Ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës u takuan në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për bisedime me rëndësi të lartë rreth kërkesave të Presidentit Donald Trump që Uashingtoni të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës .
Takimi ka zgjatur 50 minuta dhe synonte gjetjen e një rruge diplomatike.
Takimi midis Ministrit të Jashtëm të Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen , homologes së tij të Groenlandës, Vivian Motzfeldt , Vance dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, paraqiti një mundësi për Kopenhagenin dhe Nuukun për të çtensionuar krizën dhe për të gjetur një rrugë diplomatike për të përmbushur kërkesat e SHBA-së për më shumë kontroll, thanë analistët.
“Qëllimi përfundimtar është të gjejmë një formë akomodimi, ose të bëjmë një marrëveshje që do ta plotësonte këtë nevojë, ose të paktën do ta qetësonte mjaftueshëm retorikën e Donald Trump”, tha për Reuters Andreas Osthagen, drejtor kërkimor për politikën e Arktikut dhe oqeaneve në Institutin Fridtjof Nansen me seli në Oslo.
Noa Redington, një analiste dhe ish-këshilltare politike e ish-kryeministres daneze Helle Thorning-Schmidt, tha se shqetësimet ishin të larta në Danimarkë dhe Groenlandë se Motzfeldt dhe Rasmussen mund të trajtoheshin në të njëjtën mënyrë si Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kur ai pësoi një poshtërim publik në një takim me Trump dhe Vance, në Shtëpinë e Bardhë në shkurt 2025.
"Ky është takimi më i rëndësishëm në historinë moderne të Groenlandës", i tha ai Reuters.
Pse Trump e konsideron jetike?
"Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë", tha Trump në një postim në mediat sociale vetëm disa orë para takimit, i cili filloi pak pas orës 10:00 sipas orës lokale (15:00 GMT), duke iu referuar një sistemi të propozuar të mbrojtjes nga raketat.
Vendndodhja strategjike e Groenlandës përgjatë rrugës më të shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut është jetike për sistemin amerikan të paralajmërimit të raketave balistike. Ushtria amerikane aktualisht mban një prani të përhershme në Bazën Hapësinore Pituffik.
Baza strehon sisteme radarësh paralajmërimi të hershëm që janë pjesë e misionit të mbrojtjes nga raketat Space Delta 4 dhe është e vendosur strategjikisht përpara Sistemit të Paralajmërimit Verior të NORAD-it, një linjë instalimesh radarësh të projektuara për të zbuluar lëshimet e raketave kundër Amerikës së Veriut që kalojnë Arktikun.
Një marrëveshje e vitit 1951 midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës vendosi të drejtën e SHBA-së për të ndërtuar baza ushtarake në Gorenlandë sipas kuadrit të NATO-s, për sa kohë që Danimarka dhe Groenlanda njoftohen.
Pas komenteve të administratës Trump, ligjvënësit danezë ranë dakord të ndajnë më shumë fonde dhe kanë pranuar se e kanë neglizhuar prej kohësh mbrojtjen e Groenlandës.
Postimi misterioz i Shtëpisë së Bardhë
Shtëpia e Bardhë postoi një imazh në X që tregon dy rrugë të mundshme për në Groenlandë. Në të majtë, shfaqet Shtëpia e Bardhë dhe dielli që ndriçon.
Në të djathtë, Kina e Rusia me stuhi apokaliptike. Imazhi u postua në orën 11:31 të paradites (16:31 GMT).

'Nuk është për shitje'
Trump tha gjithashtu se NATO do të bëhej shumë më e fuqishme dhe efektive me Groenlandën në duart e SHBA-së. “Çdo gjë më pak se kjo është e papranueshme”, shkroi ai.
Në një postim pasues duke cituar Rusinë dhe Kinën, Trump shkroi: “NATO, thuaji Danimarkës t’i nxjerrë që këtej, Tani! Dy slita qensh nuk mund ta bëjnë! Vetëm SHBA-të munden!!!”
Groenlanda dhe Danimarka thonë se ishulli nuk është në shitje dhe se kërcënimet me forcë janë të pamatura dhe shqetësimet e sigurisë duhet të zgjidhen midis aleatëve. Vende të BE-së kanë mbështetur Danimarkën, e cila është anëtare e aleancës së NATO-s.
Përpara takimit, i cili zgjati më pak se dy orë dhe përfundoi rreth mesditës, Groenlanda dhe Danimarka thanë se kishin filluar të rrisnin praninë e tyre ushtarake në dhe përreth Groenlandës në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s, si pjesë e premtimit të tyre për të forcuar mbrojtjen e Arktikut.
Prania e shtuar ushtarake do të përfshijë një sërë aktivitetesh stërvitjeje gjatë gjithë vitit 2026, sipas ministrisë daneze të mbrojtjes.
Lini një Përgjigje