Ish-kryeministri pritet të tërheqë figura nga SYRIZA dhe kampi i majtë, ndërsa nis riorganizimi i skenës politike në Greqi.
Ish-kryeministri grek Alexis Tsipras pritet të prezantojë këtë javë partinë e tij të re politike, në një lëvizje që po shkakton tronditje në skenën politike greke dhe veçanërisht në kampin e majtë.
Prezantimi i partisë do të bëhet të martën në Athinë, ku Tsipras pritet të shpallë emrin, programin politik dhe ekipin drejtues të forcës së re.
Sipas mediave greke, partia e re pritet të tërheqë figura të njohura nga SYRIZA, por edhe nga formacione të tjera të qendrës së majtë.
Një nga emrat e parë që iu bashkua iniciativës është Dionysis Temponeras, figurë e njohur e SYRIZA-s, i cili dha dorëheqjen nga partia gjatë fundjavës në mbështetje të Tsipras. Raportimet në Greqi flasin edhe për lëvizje të tjera deputetësh dhe zyrtarësh drejt formacionit të ri politik.
Krijimi i partisë së Tsipras vjen në një moment fragmentimi dhe riorganizimi të së majtës greke, pas krizës së gjatë në SYRIZA dhe humbjeve elektorale të viteve të fundit.
Vetë Tsipras sinjalizoi edhe identitetin simbolik të partisë së re përmes një postimi në rrjetet sociale, ku publikoi një top futbolli me ngjyrë blu dhe të kuqe.
“Këto janë ngjyrat e vendit tonë dhe të betejave tona”, shkroi ish-kryeministri grek.
Zhvillimi po ndiqet me interes të madh në Athinë, ndërsa sondazhet e para për ndikimin e partisë së re pritet të publikohen në ditët e ardhshme.
Analistët grekë e shohin rikthimin e Tsipras si një përpjekje për të rimarrë kontrollin e hapësirës progresiste dhe për të krijuar një alternativë të re opozitare përballë qeverisë së Kyriakos Mitsotakis.
Lini një Përgjigje