
Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mal të Zi. Të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur rreth orës 20:00 ashtu siç ishte planifikuar. Ndërkohë që së shpejti pritet të nisë numërimi i kutive dhe dalja e rezultateve të para
Mbi 542 mijë votues kishin sot të drejtën për të vendosur se kush do të jenë 81 deputetët që do t’i përfaqësojnë për 4 vitet e ardhshme në parlamentit malazez. Në përgjithësi procesi i votimit ka qenë i qetë, por është raportuar edhe për incidente të vogla në disa qendra votimi.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë e ulët me vetëm 56,4 për qind të popullsisë që ju drejtuan qendrave të votimit. Një rënie në pjesëmarrje krahasuar edhe me zgjedhjet presidenciale të pak javëve më parë, ku votuan mbi 60 për qind e popullsisë. Ndërkohë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 2020, abstenimi popullor arrin në mbi 20 për qind, pasi atëherë dolën për të votuar mbi 76 për qind.
Kujtojmë se në garë janë 15 parti dhe koalicione, duke filluar nga grupet pro-perëndimore deri te ato që janë pro-serbe dhe pro-ruse.
Këto janë zgjedhjet e para pa ish presidentin Milo Gjukanoviç, i cili pas gati 30 vjetësh shërbimi si kryeministër ose president i vendit, humbi zgjedhjet presidenciale në muajin prill përballë udhëheqësit të lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç.
Sipas anketimeve kjo lëvizje pritet të kryesojë në zgjedhjet e sotme e pasuar nga Partia Demokratike e Socialistëve, e ish-presidentit Gjukanoviç, e cila për herë të parë merr pjesë në zgjedhje me një udhëheqës të ri dhe në koalicion me disa parti të vogla.
Një ndryshim i madh ndodhi tek koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe sipas të gjitha anketimeve do të ketë një rënie të theksuar.
Dy partitë që pas zgjedhjeve të vitit 2020 së bashku me Frontin Demokratik përbënin shumicën, Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat të përkohshëm Dritan Abazoviç, dhe Demokratët kandidojnë së bashku.
Që nga zgjedhjet e vitit 2020, shumica e paqëndrueshme parlamentare ndërroi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan edhe më tej ndarjet në skenën politike, duke nxitur shqetësimin e diplomacisë perëndimore për krizën e zgjatur politike, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza. Votimet e së dielës janë të gjashtat me radhë që kur vendi i vogël ballkanik shpalli pavarësinë në vitin 2006./Pamfleti
Lini një Përgjigje