TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Korrik 2026, 12:05

Trump dhe Rubio kundër drejtësisë ndërkombëtare, nisin fushatën për shpërbërjen e Gjykatës së Hagës

Shkruar nga Pamfleti

Sekretari amerikan i Shtetit akuzon Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ndërhyrje në sovranitetin e SHBA-së, ndërsa ekspertët e së drejtës ndërkombëtare i hedhin poshtë pretendimet.Sipas CNN, plani i Departamentit të Shtetit parashikon ushtrimin e presionit ndaj vendeve aleate që të distancohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Trump dhe Rubio kundër drejtësisë ndërkombëtare, nisin
Trump dhe Rubio

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka nisur një fushatë të re kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), duke deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump synon të kufizojë dhe dobësojë veprimtarinë e saj. Sipas Rubios, gjykata me seli në Hagë po cënon sovranitetin e Shteteve të Bashkuara dhe po ndërhyn në operacionet ushtarake dhe të zbatimit të ligjit të vendit.

Në një opinion të botuar në The Wall Street Journal dhe në një video të publikuar në rrjetin social X, Rubio paralajmëroi se ushtarët amerikanë, agjentët e patrullës kufitare dhe zyrtarët e zgjedhur mund të përballen me ndjekje penale nga gjyqtarë ndërkombëtarë.

"Nëse qëndrojmë duarkryq, ata do të jenë në mëshirën e gjyqtarëve të huaj, mijëra kilometra larg, me rrezikun e vazhdueshëm të ndjekjes penale apo edhe burgimit për të ashtuquajturin 'krim' të mbrojtjes së vendit të tyre", deklaroi Rubio.

Sipas CNN, plani i Departamentit të Shtetit parashikon ushtrimin e presionit ndaj vendeve aleate që të distancohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Një zyrtar amerikan, i cituar nga CNN, tha se shtetet që vazhdojnë ta mbështesin gjykatën ndërsa përfitojnë ndihmë nga SHBA-ja mund të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë sanksione, ndalime udhëtimi dhe revokim vizash.

Megjithatë, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare i kanë cilësuar deklaratat e Rubios si të pasakta.

Kenneth Roth, ish-drejtor ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, tha se Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk pretendon juridiksion mbi veprimet e kryera në territorin amerikan.

"Rubio po e paraqet kërkesën për të shmangur përgjegjësinë për krimet e luftës si çështje të sovranitetit kombëtar, duke injoruar të drejtën sovrane të shteteve të tjera për t'iu drejtuar Gjykatës për krimet e kryera në territorin e tyre", u shpreh Roth.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, e krijuar në bazë të Statutit të Romës në vitin 2002, ka juridiksion vetëm mbi krimet e kryera në territorin e vendeve që kanë ratifikuar këtë traktat ose nga shtetasit e tyre. Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në Statutin e Romës dhe gjykata nuk ka hapur asnjë hetim për krime të kryera në territorin amerikan.

Roth shtoi se kundërshtimi i administratës Trump lidhet me mundësinë që shtetas amerikanë të hetohen për veprime të kryera në vende që e njohin juridiksionin e ICC-së.

Në të kaluarën, administrata Trump ka mbështetur veprimtarinë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në raste të caktuara, si hetimet për krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë, e cila ka pranuar juridiksionin e gjykatës.

Megjithatë, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe ICC-së u përkeqësuan pasi prokurori i përgjithshëm i gjykatës, Karim Khan, hapi hetime për veprimet e Izraelit në territoret palestineze. Gjykata lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, në kuadër të hetimeve për krime të dyshuara lufte.

Gjashtë javë pas nisjes së mandatit të tij të dytë, presidenti Donald Trump shpalli gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, duke i cilësuar veprimet e ICC-së kundër SHBA-së dhe Izraelit si "të paligjshme dhe të pabaza". Ai vendosi sanksione ndaj Karim Khanit, dy zëvendësve të tij dhe gjashtë gjyqtarëve të gjykatës për hetimet që lidhen me Izraelin dhe me aktivitetin e ushtarëve amerikanë në Afganistan.

Gjatë vitit 2025, administrata Trump zgjeroi listën e sanksioneve edhe ndaj raportueses speciale të OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze të pushtuara, Francesca Albanese, si dhe ndaj tre organizatave palestineze të të drejtave të njeriut që kishin mbledhur prova për krime të mundshme lufte.

Ende nuk është e qartë se si do të zbatohet konkretisht plani i Rubios për të dobësuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Ish-zyrtarë amerikanë të sanksioneve vlerësojnë se administrata mund të ushtrojë presion diplomatik ndaj vendeve partnere ose madje të vendosë sanksione ndaj vetë institucionit.

Nëse kjo ndodh, qytetarëve dhe kompanive amerikane mund t'u ndalohet bashkëpunimi me ICC-në, ndërsa bankat ose bizneset që kryejnë transaksione me gjykatën mund të përballen me sanksione financiare ose pasoja ligjore.

Raed Jarrar, drejtor i organizatës DAWN, deklaroi se nisma e Rubios nuk dëmton vetëm Gjykatën Penale Ndërkombëtare, por edhe sistemin ndërkombëtar të drejtësisë.

"Sulmi i Rubios jo vetëm që nxjerr në pah standardet e dyfishta të SHBA-së, por rrezikon qasjen në drejtësi për viktimat në Ukrainë, Sudan dhe vende të tjera. Nuk është vetëm ICC-ja ajo që po goditet, por i gjithë rendi juridik ndërkombëtar i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore", tha ai.

trump dhe rubio kundër drejtësisë ndërkombëtare shpërbërjen e gjykatës së hagës

Lini një Përgjigje