
Në luftën hapësinore, ushtria amerikane është në kërkim të pozicionit më të favorshëm. Satelitët më të rëndësishëm për mbrojtjen kombëtare dhe komunikimet globale, janë përballur prej kohësh me kërcënime nga toka, siç për shembull bllokimi i sinjaleve dhe sulmet me raketa.
Kufiri tjetër janë kërcënimet në orbitën e Tokës. Zbulimet e shërbimeve sekrete në lidhje me interesin e Rusisë tek armët anti-satelitore dhe lëshimet e satelitëve nga Kina, i kanë rigjallëruar përpjekjet e SHBA-së për të mbrojtur interesat e saj qindra dhe madje mijëra kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.
Kompanitë e mbrojtjes janë duke zhvilluar sisteme të ndryshme, duke filluar nga satelitët që mund të ndjekin satelitët e tjerë në orbitë, dhe deri tek mbrojtja e stacioneve tokësore që mund të transmetojnë sinjale në hapësirë. Këto aftësi mbrojtëse janë shumë të rëndësishme
Sepse shërbimet e përdorimit të sistemit GPS nga celulari, si dhe disa shërbime televizive dhe të internetit, mbështeten tek pajisjet që sillen rreth orbitës së Tokës. Startup-et komerciale po punojnë prej disa kohësh në këtë teknologji specifike, duke përfshirë prodhimin e kapsulave orbitale, sensorëve dhe strukturave satelitore, që në të ardhmen mund të kenë përdorime ushtarake.
Ndërkohë zyrtarët e Pentagonit po bëjnë edhe diçka tjetër të pazakontë: po flasin më hapur dhe më publikisht për armët që mund të përdorin vendet armiqësore në hapësirë për t’u përfshirë në një luftë. Gjenerali Chance Saltzman, udhëheqësi më i lartë operacional i Forcave Hapësinore të SHBA-së, tha se kundërshtarët e Amerikës po përpiqen çdo ditë që të kufizojnë qasjen që kanë SHBA-ja dhe aleatët e saj në hapësirë.
“Ne duhet t’i kundërvihemi këtij kërcënimi, për të siguruar që aftësitë hapësinore nga të cilat varet sot mënyra jonë të jetesës, të jenë atje edhe në të ardhmen”- tha ai në një konferencë të zhvilluar në mars me drejtuesit më të lartë të kësaj industrie. Por zyrtarët ushtarakë, nuk do të diskutojnë detaje rreth sistemeve të armëve të SHBA-së në orbitë, të cilat janë sekrete qeveritare.
Denoncimi publik i veprimeve të Rusisë në hapësirë, ka qenë një fokus i veçantë për zyrtarët amerikanë. Robert Wood, ambasador i SHBA-në, deklaroi kohët e fundit në Kombet e Bashkuara se në fillim të këtij muaji Moska vendosi një satelit që ka të ngjarë të ketë aftësi sulmuese në të njëjtën orbitë me një satelit të qeverisë amerikane.
Në kundërpërgjigje të akuzës, ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, tha se nuk e kuptonte se për çfarë po fliste Wood. Kremlini e ka akuzuar SHBA-në se po kërkon të militarizojë hapësirën, dhe i quan të trilluara raportet se Rusia po zhvillon një sistem bërthamor anti-satelitor.
Përgatitja për konflikt
Forca Hapësinore - dega më e re ushtarake e ushtrisë amerikane - e ka zgjeruar trajnimin e gardianëve të saj, duke përfshirë mënyrën më të mirë të manovrimit të satelitëve të SHBA-së dhe parashikimin se çfarë mund të planifikojnë kundërshtarët.
Ajo ka zhvilluar skenarë se si mund të luftohet ndaj lazerave, bllokuesve të valëve dhe armëve bërthamore që përdoren nga armiku në hapësirë. Zyrtarët amerikanë kundërshtojnë vendosjen e armëve të saj bërthamore në orbitë, duke vënë në dukje angazhimet sipas një traktati hapësinor të firmosur disa dekada më parë.
Megjithatë Pentagoni ka kërkuar që të vendosë grupin e tij të armëve dhe aftësive në hapësirë. Në kërkesën e fundit të buxhetit të Forcës Hapësinore, rreth 25 për qind e fondeve prej 29.4 miliardë dollarësh, do të shkojnë drejt të ashtuquajturës epërsi hapësinore, një koncept që Saltzman e quan “kundër-hapësira e përgjegjshme”.
Satelitët dhe asetet e tjera hapësinore, janë përballur prej kohësh me kërcënime nga Toka, duke përfshirë edhe sulmet me raketa. Tani ato do të duhet të përballen një numër në rritje kërcënimesh orbitale. “Ne duhet të veprojmë sikur në hapësirë ka një luftë”- deklaron Robert Winkler nga Kratos Defense & Security Solutions, një kompani e mbrojtjes me qendër në San Diego, Kalifoni, e njohur më së shumti për dronët shumë të saktë.
Aktualisht ajo është duke zhvilluar një sistem trajnimi për luftimet në hapësirë. Ky është një proces me dy hapa, na thonë zyrtarët ushtarakë dhe ata të industrisë përkatëse. Ruajtja e një pozicioni avantazhues, si ai majë kodre me pamje nga një fushë beteje, apo një orbitë që gjendet mijëra km mbi sipërfaqen e Tokës, është një parim që ka mbështetur për mijëvjeçarë taktikat ushtarake.
Humbja e atyre “syve orbitalë” rrezikon “verbimin” e mbrojtjes raketore, një pjesë thelbësore e parandalimit bërthamor gjatë 65 viteve të fundit. Hapi i dytë, është kalimi tek më shumë asete të lëvizshme, ashtu siç konfliktet në terren, kaluan dikur nga kalatë dhe kështjellat tek tanket, avionët dhe raketat.
Të quajtura edhe si “hapësira dinamike”, këto mund të manovrohen më lehtë në orbitë, ose për të qëndruar jashtë rrezikut ose për të qenë mjaftueshëm kërcënuese për të nxitur parandalimin e sulmit nga pala kundërshtare.
Lëvizja e satelitëve në hapësirë, kërkon ose ruajtjen e energjisë, ose aftësinë për t’u ri-furnizuar me karburant apo për të marrë shërbime të tjera në orbitë. Aftësi të tilla, po ndërtohen nga një mori kompanish komerciale, të cilat po zhvillojnë mjete të ndryshme hapësinore, që do të duhen për të manovruar në situata konfliktuale.
Strategjia e fundit tregtare e Forcave Hapësinore të SHBA-së, bën thirrje për shfrytëzimin e teknologjisë dhe shërbimeve nga kompanitë private për forcimin e aftësive ushtarake të vendit në periudhat e krizave të rënda.
Një element popullor, ishte plani për të përfshirë kompani të huaja në simulimet e luftës, për të vlerësuar aftësitë e ushtrisë amerikane, shprehet Even Rogers, shefi ekzekutiv i kompanisë prodhuese të satelitëve True Anomaly. Kompania e tij lëshoi në fillim të këtij viti dy nga satelitët e saj Jackal në një sondë të SpaceX, me synim testimin e tyre në një stërvitje, ku ata do të ndiqnin njëri-tjetrin në orbitë.
Kompania nuk i përmbushi të gjitha qëllimet e saj për misionin, që synonte të ofronte një pasqyrë të mënyrave më të mira për të manovruar pranë anijeve të tjera kozmike. Ajo po bën ndryshime e nevojshme për të kryer testin e ardhshëm.
Arsenali
Zyrtarët e Pentagonit e përshkruajnë shpeshherë Rusinë dhe Kinën, si konkurrentet kryesore të SHBA-së në orbitë. Ata thonë se sistemet e armëve mund të bien nën kategorinë e teknologjisë me “përdorim të dyfishtë”, e cila ka përdorime ushtarake dhe civile.
Kina e ka cilësuar satelitin e saj Shijian-21, si të pajisur me aftësinë për të pastruar mbeturinat hapësinore. Por zyrtarët e shërbimeve sekrete dhe ata ushtarakë të SHBA-së, kanë mbajtur shënime nga një operacion i kryer më shumë se dy vjet më parë, kur sateliti ishte në gjendje të lëvizte nga orbita një satelit kinez të braktisur prej kohësh.
Planet ruse për dërgimin në hapësirë të një pajisjeje bërthamore, do ta kërcënonin pozitën që SHBA-ja ka krijuar në orbitën e ulët të Tokës, si për sektorin tregtar në rritje ashtu edhe për asetet e saj të mëdha ushtarake. Shpërthimi i një arme të tillë, mund t’i shkaktojë dëme të rënda satelitëve që ndodhen tashmë atje lart, dhe t’i bëjë orbitat pranë Tokës të papërdorshme për një vit ose më shumë, thotë John Plumb, shef i politikës hapësinore në Pentagon.
Por analiza dhe planet e Pentagonit, shkojnë shumë më përtej. Kur u pyet në një mbledhje të fundit të drejtuesve të industrisë hapësinore se përse flitej kaq pak për aftësitë e Shtetet të Bashkuara për të ndjekur hapin e aseteve hapësinore ruse dhe kineze, përgjigja e tij ishte e shkurtër: “Thjesht sepse ne nuk i zotërojmë ato”./Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”
Lini një Përgjigje