
Pragu i përdorimit të armëve bërthamor, duket të jetë shumë më i lartë se sa ishte supozuar në fillim të luftës në Ukrainë, dhe madje dhe gjatë vetë Luftës së Ftohtë.
Urtësia konvencionale denigrohet shpesh kur gjërat shkojnë keq. Por normalisht ajo duhet të jetë një burim force. Ne e dimë se historia përsëritet kur nisin që të bien supozimet e vjetra. Kur shfaqet një krizë e madhe, ata që janë të përfshirë në të duhet të ri-mendojnë qasjen e tyre ndaj botës.
Ne po e shohim këtë gjë duke u zhvilluar në kohë reale në kontekstin e luftës në Ukrainë në të paktën 3 fusha kryesore të çështjeve ushtarake, ku të menduarit e zakonshëm ose po dështon ose po testohet shumë fort. E para ka të bëjë me vlerën e armëve bërthamore. Besueshmëria e kërcënimeve të përsëritura bërthamore nga regjimi i Vladimir Putinit, që synojnë të frenojnë nivelin e mbështetjes perëndimore për Ukrainën në faza të ndryshme të konfliktit, është dobësuar për shkak të përdorimit të saj të tepruar.
Pas shumë kërcënimeve bërthamore, të pasuara nga asnjë pasojë sa herë që Ukraina kalonte një tjetër “vijë të kuqe” të përcaktuar nga Moska, pjesa më e madhe e komunitetit të analistëve dhe ekspertëve në Perëndim, po rishikon opinionet e tij mbi çështjet bërthamore.
Pragu i përdorimit të armëve bërthamor, duket të jetë shumë më i lartë se sa ishte supozuar në fillim të luftës në Ukrainë, dhe madje dhe gjatë vetë Luftës së Ftohtë. Edhe sulmet ukrainase me dron në një shkallë relativisht të madhe ndaj Moskës, apo një sulm tokësor në thellësi të territorit rus, nuk duket se e ka afruar perspektivën e sulmeve hakmarrëse të Rusisë me armët bërthamore taktike.
Nuk ka dyshim se një faktor i rëndësishëm frenues për Kremlinin, është kundërshtimi i qartë i Kinës ndaj çdo lloj veprimi të tillë. Por gjërat ka të ngjarë të jenë gjithmonë kështu, sepse asnjë konflikt që përfshin një fuqi të madhe nuk do të zhvillohet i izoluar nga opinioni dhe mbështetja jetike e aleatëve të rëndësishëm.
Kostoja e shpërfilljes së tyre, do të ishte katastrofike nga pikëpamja politike. Në fakt, ky nuk është një mësim i ri:Britania e Madhe kishte të njëjtën aftësi teknike për ta goditur Argjentinën me armë bërthamore taktike gjatë Luftës për Ishujt Falklands, siç e ka tani Rusia ndaj Ukrainës.
Por për Londrën, ai skenar ishte moralisht dhe politikisht jashtë diskutimit, dhe nuk u mor asnjëherë seriozisht në konsideratë. Lufta aktuale, po vërteton se sa pak vlerë reale kanë armët bërthamore edhe në një konflikt të përgjakshëm dhe në shkallë të gjerë. Ky është një lajm i mirë sa i përket sigurisë globale.
Pasi çdo lloj sulmi bërthamor, qoftë edhe në një nivel të ulët, do të përbënte një shqetësim serioz për të gjithë botën, ndaj duhet shmangur. Por në aspektin e strategjisë kombëtare, mësimet që vijnë nga Ukraina do të jenë një lajm i keq për fuqitë më të vogla si Britania e Madhe, të cilat priren ta mbitheksojnë dobinë e arsenalit të tyre bërthamor.
Sigurisht, kjo është një patologji e mendësisë britanike në fushën e mbrojtjes, përballë dobësimit të forcave të armatosura kombëtare. Mjerisht, lufta e Ukrainës tregon se një arsenal bërthamor - sidomos ai që praktikisht është i kufizuar në një rol strategjik - nuk është zëvendësues i fuqisë ushtarake konvencionale.
Supozimi i dytë, i vënë seriozisht në pikëpyetje nga lufta në Ukrainë, është vetë vlera e “parandalimit” . Kjo ishte e dukshme që nga fillimi i pushtimit të gjerë rus të Ukrainas në vitin 2022, i cili përbënte një dështim të madh të mekanizmit parandalues perëndimor në përgjithësi.
Diskutimi i kësaj qasje dhe pasojat e saj, janë shmangur me kujdes në analizat perëndimore, dhe kjo ka ndodhur për arsye të kuptueshme. Sepse është e pakëndshme të ndalemi në faktin se me gjithë armatimet dhe peshën e saj politike, aleanca perëndimore e udhëhequr nga SHBA-ja, arsyeja kryesore ekzistenciale e të cilës ka qenë që nga viti 1945 parandalimi i një lufte tjetër ndërshtetërore në Evropë, ka dështuar plotësisht në këtë mision themelor.
Fakti që Putin e vazhdoi me sulmin e tij, pavarësisht “paralajmërimeve” të rrepta nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të NATO-s, është përshkruar në mënyra të ndryshme si dëshmi e “çmendurisë” së tij. Por mund të kemi një shpjegim më të mirë, nëse i largohemi për një moment urtësisë konvencionale, e cila e sheh parandalimin thjesht si një llogaritje kosto-përfitim.
Ne kemi shumë studime mbi “teorinë e parandalimit”; dhe terma si “parandalimi përmes mohimit të qasjes” dhe “frenimi përmes ndëshkimit”, janë shumë në modë dhe nxitin debate të forta rreth besueshmërisë etj. Sigurisht këto studime teorike, kanë edhe vlerën e tyre reale.
Por motot e tyre mund të shndërrohet në parulla boshe. Sepse në fakt forca nuk është aspak një garanci kundër agresionit. Nuk është gabim të kërkohet një mbrojtje më të fortë, por as ajo nuk është zgjidhja apo garancia kundër shpërthimit të një lufte, siç mendojnë shumë njerëz.
Historia e pas Luftës së Dytë Botërore - për të mos folur për epokat e mëparshme - ofron shumë shembuj të aktorëve apo aleancave më të dobëta që sulmojnë më të fortët. Më së afërmi është rasti i rebelëve Huthi në Detin e Kuq.
Mbi fajtorin e luftës së shkurtër Gjeorgji-Rusi në vitin 2008 ka ende debate, por edhe analistët e respektuar si Michael Kofman e shohin Tbilisin të paktën si pjesërisht fajtor, madje flasin për “Davidin” (Gjeorgjia) që sfidoi “Goliatin” (Rusinë).
Argjentina u përball me Britaninë në vitin 1982. Iraku sulmoi në vitin 1980 një Iran që në letër ishte më i fortë. Pakistani hyri në vitin 1965 në luftë kundër një ushtrie indiane superiore. Dhe para kësaj, Koreja e Veriut sulmoi Korenë e Jugut dhe aleaten e saj, Shtetet e Bashkuara.
Në rastin e Ukrainës, Putin mund të ketë shpresuar ta nënshtronte shpejt. Por në të njëjtën kohë, ai e kuptoi rrezikun që Perëndimi mund të rreshtohej në krah të Kievit, dhe në fund mund të përballej me shumë më tepër sesa vetëm me shtetin ukrainas.
Për këtë arsye e përgatiti Rusinë në mënyrë metodike, si ushtarakisht ashtu edhe ekonomikisht, për një luftë të madhe dhe jo vetëm kundër Ukrainës, duke siguruar paraprakisht mbështetjen e kinezëve. Putini ishte i vetëdijshëm se do të përballej me një luftë indirekte me të gjithë Perëndimin (nominalisht shumë më të fuqishëm), por gjithsesi ai vazhdoi përpara me planin e tij.
Shembulli i Ukrainës, duhet të nxisë një rishqyrtim më të thellë të asaj se çfarë do të thotë në të vërtetë parandalimi, dhe se si mund të arrihet ai në mënyrë të besueshme, sidomos duke pasur parasysh kërcënimin e Kinës. Fitimi i një avantazhi të dukshëm ushtarak ndaj kundërshtarit, mund të jetë një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të shmangur konfliktin.
Një grupim i tretë supozimesh që po sfidohen fuqishëm nga lufta në Ukrainë, ka të bëjnë me vlerën e fuqisë detare. Operacionet ushtarake që nga viti 2022, na kanë dhënë shumë leksione rreth ndryshimit të karakterit të luftës në të gjitha fushat, veçanërisht me shfaqjen e sulmeve të kombinuara me dron dhe raketa në shkallë të gjerë.
Por ndikimi në operacionet detare, ka padyshim rëndësinë më të madhe afatgjatë për aleancën perëndimore. Kjo sepse SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë fuqi detare, të cilat varen rrënjësisht nga marina e tyre për të projektuar fuqinë në mbarë botën. Arsyeja tjetër lidhet me konkurrencën strategjike ndaj Kinës, e cila në dimensionin e saj ushtarak është sërish e varur në masë të madhe nga aftësia për të luftuar dhe fituar në det.
Sulmi i ndaj flotës ruse e Detit të Zi nga ana e ukrainasve, është një triumf i madh për kauzën e Kievit. Por në të njëjtën kohë një lajm i keq për të ardhmen e aftësisë së aleatëve për të përdorur për mirë në të ardhmen fuqinë e tyre detare konvencionale.
Mbikëqyrja në distancë - nga hapësira dhe dronët shumë të aftë - jo vetëm që po e bën transparente fushën e betejave tokësore, por edhe arena detare po monitorohet nga afër, teksa anijet janë gjithnjë e më të lehta për t’u pikasur dhe goditur. Pastaj janë një mori armësh goditëse me rreze të gjatë, që mund të përdoren me saktësi edhe kundër aseteve sipërfaqësore më të mbrojtura, siç kemi parë në dhe përreth Krimesë.
Përvojës në Detin e Zi, mund t’i shtohet edhe situata në Detin e Kuq, ku një milici është në gjendje të përdorë lëshues shumë të lëvizshëm dhe teknologji të tjera relativisht të avancuara, për të kushtëzuar një flotë të tërë anijesh aleate, të cilat po shmangin kalimin në atë zonë.
Revolucioni i dronëve po pengon edhe luftën nënujore. Asnjë nga këto nuk do të thotë se të do të zhduken plotësisht gjitha klasat e anijeve detare - dhe aq më pak nëndetëset - por që mund të ndryshojnë rolet e tyre, dhe për rrjedhojë edhe vlera e tyre strategjike. Nëse ndodh kjo, ndikimi në ekuilibrin ushtarak global do të jetë shumë i madh.
Ndërsa po nisin të analizohen dhe filtrohen mësimet nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë, ato do të fillojnë në mënyrë të pashmangshme ta sfidojnë urtësinë konvencionale në një sërë nivelesh, veçanërisht në 3 fushat kyçe të çështjeve strategjike:forcat bërthamore, teoria e parandalimit dhe fuqia detare.
Kombet që do të jenë gjendje të kuptojnë thelbin e këtyre tendencave dhe të reagojnë ndaj tyre në një mënyrë të qëllimshme e të koordinuar, do të fitojnë një avantazh në konkurrencën strategjike afatgjatë. Le të shpresojmë që ata të jemi ne, dhe jo kundërshtarët tanë./ Marrë nga “Brussels Signal”, përshtati "Pamfleti"
Shënim:Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjitë me qendër në Londër dhe bashkëpunëtor në Institutin Jorktaun në Uashington.
Lini një Përgjigje