Financial Times ka zbuluar se kostot e “zhvendosjes” së palestinezëve nga Gaza janë nënshkruar në një kontratë multimilionere prej 5 miliardë dollarë nga kompania amerikane e konsulencës Boston Consulting Group e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të.
Një investigim i “Financial Times” ka zbuluar se kompania amerikane e konsulencës Boston Consulting Group (BCG) ka ndihmuar në modelimin e një plani për largimin e qindra mijëra palestinezëve nga Gaza, në kuadër të një projekti që është paraqitur zyrtarisht si ndihmë humanitare.
Plani, i koduar me emrin “Aurora”, parashikonte paketa financiare për largimin vullnetar të banorëve nga një zonë e shkatërruar nga lufta.
Sipas burimeve, BCG kishte ndërtuar një model ekonomik që përfshinte zhvendosjen e deri në 500 mijë palestinezëve me një kosto prej 9 mijë dollarësh për person, duke çuar vlerën totale në mbi 5 miliardë dollarë. Kjo ndodhte në një kohë kur Shtëpia e Bardhë nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump kishte shprehur mbështetje për një rindërtim të Gazës pa pjesën më të madhe të popullsisë së saj, duke e quajtur madje “Riviera e Lindjes së Mesme”.
Në deklaratat për mediat, BCG ka mohuar të ketë mbështetur një plan zhvendosjeje masive dhe thotë se nuk ka pasur dijeni për thellësinë e punës që po bëhej nga dy prej partnerëve të saj të lartë. Këta dy partnerë janë larguar nga kompania muajin e kaluar, ndërsa është hapur një hetim i pavarur ligjor për gjithë çështjen.
Ndërkohë, Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), i cili ishte krijuar për të koordinuar ndihmën, operon me mbështetjen e forcave izraelite dhe kontraktorëve amerikanë të sigurisë. Më shumë se 400 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma nga qendrat e shpërndarjes, që gjenden larg zonave të banuara. OKB-ja e ka përshkruar këtë projekt si një “mbulesë politike për objektivat ushtarake të Izraelit”.
Plani i modeluar nga BCG përfshinte edhe përdorimin e teknologjive të reja si tokenizimi i pasurive për të ndihmuar në rindërtimin ekonomik të Gazës, por vetë ekzistenca e këtij projekti ka ndezur alarmin për përpjekjet për të “boshatisur” Gazën nga banorët e saj.
Përballë kritikave në rritje, BCG ka tërhequr ekipin e saj nga Tel Avivi dhe ka hequr dorë nga çdo përfitim financiar nga projekti, duke theksuar se do të ndërmarrë hapa për të shmangur përsëritjen e një situate të tillë.
Megjithatë, ky episod hedh dritë mbi rreziqet e përfshirjes së sektorit privat në projekte që ndodhen në kufirin e ndihmës humanitare dhe interesave strategjikë të fuqive rajonale dhe globale. Dhe për Gazën, kjo është një tjetër histori e dhimbshme që rrezikon të kthejë rindërtimin në një mjet për të ndryshuar demografinë e saj.
Lini një Përgjigje