Autoritetet australiane po hetojnë një ngjarje të pazakontë kriminale, pasi autorët e dyshuar të një vrasjeje në Sydney publikuan në internet një video të filmuar me dron, e cila pretendohet se tregon momentin e ekzekutimit.
Viktima, Jack Cheung, 35 vjeç, u qëllua për vdekje jashtë banesës së tij në zonën Carlingford, në veriperëndim të Sydney-t, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Sipas autoriteteve, trupi i tij u gjet në oborrin e shtëpisë rreth orës 05:30, ndërsa u zbulua rreth 90 minuta më vonë nga punëtorë që kishin shkuar për të kryer punime në banesë.
Pak orë pas ngjarjes, Policia e Uellsit të Ri Jugor (NSW) u bëri thirrje qytetarëve të dorëzonin pamje nga kamerat e sigurisë dhe kamerat e automjeteve për të ndihmuar në hetim.
Megjithatë, sipas mediave australiane, gjatë natës në një platformë të rrjeteve sociale u publikua një video e filmuar nga ajri, ku pretendohet se shfaqet personi i armatosur teksa i afrohet viktimës dhe e qëllon.
Videoja shoqërohej me një mesazh ku shkruhej: "Përshëndetje, kjo është mafia shqiptare; kemi pamje filmike të ekzekutimit të z. Cheung nga bandat sot në Carlingford".
Nuk ka konfirmim zyrtar se mesazhi apo pretendimi për identitetin e autorëve është autentik.
Policia australiane e cilësoi publikimin e pamjeve si një zhvillim tepër shqetësues. "Është shqetësuese", tha Ndihmës Komisioneri i Policisë, Scott Cook. "Është një epokë e re në krimin e organizuar", shtoi ai.
Hetimet për identifikimin e autorëve të vrasjes dhe personave që publikuan videon vijojnë.
Lini një Përgjigje