
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mbajti një fjalim ditën e sotme në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.
Ai deklaroi se ishte përfaqësues i një vendi që aspiron të shkojë në BE por që s’është gati të heqë dorë nga miqtë e vjetër. Duke i dërguar kështu një mesazh të qartë Perëndimit se nuk shkëputet dot nga Rusia.
"Unë jam këtu si përfaqësues i një vendi që është në rrugën e anëtarësimit në BE, por nuk është gati t'u kthejë shpinën miqësive që ka ndërtuar me shekuj", tha ai.
Ai tha gjithashtu se parimet e kombeve të bashkuara përfaqësojnë mbrojtjen e vetme thelbësore të paqes botërore dhe shkelja e tyre përbën një kërcënim për botën. Më pas u mundua që me këtë argument, të ngrinte një paralel mes aneksimit të territoreve Ukrainase nga Rusia, me ato të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Teksa shtoi se parimet e OKB-së nuk mund të ndryshojnë sipas rastit.
"Por dua të flas se si mosbindja e ligjit ndërkombëtar publik mund të çojë në pasoja të mëdha. Procesi i copëtimit të vendit tim, i nisur zyrtarisht në vitin 2008, me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe Metohisë, është ende në vazhdim. Shkelja e Kartës së OKB-së në rastin e Serbisë ishte një nga pararendësit e dukshëm të problemeve të shumta me të cilat përballemi të gjithë sot, të cilat shkojnë shumë përtej kufijve të vendit tim, apo kuadrit të rajonit nga vij”, tha ai.
Vuçiç akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se po tallet me rendin ndërkombëtar duke refuzuar marrëveshjen e BE-së dhe duke arrestuar, sipas tij, në mënyrë të paligjshme serbët në veri.
“Vetëm javën e kaluar Aljbin Kurti tha në Bruksel se serbët do të paguajnë dhe do të vuajnë. A është e mundur të bëhet një tallje më e keqe me njerëzimin dhe rendin ndërkombëtar. Vetëm një ditë më vonë, pikërisht tani, u mor një kontingjent i ri serb, i arrestuar në fushatën e tij të terrorit”, tha ai.
Vuçiç shtoi më tej se cinizmi i regjimit të Kurtit shkon deri aty, saqë edhe pse BE-ja dhe Amerika kanë lëshuar një deklaratë ku dënojnë dhunën e autoriteteve në Prishtinë, sipas tij numri i sulmeve ndaj serbëve është rritur.
“Miloš dhe Stefan Stojanoviç, djem serbë, u qëlluan në prag të Krishtlindjes nga pjesëtarë të paligjshëm të forcave të sigurisë”. Edhe pse të gjithë e dinë se vetë ekzistenca e KBS-së është e paligjshme sipas Rezolutës 1244. Ndalimi i votimit për serbët, bllokada ekonomike, kjo është pjesë e përditshmërisë së trishtë për serbët”, përfundoi Vuçiç.
Lini një Përgjigje