
Volodymyr Zelenskyy ka akuzuar Perëndimin se nuk po reagon ndaj bombardimebe të Rusisë kundër Ukrainës, pas një sulmi masiv që vrau gjashtë persona dhe plagosi 18 të tjerë.
Qyteti perëndimor i Lvivit, i konsideruar si një nga më të sigurtit në vend, pësoi bombardimet më serioze që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Vladimir Putinit.
Për pesë orë, dronët dhe raketat ruse Shahed shënjestruan qytetin, i cili është rreth 70 km larg kufirit polak. Shpërthime të mëdha u dëgjuan nga qendra, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Mes viktimave ishte edhe një vajzë 15-vjeçare, e cila humbi jetën së bashku me tre anëtarë të familjes së saj kur shtëpia e tyre u rrafshua me tokë në fshatin Lapaivka në rajonin e Lvivit. Tetë të tjerë u plagosën në të njëjtin sulm. Një person vdiq në qytetin e Zaporizhzhias kur dronët goditën një bllok apartamentesh.
Zelenskyy tha se Rusia kishte refuzuar të gjitha ofertat për të ndaluar luftën e saj të përgjithshme. Ai deklaroi se Putin po përpiqej qëllimisht të shkatërronte infrastrukturën civile - në veçanti sistemin e gazit dhe energjisë së Ukrainës - përpara dimrit.
Ai shtoi se: “Nuk ka asnjë reagim të denjë dhe të fortë nga bota ndaj gjithçkaje që po ndodh. Ndaj rritjes së vazhdueshme të shkallës dhe guximit të sulmeve. Kjo është arsyeja pse Putini po e bën këtë: ai thjesht po qesh me perëndimin, me heshtjen dhe mungesën e veprimeve të forta në përgjigje”.
Presidenti i Ukrainës tha gjithashtu se nuk kishte “asnjë reagim të vërtetë” nga bota, por premtoi se vendi i tij do të reagonte “në mënyrë që Rusia të ndiejë përgjigjet”.
Forcat ajrore të Polonisë thanë se ngritën avionë luftarakë në ajër dhe ndërmorën veprime parandaluese për të siguruar hapësirën e tyre ajrore, pas një ndërhyrjeje ajrore muajin e kaluar nga dronë rusë.
Rajone të shumta u goditën, përfshirë Ivano-Frankivskun, në perëndim të vendit, si dhe Zaporizhzhian, Odesan, Khersonin, Sumin, Kharkivin dhe Chernihivin.
Zelenskyy u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës të ndihmojnë në forcimin e mbrojtjes ajrore dhe të vendosin një zonë ndalim-fluturimim, gjë që deri tani kanë ngurruar ta bëjnë.
Lini një Përgjigje