Sundimi i ligjit është absolutisht thelbësor për besimin në një ekonomi, ku të gjitha marrëdhëniet po dobësohen, ku mezi ekziston shteti i mirëqenies, dhe ku kujdesi shëndetësor është i shtrenjtë.
Duket sikur ai mblodhi rreth tij njerëz që i kishte parë në TV, të cilët duket se bien dakord me të, dhe u tha: vazhdoni me këtë, pa u thënë se çfarë është në të vërtetë “ajo”.
Tani problemi nr.1 i Amerikës tani është se Donald Trump nuk ka asnjë plan. Ai nuk ka një plan se si do të arrijë paqen në Ukrainë. Asnjë plan se si do të aneksojë Kanadanë. Mbi të gjitha, nuk ka asnjë plan se çfarë të bëjë, nëse tarifat arbitrare dhe të larta ndaj fqinjëve të tij të afërt, do ta dëmtojnë ekonominë amerikane.
Kjo është edhe arsyeja, pse pasi kishte vendosur tarifa për Meksikën dhe Kanadanë, i tërhoqi ato vetëm 2 ditë më vonë. Por kjo nuk i ka penguar treguesit kryesorë ekonomikë që të nisin pikiatën. Shpenzimet konsumatore në SHBA ranë në janar për herë të parë në 2 vitet e fundit.
Ka një panik midis menaxherëve që blejnë shërbime. Pagesat e vonuara për kreditë për makina, kanë arritur nivelin më të lartë në 30 vitet e fundit. Dhe indeksi i aksioneve Dow Jones humbi 1.1 trilion dollarë vetëm të premten e 7 marsit.
Pra shanset për një recesion ekonomik në SHBA janë të larta. Nëse rritni vullnetarisht çmimin e importeve, siç ka bërë Trump duke vendosur një tarifë prej 10 për qind për mallrat kineze, dhe më pas duke e dyfishuar atë në 20 për qind, kjo do të sjellë në mënyrë të pashmangshme rritjen e inflacionit.
Inflacioni e fundosi edhe Joe Biden, pavarësisht se presidenca e tij solli një bum investimesh dhe vende pune në shtetet qëndrore të SHBA-së. Por Trump duket i pavëmendshëm ndaj stuhisë që po afrohet.
Ai beson se duke injektuar kaos dhe pasiguri në gjithçka - nga marrëdhëniet e tij tregtare me fqinjët e afërt, tek statusi ligjor i Grenlandës - do të favorizojë koalicionin e ri të miliarderëve të teknologjisë që është mbledhur rreth projektit Trump 2.0.
Paradoksi është se Bidenomics po funksiononte. Përzierja e uljes së taksave, reduktimit të rregulloreve dhe stimujt monetarë, po tërhiqnin shumë investime
Në sektorin e energjisë së gjelbër dhe po hapnin shumë vende të reja pune. Trump po ndjek një kurs tjetër, ose më mirë një varg kursesh. Sepse për ta përsëritur mendimin tim fillestar: ai nuk duket se ka ndonjë plan. Nëse tarifat bëhen të përhershme, do të sjellin zhvendosjen e prodhimit nga Kina, Kanadaja dhe Meksika në SHBA.
Por lufta e tij tarifore me fqinjët e tij të afërt, tregon se kjo ka të bëjë më shumë me gjestet. Dhe ndërsa kjo lëvizje është e mirë për të hipnotizuar fanatikët e MAGA-s, nuk është një politikë ekonomike.
Sa i përket spastrimit të makinës shtetërore federale të SHBA-së, anulimi jo vetëm i ndihmës ndërkombëtare, por edhe i mbikëqyrjes rregullatore që është jetik për një ekonomi tregu, do të dëmtojë besimin shumë kohë përpara se të shkaktojë llojin e dëmit që mund të matet në shifrat e prodhimit apo në tregun e aksioneve.
Sundimi i ligjit është absolutisht thelbësor për besimin në një ekonomi, ku të gjitha marrëdhëniet po dobësohen, ku mezi ekziston shteti i mirëqenies, dhe ku kujdesi shëndetësor është i shtrenjtë.
Për miliarderë si Thiel, Musk dhe Zuckerberg, madhësia e monopoleve të tyre teknologjike, nënkupton se sundimi i ligjit është i parëndësishëm. Ata mund të blejnë rrugëdaljen nga çdo lloj problemi. Por për pjesën tjetër të kapitalizmit, vendimmarrja arbitrare e rrit shumë rrezikun. Dhe investitorët i ikin këtij të fundit.
Nëse kësaj i shtojmë vendimin e Trump për të krijuar një rezervë federale në Bitcoin-it, kemi recetën e duhur për një skemë të madhe piramidale, të drejtuar nga qeveria, që mund të dështojë lehtësisht në të njëjtën shkallë si skemat e Ishullit të Detit Jugor dhe Mississippi në Britani dhe Francë në shekullin XVIII-të.
Të gjitha kriptomonedha janë në fund të fundit skema Ponzi: ato mbështeten tek reklama për të nxitur kërkesën. Por tani, kanë në krah edhe Rezervën Federale të SHBA-së, e cila është urdhëruar të centralizojë kriptomonedhat që zotëron tashmë si rezultat i konfiskimeve të aseteve nga kriminelët.
Nëse Trump do të fillonte të blinte - apo akoma më keq të shiste - kripto, ai mund të shpërblejë ose rrënojë një pjesë të madhe të shtresës së mesme amerikane. Edhe pse tani për tani ka thënë se shteti nuk do të blejë Bitcoin - duke ulur vlerën e tij me 5 për qind në ditën e shpalljes - mundësia që qeveria amerikane të nisë ta dëmtojë monedhën e saj, dollarin, duke blerë token elektronike, është një nga aktet më alarmante që ka bërë që nga ardhja e tij në pushtet për herën e dytë.
Ekziston mundësia që nëse Trump do të kombinonte strategjinë industriale me politikat e tij ekonomike proteksioniste, mund të sillte rritjen e investimeve. Por Trump ka punësuar një grup njerëzish, për të cilët ndërhyrja racionale e shtetit është e ngjashme me herezinë fetare.
Po ashtu, ai është i vendosur të shpërdorojë nxitjen masive që ndihma ushtarake për Ukrainën, i ka dhënë industrisë vendase të armëve. Kështu, rikthehem tek argumenti im fillestar. Lajtmotivi i Trump 2.0 është mungesa e një plani.
Duket sikur ai thjesht mblodhi rreth tij disa njerëz që i kishte parë në TV, të cilët duket se bien dakord me të, dhe u tha: vazhdoni me këtë, pa u thënë se çfarë është në të vërtetë. Përveç kësaj, asnjë nga figurat e larta në administratën e re nuk është një menaxher qeveritar i provuar.
Musk, Thiel, Zuckerberg dhe të ngjashmit e tyre, janë investues dhe spekulatorë të dëshmuar, që janë pasuruar nga futja e tregut në teknologjinë sociale. Por të emëruarit aktualë nga qeveria janë një grup i dorës së dytë: lloji i njerëzve që mund të arrijnë diçka mesatare nëse drejtohen mirë, por jo s’mund të arrijnë gjithçka përmes një kaosi pa plan.
Së shpejti Trump do të përballet me një problem të dytë: ikjen e më të aftëve. Londra është e mbushur me biznesmenë amerikanë që po synojnë tregun e pronave dhe shkollat private. Një gjeneratë e tërë zyrtarësh të lartë ushtarakë amerikanë po synojnë daljen në pension të parakohshëm dhe karrierën e konsulencës në Evropë.
Unë nuk e di se sa i thellë do të jetë recesioni ekonomik në SHBA. Dhe as nëse do të përforcohej nga një kombinim i trazirave të tregut financiar dhe një kolapsi i Bitcoin, që do ta bëjë të duket si një piknik kriza e 2008-ës. Ky është edhe rreziku për Trump: ndoshta djali i vogël i Elon Musk mund të jetë ai që do ta paralajmërojë, sepse asnjë nga të rriturit në sallë nuk do të guxojë./ Përshtati "Pamfleti" Nga "The New European”
Lini një Përgjigje