Në fund të fjalimit ai bëri një tjetër shaka, duke pretenduar se do të kandidonte dhe do të fitonte edhe një "zgjedhje të katërt", në një referencë ndaj pretendimit të tij se kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020 dhe deklaratave të mëparshme për një mandat të tretë, megjithëse Kushtetuta amerikane lejon vetëm dy mandate presidenciale.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u rikthye me humor, ironi dhe sulme ndaj mediave gjatë fjalimit të mbajtur në darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku akuzoi edhe një herë gazetarët për përhapjen e "lajmeve të rreme" dhe nuk kurseu kritikat ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Fjalimi u mbajt vetëm një ditë pasi administrata Trump hoqi dorë, të paktën për momentin, nga përpjekja për të detyruar gazetarët të zbulonin burimet e tyre lidhur me disa raportime. Darka vjetore, e konsideruar si një simbol i lirisë së shtypit në SHBA, ishte shtyrë për tre muaj pasi ceremonia e planifikuar në prill u anulua për shkak të një sulmi me armë pranë vendit ku do të zhvillohej aktiviteti.
Trump mbajti një fjalim rreth njëorësh, ku dominoi humori dhe sarkazma, por nuk munguan as kritikat ndaj mediave. Megjithatë, në fund ai tha se respekton profesionin e gazetarit dhe vlerësoi se ata bëjnë një "punë të jashtëzakonshme".
Duke folur edhe për politikën e jashtme, presidenti deklaroi se veprimet e administratës së tij ndaj Iranit po shkonin "jashtëzakonisht mirë", ndërsa iu drejtua gazetarëve me fjalët: "Mos u besoni lajmeve të rreme."
Aktiviteti u zhvillua në hotelin Waldorf Astoria në Uashington, një vend më i vogël se ai tradicional, pasi ceremonia e prillit ishte ndërprerë nga të shtënat me armë, në një sulm që sipas autoriteteve kishte në shënjestër presidentin dhe administratën e tij.
Gjatë fjalimit, Trump bëri disa shaka të përgatitura paraprakisht. Ai ironizoi Sekretarin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., duke thënë se ai kishte "vrarë personalisht lopën" nga e cila ishte përgatitur filetoja e viçit që u shërbye në darkë. Kennedy është bërë i njohur për promovimin e konsumit të mishit dhe yndyrës së viçit.
Presidenti tallej edhe me peshën e ish-guvernatorit të Nju Xhersit, Chris Christie, si dhe të kongresmenit Jerry Nadler, duke imagjinuar të dy duke u grindur për një copë cheesecake. Ai sulmoi edhe muzikantin Bruce Springsteen, për të cilin tha se "duket tmerrësisht keq", ndërsa kritikoi gazetaren e CNN, Kaitlan Collins, duke thënë se ajo "nuk buzëqesh kurrë". Për senatorin demokrat Adam Schiff, një nga kritikët e tij më të ashpër, Trump deklaroi se "e urren", ndërsa bëri shaka edhe me pamjen e tij fizike.
Në një moment, pasi një batutë për kufizimin e mandateve presidenciale nuk u prit mirë nga publiku, Trump ndërpreu fjalimin dhe tha me ironi: "A e kupton ndokush këtë fjalim të marrë që ma kanë shkruar?"
Në fund të fjalimit ai bëri një tjetër shaka, duke pretenduar se do të kandidonte dhe do të fitonte edhe një "zgjedhje të katërt", në një referencë ndaj pretendimit të tij se kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020 dhe deklaratave të mëparshme për një mandat të tretë, megjithëse Kushtetuta amerikane lejon vetëm dy mandate presidenciale.
"Kam fituar tri herë, tani do ta bëj përsëri," tha ai, ndërsa vendosi në kokë një kapele të kuqe me mbishkrimin "Trump 2028", një batutë që u prit me reagime të vakëta në sallë.
Ndryshe nga tradita, argëtimi i mbrëmjes nuk u mbajt nga një komedian, por nga mentalisti i njohur Oz Pearlman.
Përpara fjalimit të presidentit, u ndanë çmime për gazetarët që kishin publikuar investigime mbi administratën Trump, mes tyre edhe ekipi i Wall Street Journal, i cili kishte raportuar për një letër të dyshuar të Trump drejtuar Jeffrey Epstein në vitin 2003. Trump ka ngritur padi ndaj gazetës për këtë publikim.
Presidentja në largim e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Weijia Jiang, theksoi rëndësinë e rolit të medias, duke deklaruar se, pavarësisht marrëdhënieve të vështira mes presidentit dhe shtypit, të dyja palët kanë të njëjtin detyrim: t'i shërbejnë qytetarëve amerikanë.
Ceremonia iu kushtua pjesërisht oficerit të Shërbimit Sekret Victor Gonzales, i cili mbeti i plagosur gjatë sulmit të prillit teksa ndihmonte në neutralizimin e autorit, si dhe stafit të hotelit që asistoi të ftuarit gjatë incidentit. Personi i akuzuar për sulmin, Cole Allen, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzës për tentativë për atentat ndaj presidentit.
Për këtë aktivitet u morën masa të jashtëzakonshme sigurie, ndërsa drejtori i Shërbimit Sekret, Sean Curran, kishte paralajmëruar se agjentët ishin përgatitur për çdo skenar të mundshëm.
Edhe pse është traditë që presidentët amerikanë të marrin pjesë në këtë darkë, kjo ishte hera e parë që Donald Trump e bëri këtë gjatë dy mandateve të tij. Në mandatin e parë ai e kishte bojkotuar vazhdimisht aktivitetin, ndërsa prej vitesh ka qenë në konflikt të hapur me mediat, duke i cilësuar shpesh raportimet kritike si "fake news".
Administrata Trump ka paditur disa organizata mediatike, ka përjashtuar Associated Press nga grupi i gazetarëve që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë dhe ka kufizuar aksesin e disa mediave në Pentagon.
Në mbrëmje munguan Zonja e Parë Melania Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio, të cilët kishin qenë të pranishëm në ceremoninë e planifikuar në muajin prill.
Lini një Përgjigje