TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Korrik 2023, 08:15

Vulin në listën e zezë, Vuçiç: Sanksionet ndaj tij janë përgjegjësi e imja

Shkruar nga Pamfleti

Vulin në listën e zezë, Vuçiç: Sanksionet ndaj tij

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandër Vulin, janë përgjegjësi e tij sepse nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Nëse ne do të vendosnim sanksione ndaj Rusisë, ata nuk do të vendosnin sanksione ndaj Vulinit. Po e them atë që më është thënë, që është: vendosni sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të ketë sanksione ndaj askujt”, tha Vuçiç.

Ai nuk tregoi nëse Vulin do të zëvendësohet nga udhëheqja e BIA-s. Vuçiç deklaroi se sanksionet nuk kanë të bëjnë me armë apo drogë.

“Nëse ata ofrojnë ndonjë dëshmi të vlefshme, ne do ta ndjekim penalisht Vulinin. Por, këtu nuk ka asgjë, situata me Rusinë është problemi”, u shpreh Vuçiç.

Më 11 korrik, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit vendosi në listën e sanksioneve drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Sipas Departamentit të Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiç tha se Serbia deri më tani “ka rezistuar” që ta marrë këtë vendim.

“Nuk e di nëse do të mund të vazhdojmë të qëndrojmë pa vendosur sanksione ndaj Rusisë”, tha Vuçiç.

Serbia është një nga shtetet e pakta në Evropë që ende nuk ka sanksionuar Rusinë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

 

vucic sanksione pergjegjesi

Lini një Përgjigje