
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmwroi dyfishimin e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar në 50%, për të “mbrojtur prodhimin kombëtar”, duke intensifikuar presionin mbi sektorin e çelikut në shkallë ndërkombëtare dhe duke thelluar luftën tregtare globale që ai ka shpallur.
"Do të vendosim një rritje prej 25%.Ne do të rrisim tarifat për çelikun (e importuar) në Shtetet e Bashkuara nga 25% në 50%, gjë që do të garantojë më tej sigurinë e industrisë së çelikut në Shtetet e Bashkuara", shpjegoi Trump, duke iu drejtuar punëtorëve të US Steel në një fabrikë në Pensilvani, të cilët festuan njoftimin e presidentit duke brohoritur në mënyrë ritmike "SHBA, SHBA".
Shtëpia e Bardhë tha se masa do të shpallet zyrtarisht "javën tjetër".
“Askush nuk do të jetë në gjendje t’i anashkalojë” këto detyrime doganore, siguroi Donald Trump nga podiumi, me punëtorët në audiencë që mbanin helmeta dhe jelekë reflektues.
Tarifat hyjnë në fuqi nga e mërkura, 4 qershor.
Për më tepër, republikani mbrojti marrëveshjen për të bashkuar – në thelb, për të blerë – US Steel dhe konkurrentin e saj japonez Nippon Steel, të cilën ai personalisht e miratoi javën e kaluar dhe për të cilën pak detaje janë bërë publike.
“Gjëja më e rëndësishme është që US Steel do të vazhdojë të kontrollohet nga SHBA-të, përndryshe nuk do ta kisha bërë këtë marrëveshje”, tha Donald Trump, sipas të cilit Nippon Steel do të investojë 14 miliardë dollarë “në të ardhmen” e industrisë amerikane të çelikut.
Në fund të vitit 2023, dy grupet industriale kishin njoftuar një plan që Nippon Steel të blinte US Steel për 14.9 miliardë dollarë. Por ish-Presidenti Demokrat Joe Biden e bllokoi atë disa javë para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë në janar, duke përmendur arsye sigurie. Donald Trump vendosi ta rishqyrtojë atë dhe në fund e miratoi me kusht.
Lini një Përgjigje