Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se është i bindur se presidenti rus Putin herët a vonë do të vritet nga rrethi i tij i ngushtë.
"Me siguri do të ketë një kohë kur brishtësia e regjimit të Putinit do të ndihet brenda Rusisë. Grabitqarët do të hanë grabitqarin. Ata do ta gjejnë një arsye për të vrarë vrasësin, por atyre do t'ju duhet një arsye," i tha Zelensky gazetarit Dmytro Komarov i cili bëri një dokumentar një vit pas pushtimit rus të Ukrainës.
Putin shpalli “operacionin special ushtarak” në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit. Bombat e para tronditën Kievin dhe qytetet e tjera të Ukrainës.
Në fjalimin e mbajtur para nisjes së sulmeve, Putin tha se kjo po bëhej për të “demilitarizuar” dhe “denazifikuar” Ukrainën.
Ndërkohë pas një viti luftë, vlerësimet thonë se numri i ushtarëve të vdekur dhe të plagosur nga të dyja vendet është në dhjetëra mijëra, me dhjetëra mijëra civilë të tjerë të vrarë në Ukrainë.
Lufta ka shkatërruar ekonominë e Ukrainës, ka shkaktuar një rënie ekonomike në Rusi dhe ka pasur efekte të valëzuara në ekonominë botërore, duke përfshirë kontributin në një rritje globale të kostove të ushqimit dhe energjisë. Tregjet evropiane të energjisë janë ndryshuar rrënjësisht nga lufta, me një pjesë të madhe të Evropës që po largohet nga importet ruse të qymyrit, naftës dhe gazit.
Në njëvjetorin e pushtimit rus, duke folur në një video-fjalim presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se situata ushtarake në jug të Ukrainës është “mjaft e rrezikshme” në disa vende, ndërkohë që kushtet në lindje janë “shumë të vështira”.
Më tej presidenti ukrainas ka shtuar se forcat pro-Moskës e kanë bombarduar sërish qytetin jugor Kherson, këtë herë duke ndërprerë ngrohjen për 40,000 njerëz.
Lini një Përgjigje