Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në kuadër të dosjes SASPAC.
Vendimi u mor këtë të mërkurë nga gjyqtarja Miliana Muça, e cila miratoi vendimin nr. 362, datë 25 maj 2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, duke rrëzuar ankimin e paraqitur nga Beqaj.
Ish-ministri kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë "arrest në burg" me masën "arrest në shtëpi". Si alternativë, ai kishte propozuar edhe zëvendësimin e saj me "garanci pasurore", duke ofruar shumën prej 2 milionë lekësh ose një shumë tjetër që gjykata do ta çmonte të përshtatshme.
Pas shqyrtimit të ankimit, Apeli i GJKKO vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke konfirmuar masën aktuale të sigurisë "arrest në burg" për Ilir Beqajn në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen SASPAC.
Në dosjen “SASPAC”, SPAK akuzon Beqajn për 6 vepra penale në 27 episode. Akuzat përfshijnë korrupsion në 2 raste, shkelje të barazisë në tendera në 8 raste, falsifikim dokumentesh në 9 raste, mashtrim me pasoja të rënda në bashkëpunim dhe fshehje pasurie në 3 raste. Hetimet lidhen me kohën kur ai drejtonte agjencinë që menaxhonte fondet e BE-së.
Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 6 vite burg ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Me 6 vite burg biznesmenin Ilir Rrapaj. Marsela Sejranajt, Saimir Kadiu, Petref Mersini dhe Arben Gjata u dënuan me 3 vite e 6 muaj burg. Ndërsa Naile Ajazi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg. Të gjithë përfituan ulje dënimi pasi kërkuan gjykim të shkurtuar.
Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme, jashtë kësaj pjese të dosjes që tashmë është mbyllur.
Lini një Përgjigje