TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shkurt 2026, 07:37

Trump mburret para Kongresit: Amerika nuk ndalet kurrë së fituari, Irani ka raketa për të goditur Evropën

Shkruar nga Pamfleti

Trump paralajmëroi Iranin se nuk do të lejohet të pajiset me armë bërthamore, duke thënë se preferon ta zgjidhë çështjen përmes diplomacisë."Po zhvillon raketa të afta për të goditur Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk do ta lejoj kurrë që të ketë energji bërthamore", tha ai.

Trump mburret para Kongresit: Amerika nuk ndalet kurrë së fituari,
Donald Trump mban fjalimin e tij për Gjendjen e Kombit të martën në mbrëmje. Fotografia: Kenny Holston/AFP/Getty Images

Nga të gjitha rekordet që Donald Trump pretendon se i thyen, një bie në sy: fjalimi më i gjatë për Gjendjen e Kombit në historinë e transmetuar televizivisht , me kohëzgjatje 1 orë e 47 minuta.

Duart e ligjvënësve republikanë ishin të skuqura nga entuziazmi të martën, më 24 shkurt, ndërsa përshëndetnin vazhdimisht presidentin amerikan, i cili nisi një ushtrim klasik për të: një përzierje vetë-urimesh dhe sulmesh të ashpra kundër demokratëve. Përçarësi kryesor mori kohën e tij, shijoi efektin dhe orkestroi përballjen, më pak se nëntë muaj para zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Trump shpalli rikthimin e asaj që e quajti “epoka e artë” e Amerikës, duke theksuar se vendi “nuk do të kthehet pas”.

Gjatë fjalimit, presidenti renditi atë që i cilësoi si arritje kyçe të administratës së tij.

“Inflacioni është në rënie të lirë, ndërsa Wall Street ka thyer çdo rekord gjatë mandatit tim. Kufijtë janë më të sigurt se kurrë dhe asnjë emigrant i paligjshëm nuk ka hyrë në nëntë muajt e fundit”, deklaroi ai.

Në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe kombëtarja amerikane e hokejit në akull, kampione olimpike, e cila u nderua gjatë seancës.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua politikës tregtare.

Trump mbrojti vendosjen e tarifave doganore, duke theksuar se “të gjitha vendet duan të ruajnë marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara” dhe se, pavarësisht një vendimi që e cilësoi “të pafat” nga Gjykata e Lartë, administrata e tij “po vazhdon të gjenerojë të ardhura”. Sipas presidentit, të ardhurat nga tarifat do të mund të “zëvendësojnë taksat mbi të ardhurat”.

Theksi te imigracioni dhe kufijtë

Fjalimi u përqendrua te imigracioni, një çështje që dominoi fushatën e tij. Presidenti tha se kufiri amerikan tani është "më i forti dhe më i sigurti në historinë amerikane", duke shtuar se fluksi i fentanilit është ulur me 56% brenda një viti.

"Pas katër vitesh me miliona emigrantë të paligjshëm që kaluan kufirin tonë pa kontroll, tani kemi kufirin më të sigurt në histori", tha ai, duke theksuar se hyrja ligjore do t'u lejohet atyre "që vijnë për të punuar shumë dhe për të mbështetur vendin tonë".

Publiku brohoriti "SHBA, SHBA", ndërsa në disa momente pati fishkëllima nga opozita.

Ekonomia, energjia dhe politika e jashtme

Trump foli gjithashtu për politikën energjetike, duke përsëritur angazhimin e tij për të rritur prodhimin vendas të naftës duke argumentuar se kjo e kombinuar me lëvizjet në Amerikën Latine, siç është operacioni për të rrëzuar Nicolas Maduron, do të ndihmonte në uljen e çmimeve të naftës.

Me një ton veçanërisht triumfues, ai deklaroi se SHBA-të "po fitonin aq shumë para sa nuk dimë çfarë të bëjmë", duke shtuar: "Më thonë, z. President, se po fitojmë aq shumë para sa nuk i durojmë dot".

“Ne morëm nga miku dhe partneri ynë i ri, Venezuela, mbi 80 milionë fuçi naftë”, vuri në dukje presidenti republikan gjatë fjalimit të tij tradicional për “gjendjen e bashkimit” në Capitol Hill.

Pas kapjes nga ushtria amerikane më 3 janar të presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe gruas së tij, Uashingtoni e bëri të qartë se tani do të kishte kontroll mbi shfrytëzimin e hidrokarbureve të vendit të Amerikës Latine, i cili ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë.

Prodhimi aktualisht është rreth një milion fuçi në ditë, pas dekadash sanksionesh dhe mungesës së investimeve që e kanë lënë infrastrukturën e tij në gjendje të keqe.

Ukraina: Lufta nuk do të kishte shpërthyer nëse unë do të kisha qenë president

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Donald Trump tha se administrata e tij po punon për t'i dhënë fund konfliktit, por pretendoi se "nuk do të kishte filluar kurrë nëse unë do të isha president".

Presidenti tha se do të kërkonte paqe, por e bëri të qartë se "nuk do të hezitoj kurrë të përballem me kërcënimet kundër Amerikës".

Deklarata e tij erdhi ndërsa udhëheqës politikë nga e gjithë Evropa u mblodhën në Kiev për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Presidenti tha se qëndrimi i tij i ashpër është pjesë e një strategjie "paqe përmes forcës", e cila përfshin rritjen e aftësisë ushtarake amerikane për të mbetur më e forta në botë dhe nxitjen e aleatëve si NATO për të rritur shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Irani dhe armët bërthamore

Trump foli gjatë për Iranin, pa sqaruar nëse kishte ndërmend të sulmonte.

"Njerëz të tmerrshëm", tha ai për ajatollahët, duke kujtuar protestuesit e vrarë, duke pretenduar se ata shpëtuan jetën e shumë njerëzve që do të ishin ekzekutuar nëse ai nuk do të ndërhynte. Pastaj, për programin bërthamor të Teheranit ai tha se "Ne shkatërruam gjithçka dhe tani ata duan të fillojnë nga e para. Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por ne nuk i kemi dëgjuar ato fjalë të shenjta: 'Ne kurrë nuk do të kemi një armë bërthamore'". 

Megjithatë, për herë të parë, presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se Irani po zhvillon raketa me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin tokën amerikane.

"Ata tashmë kanë zhvilluar raketa që mund të kërcënojnë Evropën dhe bazat tona jashtë vendit; ata po punojnë për të ndërtuar raketa që së shpejti do të arrijnë Shtetet e Bashkuara." 

Kohët e fundit ka pasur spekulime të forta rreth një veprimi të mundshëm ushtarak amerikan kundër Iranit, pasi një forcë e konsiderueshme ushtarake amerikane është vendosur në rajonin më të gjerë.

"Ne jemi në negociata me ta. Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por ende nuk i kemi dëgjuar ato fjalë sekrete: 'Ne kurrë nuk do të kemi një armë bërthamore'", tha presidenti.

"Preferenca ime është ta zgjidh këtë problem përmes diplomacisë, por një gjë është e sigurt: Unë kurrë nuk do të lejoj që shteti numër një që sponsorizon terrorizmin në botë të ketë një armë bërthamore", përfundoi ai.

donald trump mburret para kongresit

Lini një Përgjigje