TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Dhjetor 2025, 16:55

Tjetër aksident ajror në Itali, helikopteri me 4 persona në bord rrëzohet në zonën malore

Shkruar nga Pamfleti

Tjetër aksident ajror në Itali, helikopteri me 4 persona në bord

Një aksident ajror me pasoja tragjike ndodhi mëngjesin e 4 dhjetorit në zonën malore të Valtellinës, në veri të Italisë, ku një helikopter që transportonte punëtorë për ndërhyrje pas një rrëshqitjeje dherash, u rrëzua në një terren të thepisur në komunën Lanzada.

Alarmi u dha rreth orës 08:35, kur disa dëshmitarë panë mjetin ajror të binte në zonën “Le Prese”. Sipas autoriteteve italiane, në bord ndodheshin katër persona. Tre prej tyre, piloti dhe dy punëtorë, kanë mbijetuar me plagë të lehta, ndërsa fatkeqësisht është konfirmuar edhe një viktimë.

I ndjeri është identifikuar si Tommaso Diaz Ledesma, 29 vjeç, me origjinë kolumbiane dhe rezident në Valmadrera (Lecco). Trupi i tij u zbulua më vonë gjatë një inspektimi ajror nga forcat e emergjencës. Dinamika e aksidentit mbetet e paqartë, por sipas burimeve të para hetimore, dyshohet se helikopteri ka goditur një masiv shkëmbor gjatë fluturimit dhe më pas ka rënë në një zonë shumë të vështirë për ndërhyrje.

Në momentin e rrëzimit, helikopteri ishte në mision teknik për të riparuar dëmet pas një rrëshqitjeje dherash të ndodhur më 12 nëntor në zonën e Valmalencos. Autoritetet po hetojnë nëse ndonjë nga punëtorët kishte zbritur më parë në terren, çka ka shkaktuar paqartësi në fillim për numrin e personave në bord.

Në drejtimin e helikopterit ndodhej Maurizio Folini, një pilot me përvojë të jashtëzakonshme dhe i njohur për pjesëmarrjen e tij në shumë misione shpëtimi të rrezikshme. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan njësitë e zjarrfikësve nga Sondrio dhe Chiesa Valmalenco, karabinierët e Sondrios, ekipi i ndihmës së shpejtë AREU 118 me helikopter dhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit Alpin.

Lini një Përgjigje