
Kriza ukrainase, është vetëm një nga emergjencat me të cilat duhet të përballet. Të tjerat po zmadhohen.
Presidentja e Parlamentit Evropian, thotë se të gjithë vendet anëtare të BE por edhe NATO-s mund të dërgojnë forcat e tyre të armatosura, të kordinuara në nivel evropian.
Presidentja malteze e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, i ka këmbët në Mesdhe, por kokën në prag “të kufirit më të gjatë të BE-së me Rusinë”, pra në Finlandës, thotë ajo në një intervistë për La Stampa. Qeveria finlandeze mendon se është në vijën e parë të rrezikut. Në anën tjetër të kufirit, Vladimir Putin po e forcon praninë e tij ushtarake dhe po ndërton baza të reja.
Kriza ukrainase, është vetëm një nga emergjencat me të cilat duhet të përballet. Të tjerat po zmadhohen. Si kriza humanitare në Gaza. Ajo ekonomike, e imponuar nga kërcënimi i tarifave të Trump. Tranzicioni energjetik dhe sfidat e reja për bizneset në kontinent.
A mendoni se Evropa ka një rol në përpjekjen për të negociuar paqen midis Rusisë dhe Ukrainës, apo jemi tashmë të izoluar?
Nëse rikujtojmë imazhet që pamë në Vatikan, dhe bisedën midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, mund të themi se ekziston vullneti i Evropës për të arritur paqen, ashtu siç ekziston edhe vullneti i Shteteve të Bashkuara, dhe padyshim ekziston edhe vullneti i ukrainasve.
Çfarë lloj paqeje?
Paqe do të thotë para së gjithash një armëpushim. Dhe pastaj një marrëveshje që nuk vendos asgjë për Ukrainën pa Ukrainën. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme për ne. Nuk do të gjeni kurrë një vend që e lejon dikë tjetër të marrë vendime për territorin e tij. Dhe ky është rregulli i parë i Bashkimit Evropian por edhe i aleatëve tanë, përfshirë Britaninë dhe Kanadanë.
Por a dëshiron paqe Vladimir Putin?
Ne po shohim që Rusia po e bombardon çdo ditë Ukrainën, edhe pse nga SHBA janë bërë përpjekje për të folur me rusët.
Dhe çfarë mund të bëjë Evropa në këto kushte?
Sot ka një dakordësi midis vendeve të mëdha evropiane, duke u nisur nga parimi se siguria e Ukrainës është edhe siguria jonë. Është një politikë e fortë dhe e guximshme sepse çdo ditë që kalon kompanitë tona, të rinjtë tanë, veçanërisht në vendet që janë larg Ukrainës, kanë nisur të kenë dyshime për nevojën e ndihmës për Kievin. Por ne nuk duhet ta humbasim kurrë guximin, për të thënë që ukrainasit luftojnë çdo ditë edhe për sigurinë tonë.
Por a është qasja e Merz mbi raketat me rreze të gjerë veprimi, një zgjedhje e guximshme apo e rrezikshme?
Unë mendoj se deklaratat e kancelarit Merz janë shumë të forta. Ne kemi pritur prej shumë vitesh qëndrime të tilla nga Berlini.
A do të mjaftojë vetëm Gjermania për të garantuar furnizimet e duhura për Kievin?
Në datat 24-25 qershor, kemi një samit vendimtar të NATO-s. Të gjitha vendet anëtare, duhet të tregojnë në detaje se si synojnë të arrijnë kufirin e kërkuar të shpenzimeve të mbrojtjes dhe çfarë armësh kanë në dispozicion, të cilat mund t’ia dërgojnë Ukrainës.
Po ashtu, duhet të diskutojmë se si të ruajmë sigurinë në frontin lindor pas një armëpushimi të mundshëm. Kush do ta garantojë dhe si. Kur shkova në Rumani javën e kaluar, kjo ishte pyetja e parë që më bënë të rinjtë, studentët dhe politikanët.
Dhe si u përgjigjët?
Ne duhet të përpiqemi të arrijmë një armëpushim me të gjitha mjetet. Pastaj duhet të kemi guximin të themi se pas luftës, do të jemi ne ata që do të ofrojmë këtë garanci sigurie.
Sipas mendimit tuaj, a do të ketë një ushtri të përbashkët evropiane deri në fund të kësaj legjislature të Parlamentit Evropian?
Nuk po flasim për një ushtri të përbashkët evropiane, por për ndërveprimin midis të gjitha forcave të vendeve evropiane, që aktualisht nuk ekziston. Modeli mund të jetë ai i Frontex-it. Atje kemi një forcë të përbashkët me efektivë nga të gjitha shteteve anëtare. Kur ka një fluks të veçantë drejt një vendi të vetëm, të gjithë të tjerët mund të dërgojnë forcat e tyre, të organizuara në nivel evropian.
Pastaj është kriza në Gaza...
Situata në Gaza është tragjike dhe katastrofike. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve të pafajshëm. Unë isha udhëheqësi i parë evropian që hyra në Rripin e Gazës disa muaj më parë, me karvanë me ndihma humanitare, për të nënvizuar se sa thelbësore është ndihma.
BE është donatori më i madh i ndihmës humanitare dhe situata atje është tragjike. Qëndrimi i Parlamentit Evropian ka qenë shumë i qartë që nga sulmi i 7 tetorit. Edhe pse është e vështirë, ne duhet të punojmë drejt zgjidhjes së konfliktit përmes krijimit të dy shteteve. Ne duhet t'u japim palestinezëve mundësinë për të qeverisur Gazën, por pa Hamasin.
A po ndryshon qëndrimi i BE-së ndaj Izraelit dhe Gazës? A ka një linjë të përbashkët të re dhe më të ashpër ndaj Netanyahun?
E përsëris, situata është tragjike dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të lehtësuar vuajtjet e të pafajshmëve. Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i qartë.
Çfarë komenti keni mbi tarifat tregtare të Trump ndaj Evropës?
Ndoshta u treguam pak naivë. Kur votuesit amerikanë bënë zgjedhjen e tyre në nëntor, përgjigjja që presidenti i ri duhej të jepte ishte e qartë. Po aq e qartë sa kërkesa e votuesve tanë evropianë qershorin e vitit të kaluar: Na e bëni jetën më të thjeshtë, më të sigurt dhe më efikase.
Po tani si duhet të merremi vesh me Trumpin?
Duhet të flasim me SHBA si partnere, aleate, por pa qenë naivë, me qëllim mbrojtjen edhe të industrive tona.
Ndërkohë a është Kina një mundësi alternative, apo mbetet një bashkëbiseduese që do të ishte më mirë të shmangej?
Jo, ajo është një realitet. Për shumë produkte ne jemi plotësisht të varur nga Kina. Por unë nuk dua që ne t’i nënshtrohemi një shoqërie që nuk prodhon më, por bëhet thjesht një konsumatore. 5-10 vitet e ardhshme do të jenë vendimtare. Po ashtu, ne duhet të gjejmë mënyra për të mbrojtur produktet tona dhe për të qenë konkurrues në pothuajse çdo sektor./Përshtati "Pamfleti" nga “La Stampa”
Lini një Përgjigje