TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Janar 2025, 14:44

Urdhrat Ekzekutivë: Ja cilat do jenë kostot e mëdha të “qeverisjes me stilolaps” nga Donald Trump

Shkruar nga Casey Burgat
Urdhrat Ekzekutivë: Ja cilat do jenë kostot e mëdha të
Donald Trump

Premtimet e fushatës, krijojnë një ndjenjë urgjence për të ofruar zgjidhej të shpejta, nga ulja e çmimeve të gazit tek goditja e migracionit të paligjshëm, që të dyja premtime të Trump.

Kandidatët presidencialë e synojnë postin e lakmuar, duke premtuar një ndryshim gjithëpërfshirës “që në ditën e parë” në detyrë në rast se zgjidhen. Këto premtime madhështore, bazohen në dëshirën e publikut për një veprim të menjëhershëm dhe e përforcojnë mentalitetin paternalist “Vetëm unë mund ta ndreq!”, që tani po karakterizon presidencat moderne.

Ndërsa “qeverisja me stilolaps”, mund të sigurojë fitore të shpejta për një publik të zhgënjyer nga ngadalësia e politikës tradicionale, kjo vëmendje kaq e madhe e presidentit tek ky mekanizëm, i shtrembëron kufijtë kushtetues të këtij posti, nxit paqëndrueshmërinë e politikave dhe e dëmton frymën bashkëpunuese të demokracisë sonë përfaqësuese.

Pasi është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë pas një mandati të parë, kur firmosi 220 urdhra ekzekutivë, Donald Trump ka garantuar se do të vazhdojë me tendencën e veprimeve të guximshme dhe të njëanshëm. Gjykuar nga fjalimi i 20 janarit, dhe moria e urdhrave ekzekutivë që firmosi që të hënën në mbrëmje, duket se pena e tij do të ketë më shumë punë se më parë.

Por historia tregon se kjo qasje - edhe pse e përshtatshme politikisht - është në thelb e brishtë. Sepse urdhrat ekzekutivë mund të anulohen nga gjykatat, kundërshtimi në Kongres apo edhe thjesht nga presidenti i ardhshëm, dhe kjo tregon se boja e stilolapsit presidencial është më shumë e korrigjueshme, ashtu si shkrimi me laps, sesa ajo e përhershme.

Sigurisht, Trump nuk është i vetmi që po vepron kështu. Presidentët e të dyja partive e kanë anashkaluar rregullisht Kongresin përmes urdhrave ekzekutivë, si për mirë ashtu edhe për keq. I tillë ka qenë urdhri ekzekutiv i Franklin D.Roosevelt i vitit 1942, që autorizoi internimin e amerikanëve me origjinë japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Apo urdhrin e Harry Truman të vitit 1948 kundër diskriminimit racor në ushtri. Kohët e fundit, programi i Aksionit të Shtyrë për Emigrantët Fëmijë (DACA) i Barack Obamës, siguroi mbrojtje të përkohshme për brezin e Ëndërrimtarëve.

Ndërkaq, një urdhër ekzekutiv i Trump, ndaloi hyrjen në SHBA të qytetarëve nga disa vende me shumicë myslimane. Të gjitha ndryshime shumë të mëdha, por pa iu nënshtruar votimit në Kongres. Llogaritja politike pas këtij veprimi është e drejtpërdrejtë.

Votuesit kërkojnë rezultate dhe presidentët përballen me orën që troket. Premtimet e fushatës, krijojnë një ndjenjë urgjence për të ofruar zgjidhej të shpejta, nga ulja e çmimeve të gazit tek goditja e migracionit të paligjshëm, që të dyja premtime të Trump.

E pse të ndiqet rruga e vështirë e kompromisit në Kongres, kur një firmë e vetme ofron një zgjidhje të menjëhershme? Mbështetja tek urdhrat ekzekutivë është bërë një zgjedhje e preferuar, por e ka një kosto. Ajo që dikur ishte zgjidhja e fundit pas dështimit të negociatave me Kongresin, tani është mjeti i parë.

Urdhrat ekzekutivë mund të anulohen lehtësisht, duke shkaktuar shpeshherë luhatje politike, të cilat dëmtojnë si sektorin privat ashtu edhe marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA-së. Kështu anulimi i ndërtimit të gazsjellësit “Keystone XL” nga Joe Biden që në ditën e tij të parë në detyrë, e ndryshoi urdhrin e Trump për lejimin e ndërtimit të tij.

Po ashtu, tërheqja e Trump nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, që fuqi në fuqi me urdhrin ekzekutiv të Obamës, bëri që aleatët e Amerikës të vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj. Edhe muri që Trump premtoi të ndërtonte në kufi me Meksikën, një gur themeli i fushatës së tij të vitit 2016, u përball me pengesa ligjore dhe legjislative të mëdha.

Gjykatat e bllokuan përpjekjen e Trump për të devijuar fondet federale për ndërtimin e tij. Këto raste, tregojnë se si “qeverisja me stilolaps”, sakrifikon shpesh qëndrueshmërinë dhe legjitimitetin në funksion të shpejtësisë. Por kjo qasje, ka edhe një kosto të madhe njerëzore.

Për shembull, Ëndërrimtarët, ose emigrantët ilegalë në moshë të mitur, kanë jetuar të harruar, pse jo edhe të terrorizuar për një dekadë, duke e ditur se edhe një ndryshim i thjeshtë nga firma e një presidenti, do t’i kthejë ata nga të individë të mbrojtur nga ligji në objektiva të dëbimit.

Një faktor kyç, është edhe bashkëfajësia e Kongresit në këtë erozion të autoritetit legjislativ. Ligjvënësit, sidomos ata të lidhur me partinë e presidentit, i mirëpresin shpesh urdhrat ekzekutive kur ato bien dakord me rezultatet e tyre.

Ky është një veprim politikisht i sigurt: u lejon atyre të pretendojnë merita për rezultatet popullore, pa u përballuar me rreziqet politike të mbajtjes së një qëndrimi publik. Por kjo dinamikë, e përshpejton zbehjen e rolit të Kongresit si një degë e barabartë e qeverisë, duke e zhvendosur më tej pushtetin tek presidenca.

Mandati i parë i Trump, shërben si një histori paralajmëruese. Pavarësisht se e kontrolloi Kongresin për 2 vjet, administrata e tij nuk arriti të shfuqizojë dhe zëvendësojë Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, duke treguar kufizimet e veprimit të njëanshëm.

Mbështetja e tij tek deklaratat e emergjencës për financimin e ndërtimit të murit në kufi, u përball me sfida ligjore të rëndësishme, duke nxjerrë në pah kufizimet e vendosura nga kontrollet e gjyqësorit dhe legjislativit. Edhe pse urdhrat ekzekutivë mund të krijojnë imazhin e një veprimi vendimtar, ato nuk janë zëvendësuese të ligjeve të qëndrueshme dypartiake.

Se sa shumë do të qeverisë Trump përmes urdhrave ekzekutivë në mandatin e dytë varet, kjo do të varet kryesisht nga republikanët e Kongresit. Demokratët do ta kundërshtojnë axhendën e tij. Por me shumicën në të dyja dhomat për të paktën dy vitet e para të mandatit të tij, vetëm republikanët kanë fuqinë ose të frenojnë, ose të mundësojnë politikëbërjen e tij nga Zyra Ovale.

Pyetja është nëse ndonjë ligjvënës republikane do ta sfidojë Trumpin, kur veprimet e tij bien ndesh me normat kushtetuese apo parimet konservatore. Në mandatin e tij të parë, republikanët e Kongresit - veçanërisht senatorët Bob Corker, John Mccain dhe Mitt Romney- i frenuan jo pak dëshirat e presidentit.

Dallimi kryesor? Ata senatorë nuk janë më në detyrë, dhe po ashtu edhe shumë nga kolegët e tyre institucionalistë. Më shumë besnikë të Trumpit janë zgjedhur në një degë legjislative, e cila ishte krijuar enkas për të funksionuar si një kontroll i pavarur mbi pushtetin ekzekutiv.

Ky ndryshim ngre shqetësime, nëse Kongresi do të përmbushë rolin e tij kushtetues si një kontrollor mbi tejkalimin e kompetencave nga qeveria. Pasojat e vazhdimit në këtë rrugë janë të qarta: pushteti i përqendruar në degën ekzekutive, është pushtet i humbur për popullin.

Qëndrueshmëria e trashëgimisë së një presidenti, nuk varet nga sa pushtet zotëron ai, por me sa me mençuri e ndan atë. Për liderët që kërkojnë të lënë një shenjë të qëndrueshme, bashkëpunimi nuk është një dobësi. Ai është guri i themelit i një trashëgimie të fortë e të qëndrueshme politike./ Përshtati "Pamfleti" Nga  “Time Magazine”

Shënim: Casey Burgat, ish-punonjëse e Kongresit Amerikan, aktualisht profesoreshë e çështjeve legjislative në Universitetin Xhorxh Uashington.

shba donald trump

Lini një Përgjigje