TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Gusht 2025, 22:32

Skandal me tenderin e dronëve ushtarakë në Ukrainë, zbulohet afera korruptive; arrestohen katër zyrtarë!

Shkruar nga Pamfleti

Skandal me tenderin e dronëve ushtarakë në Ukrainë, zbulohet

Në një kohë kur ushtarët ukrainas në munges të theksuar të armatimeve përballen çdo ditë me armikun që u rrezikon kombin, 'kollaret' që drejtojnë vendin duket se kanë vetëm një qëllim, përfitimin dhe pasurimin personal, qoftë kjo edhe me çmimin e rëndë të shfarosjes së shtetit që ata drejtojnë.    

Organi mbikëqyrës antikorrupsion i Ukrainës, Byroja Kombëtare Antikorrupsion (NABU) dhe Prokuroria e Specializuar Antikorrupsion (SAPO), deklaruan të shtunën se kanë zbuluar një skemë të madhe korrupsioni që përfshin kontrata shtetërore për blerjen e dronëve ushtarakë dhe sistemeve të bllokimit të sinjaleve me çmime të fryra qëllimisht.

Sipas një deklarate zyrtare të publikuar në rrjetet sociale, në skemë janë të përfshirë një deputet aktual i parlamentit ukrainas, dy zyrtarë lokalë dhe një numër i paspecifikuar pjesëtarësh të Gardës Kombëtare. Deri tani, katër persona janë arrestuar në lidhje me këtë çështje.

“Thelbi i skemës ishte lidhja e kontratave shtetërore me kompani furnizuese me çmime të fryra qëllimisht,” thuhet në deklaratën e përbashkët të NABU dhe SAPO. Sipas autoriteteve, të dyshuarit përfitonin komisione deri në 30% të vlerës së kontratave, duke dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit.

Një nga rastet e zbuluara përfshin një kontratë prej afro 10 milionë hryvnia (rreth 239,300 dollarë amerikanë) për blerjen e dronëve FPV (first-person view), ku çmimi i furnizimit ishte fryrë me rreth 80,000 dollarë. Pas përmbushjes së kontratës, zyrtarët e kompanisë furnizuese u paguan ryshfete anëtarëve të grupit të organizuar.

Ky skandal vjen vetëm dy ditë pas miratimit të një ligji nga parlamenti ukrainas që rivendos pavarësinë e plotë të NABU dhe SAPO, pas një tentative të mëparshme për t’i vënë këto institucione nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky vendim kishte nxitur protesta masive në Ukrainë, të cilat u konsideruan si demonstratat më të mëdha që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy, i cili u përball me kritika për tentativën për të kufizuar pavarësinë e këtyre agjencive, përgëzoi punën e NABU dhe SAPO pas arrestimeve. “Toleranca zero ndaj korrupsionit dhe bashkëpunimi i ngushtë për të zbuluar korrupsionin janë thelbësore,” shkroi ai në Telegram.

Autoritetet thanë se hetimet vazhdojnë për të zbuluar përmasat e plota të skemës. Sipas burimeve të Ukrainska Pravda, një nga të arrestuarit është Oleksii Kuznetsov, deputet nga partia në pushtet “Shërbëtori i Popullit”.

Lini një Përgjigje