TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Dhjetor 2024, 11:07

Vuçiç në gjurmët e Putinit, gati ligji kundër “agjentëve të huaj” për të goditur opozitarët

Shkruar nga Davide Cancarini

 

Vuçiç në gjurmët e Putinit, gati ligji kundër
Vladimir putin dhe Aleksandar Vuçiç /

Beogradi po i shkel gjithnjë e më shumë syrin Moskës dhe Pekinit, duke ndjekur një politikë të jashtme, e cila rrezikon të shkaktojë tronditje në Ballkan por edhe në mbarë Evropën...

E gjendur në mesin e rrugës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit në aspektin gjeografik, Serbia është gjithnjë e më shumë e anuar drejt Lindjes edhe nga këndvështrimi politik. Pak ditë më parë, në Beograd ka nisur debati parlamentar në lidhje me projektligjin që synon të krijojë një regjistër të “agjentëve të huaj”

Sipas zërave kritikë dhe opozitës serbe, kjo nismë rrezikon të kopjojë ligjin famëkeq rus me të njëjtin emër, përmes të cilit regjimit i Kremlinit shënjestron çdo lloj organizate jo fitimprurëse, media dhe aktivistët e financuar nga vende të huaja, duke i cilësuar ata si jo të mirëpritur.

Projektligji u prezantua nga Lëvizja Socialiste, një parti nacionaliste e të majtës, pro-ruse, dhe e themeluar nga zv/kryeministri aktual, Aleksandar Vulin, një njeri shumë afër Moskës. I vendosur nën sanksionet e SHBA-së në korrik të vitit 2023 për aktivitetet e tij pro-ruse, Vulin tha se do që të mbrojë transparencën, dhe se ka ndjekur një standard amerikan.

Por sapo filloi debati, në kryeqytetin serb u zhvillua një takim ndërmjet delegacioneve parlamentare të Serbisë dhe Rusisë, duke konfirmuar një marrëdhënie dypalëshe shumë aktive. Bashkimi Evropian nuk ka vonuar të ngrejë zërin. Brukseli ka reaguar fort, duke e kritikuar këtë projektligj dhe nënvizuar se nëse miratohet, ligji i ri do ta vendosë seriozisht në pikëpyetje procesin e anëtarësimit të Serbisë në union.

Dy janë faktorët kryesorë që i nxisin zyrtarët evropianë të reagojnë me këtë lloj vendosmërie. Nga njëra anë është frika se Serbia mund të përjetojë të njëjtat tensione të brendshme, si ato që kanë përjetuar Gjeorgjia muajt e fundit, gjë që do të sillte një paqëndrueshmëri të mëtejshme në zemrën e një rajoni tashmë të trazuar.

Mjafton të thuhet se sipas një raporti të publikuar dy ditë më parë nga organizata Amnesty International, qeveria serbe ka ngritur një sistem kontrolli të paligjshëm ndaj gazetarëve dhe ambientalistëve, përmes një spyware të instaluar telefonat e tyre.

Nga ana tjetër, ekziston rreziku që vendi ballkanik të rrëshqasë gjithnjë e më shumë në sferën e ndikimit rus. Një sondazh që sapo është bërë publik, i kryer nga kompania e njohur shumë-kombëshe e hulumtimit të tregjeve, IPSOS, tregon se thuajse gjysma e serbëve do të votonte në favor të anëtarësimit në BE.

Por në të njëjtën kohë, Rusia dhe Kina gëzojnë një simpati të madh në vend. Bazuar në një lidhje më të kohëve të fundit dhe pragmatike se sa ajo e lidh Beogradin me Moskën, Kina është aktorja tjetër që vitet e fundit është ngjitur në disa pozicione në renditjen e partnerëve të privilegjuar nga vendi ballkanik, të paktën që kur është ngjitur në pushtet presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, Serbia po punon për ratifikimin e një marrëveshjeje ekstradimi me Kinën, akt që do të zgjeronte në mënyrë të konsiderueshme bashkëpunimin mes dy vendeve. I kritikuar ashpër nga shoqatat e të drejtave të njeriut, marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës së liderit kinez Xi Jinping në Beograd maj të këtij vitit, gjatë të cilit u firmosën dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

Duke u ndalur vetëm në sektorin e turizmit në Serbi, vetëm gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, në vend mbërritën rreth 150 mijë turistë kinezë, duke shënuar një rritje prej 71 për qind krahasuar me vitin 2023. Madje vendi ballkanik sapo ka nënshkruar një marrëveshje 720 milionëshe euro me gjigantin kinez PowerChina, për të ndërtuar pjesën e parë të metrosë së Beogradit, një projekt i pritur prej dekadash.

Kjo edhe pse Pekini është bërë kohët e fundit objekt i akuzave të rënda, pas rrëzimit të çatisë së stacionit hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, që shkaktoi vdekjen e 15 personave. Pak ditë pas asaj ngjarjeje, u zbulua ndër të tjera se në punimet për rindërtimin e stacionit ishin përfshirë edhe 2 kompani kineze.

Protestat e mëdha që prekën qytetin, u nxitën edhe nga një vendim i autoriteteve serbe, për të mos publikuar kushtet e kontratave me kompanitë e lidhura me Pekinin, për shkak të dispozitave të fshehtësisë afatgjatë që përmbajnë marrëveshjet.  

Një goditje shumë e rëndë, por që me shumë gjasa nuk do ta detyrojë qeverinë aktuale serbe të tërhiqet nga çuarja përpara e strategjisë së saj: Beogradi po i shkel gjithnjë e më shumë syrin Moskës dhe Pekinit, duke ndjekur një politikë të jashtme, e cila rrezikon të shkaktojë tronditje në Ballkan por edhe në mbarë Evropën./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”

 

vuçiç putin ligji kundër agjentëve të huaj

Lini një Përgjigje