
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se shpjegimi i Amerikës për sulmin vdekjeprurës në sallën e koncerteve në Rusi, ku thuhej se Ukraina nuk ishte e përfshirë, nuk duhet të besohet nga njerëzit.
Më tej ajo ironizoi duke shtuar se, Uashingtoni ende nuk ka vërtetuar se kush e vrau Presidentin John F Kennedy, në vitin 1963 dhe nuk ka sesi të nxjerrë përfundime për sulmin në Rusi.
"Sikur të mund ta zgjidhnin kaq shpejt vrasjen e presidentit të tyre Kennedy. Por jo, prej më shumë se 60 vitesh nuk kanë mundur ta zbulojnë se kush e vrau. Apo ndoshta edhe ISIS? Apo do të vonojnë edhe 60 vjet me specifika, duke luajtur me ndonjë “pasiguri konstruktive”, tha Zakharova.
Zakharova, me anë të një postimi në Telegram, iu referua gjithashtu asaj që ajo e quajti financimin e aktiviteteve terroriste të grupit të krimit të organizuar të Kievit nga demokratët liberalë amerikanë.
Një degë e Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Bashkinë Crocus, në veriperëndim të Moskës, në të cilin u vranë të paktën 137 persona.
Vladimir Putin, megjithatë, nuk e ka përmendur publikisht grupin islamik në lidhje me sulmuesit, të cilët, sipas tij, po përpiqeshin të arratiseshin në Ukrainë. Ai gjithashtu ka pretenduar se disa nga "pala ukrainase" po përgatiteshin t'i kalonin ata përtej kufirit.
Lini një Përgjigje