TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Korrik 2026, 08:00

Trump gafë në samitin e NATO-s, ngatërron Zelenskyn me Putinin

Shkruar nga Pamfleti
Trump gafë në samitin e NATO-s, ngatërron Zelenskyn me Putinin
Volodymyr Zelensky, Donald Trump

Gjatë një konference për shtyp, Donald Trump dukej se ngatërroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin rus Vladimir Putin, përpara se të përpiqej ta korrigjonte deklaratën e tij.

Presidenti amerikan Donald Trump bëri një gafë gjatë një konference për shtyp në samitin e NATO-s, kur dukej se ngatërroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin rus Vladimir Putin. Pamjet e momentit u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

I pozicionuar pranë Zelenskyt ndërsa u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, Trump tregoi me dorë drejt presidentit ukrainas dhe tha: “A ka ndonjë pyetje për presidentin Putin, ju lutem?”

Deklarata shkaktoi të qeshura në sallë. Pas kësaj, Trump u përpoq ta kthente lapsusin në një koment për presidentin rus.

“A ka ndonjë pyetje për presidentin Putin, jo për Zelenskyn, por për Putinin?”, tha ai, duke treguar sërish drejt presidentit ukrainas. “Çfarë do të donit ta pyesnit? Sepse sot do të flas me të.”

Kur një gazetar i kujtoi se një vit më parë e kishte cilësuar Putinin si një “tigër prej letre”, Trump këmbënguli në propozimin e tij.

“Jo, jo, bëni një pyetje jo për Zelenskyn, por për Putinin. Sot do të flas me të. Më bëni një pyetje të mirë, një pyetje të vështirë”, tha ai.

Një gazetar më pas e pyeti: “Kur do t’i japë fund kësaj lufte?”

Trump u përgjigj: “Është një pyetje shumë e mirë. Nuk besoj se ia kam bërë ndonjëherë më parë. Do t’ia bëj.”

Kujtojmë se presidenti amerikan, Donald Trump u takua gjatë samitit të NATO-s me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky ku u fol për luftën dhe bisedimet e paqes me Rusinë. Ndërkohë që gjatë fjalës së tij, ish-presidenti amerikan zbuloi se lideri rus, Vladimir Putin, kishte shprehur dëshirën për një takim në Moskë. Teksa po shpjegonte se ishte përpjekur ta vendoste veten në pozicionin e presidentit ukrainas, Trump iu drejtua drejtpërdrejt Zelenskyt nëse ishte i gatshëm të shkonte për bisedime në Moskë.

Përgjigjja e Zelenskyt ishte e menjëhershme dhe shkaktoi të qeshura të forta në sallë. Me një ironi të mprehtë, lideri ukrainas e cilësoi këtë mundësi si shumë të vështirë dhe të rrezikshme, për faktin se atje ka shumë dronë ukrainas, duke sjellë në vëmendje sulmet e vazhdueshme ajrore që ushtria ukrainase ka kryer mbi territorin rus.

Pas kësaj batute, Trump konfirmoi duke theksuar se me të vërtetë është e vështirë të udhëtohet drejt kryeqytetit rus në këto kushte. Situata u shoqërua me ndërhyrje nga gazetarët e pranishëm, të cilët filluan të pyesnin nëse do të kishte një ftesë për presidentin Putin në Washington.

trump nato ngatërron zelenskyn me putinin

Lini një Përgjigje