
Një gjykatë britanike ka vendosur që trafikanti shqiptar i drogës, Dardan Hoxhaj, të mos dëbohet nga Britania e Madhe, duke argumentuar se largimi i tij do të ishte "shumë i rëndë" për partneren e tij.
31-vjeçari ishte dëbuar në Shqipëri në shtator të vitit 2018, pasi u dënua me tre vite burg për përfshirjen në një operacion të trafikut të drogës me vlerë 750 mijë paund. Megjithatë, vetëm një muaj më vonë ai u rikthye ilegalisht në Britani dhe arriti të qëndronte "jashtë radarit" të autoriteteve për rreth tre vite.
Më pas, Hoxhaj aplikoi për të qëndruar në Britani përmes Skemës së Zgjidhjes për Qytetarët e BE-së (EUSS), ndërsa në shtator të vitit 2023 paraqiti një tjetër kërkesë, këtë herë duke u mbështetur në të drejtat e njeriut. Edhe pse Ministria e Brendshme britanike e refuzoi kërkesën, gjykata pranoi ankesën e tij dhe vendosi në favor të qëndrimit në vend.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati i Hoxhajt argumentoi se do të ishte "jashtëzakonisht e rëndë" që partnerja e tij të detyrohej të kthehej në Shqipëri. Ai tha se ajo vuan nga "stres kompleks post-traumatik, ankth dhe depresion", si pasojë e faktit se ka qenë viktimë e trafikimit, ndërsa përmendi edhe "kodin e rreptë të nderit" në Shqipëri, që sipas tij do ta vështirësonte riintegrimin e saj.
Në gjykatë u tha gjithashtu se Hoxhaj "luan një rol kritik dhe të pazëvendësueshëm" në familje. Sipas punonjësit social Paris Blake, ai kujdeset për partneren gjatë sulmeve të panikut, ndërsa ndihmon edhe në përkujdesjen për djalin e tyre, i cili vuan nga astma.
Po ashtu, në seancë u theksua se Hoxhaj "siguron gatimin dhe pastrimin e domosdoshëm, si dhe kohë pushimi për partneren e tij me probleme të shëndetit mendor", elemente që gjykata i mori në konsideratë gjatë vendimmarrjes.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme britanike kundërshtoi vendimin, duke argumentuar se gjykata e shkallës së parë "nuk kishte zbatuar standardin e duhur për vlerësimin e vështirësisë" që do të sillte dëbimi i Hoxhajt.
Lini një Përgjigje