duhet të mendonim edhe kriterin fetar. Ju ftoj të distancoheni nga këto promovime. Ju kërkoni një pushtet moral, por kur ia përfundon me dhunë, promovoni pushtet banal", deklaroi Vengu.

Gjekmarkaj reagoi menjëherë nga foltorja, duke mohuar kategorikisht se ka nxitur ndasi apo urrejtje fetare dhe duke i kërkuar Vengut të tërhiqte deklaratën.

Deputeti demokrat tha se kishte folur për rëndësinë historike të Mirditës dhe të katolicizmit në historinë shqiptare, duke theksuar se nuk kishte bërë thirrje për përçarje fetare.

Në përgjigjen e tij, Gjekmarkaj përdori tone të ashpra ndaj deputetit socialist, duke e cilësuar atë "të cekët intelektualisht", ndërsa i kërkoi publikisht të kërkonte falje për akuzat.

"Unë kurrë nuk kam nxitur urrejtje fetare. Kam thënë që Mirdita, krahina më e madhe shqiptare, është copëtuar në pesë rrethe dhe se katolicizmi është një vlerë universale. Je një gënjeshtar dhe abuzues, kërko falje, turp të kesh", u shpreh Gjekmarkaj.

Përplasja mes dy deputetëve ishte një nga momentet më të tensionuara të debatit parlamentar për reformën territoriale, në një seancë të karakterizuar nga akuza të ndërsjella dhe tensione të vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës.

vengu gjekmarkaj

Lini një Përgjigje