E djeshmja dhe e ardhmja e aleancës transatlantike

Aleanca transatlantike është përballuar me shumë kriza gjatë 80 viteve të fundit, disa prej të cilave janë dukur edhe ekzistenciale. Por kriza aktuale që po e trondit aleancën, ndihet si një tradhti. Në dallim nga mosmarrëveshjet e mëparshme, që kryesisht kishin të bënin me mënyrën sesi aleanca duhet të reagonte ndaj një kërcënimi të jashtëm, sot sfida vjen nga brenda.
Udhëheqësit evropianë po pyesin veten nëse Shtetet e Bashkuara - themeluesja dhe kampionia e palëkundur e aleancës për 8 dekada - janë ende të përkushtuara ndaj sigurisë së Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi. Deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump dhe këshilltarëve të tij sugjerojnë se përgjigjja është “Jo”.
Tani shumë udhëheqës evropianë, besojnë se s’kanë zgjidhje tjetër, veçse të shpallin pavarësinë strategjike nga Shtetet e Bashkuara dhe të nisin një program alternativ për të mbrojtur veten. Por s’ka pse ta bëjnë këtë. Sepse përveç shpenzimeve shumë të mëdha për një mbrojtje të besueshme pa mbështetjen ushtarake të SHBA-së, edhe vetëm shprehja e një qëllimi të tillë rrezikon të përshpejtojë një divorc total, i cili do të kërcënonte sigurinë e Evropës dhe Amerikës së Veriut.
Braktisja e aleancës në këtë moment, do të përbënte një “vetëvrasje nga frika e vdekjes”, siç e përshkroi luftën parandaluese shtetari i famshëm gjerman i shekullit XIX, Otto Von Bismarck,
Ndaj evropianët duhet të përpiqen ta shpëtojnë aleancën. Ata mund të bëjnë më shumë për të mbrojtur kontinentin e tyre, që barra të mos bjerë në mënyrë disproporcionale mbi Shtetet e Bashkuara, një detyrim të cilin liderët evropianë po e pranojnë. Dhe mbajtja e pjesës së tyre të barrës, do kërkojë një angazhim të qartë për të garantuar sigurinë dhe pavarësinë e Ukrainës pas armëpushimit.
Ka shenja të mira se një “koalicion vullnetarësh” i udhëhequr nga evropianët po bëhet bashkë për ta arritur këtë. Por përtej kësaj nevoje akute, vendet evropiane kanë më pak qartësi dhe konsensus se si ta ruajnë aleancën transatlantike. Vitet në vijim, SHBA dhe Evropa do të përballen me disa sfida ushtarake të ndërlidhura midis tyre.
Si frenimin e një sulmi të mundshëm të Rusisë ndaj anëtarëve të NATO-s, mbrojtjen e krahut jugor të Evropës nga pasojat e destabilitetit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, mbrojtjen e interesave të aleancës në Arktik dhe adresimin e sfidës strategjike që vjen nga Kina.
Faktori i përbashkët, nga i cili varet kryesisht suksesi në të gjitha këto fusha, është një bazë e fortë industriale e mbrojtjes. Pra Evropa dhe Shtetet e Bashkuara së bashku, duhet të përcaktojë se çfarë aftësish duhet të zhvillojnë. Në një moment, politika dhe qasja ushtarake e Kremlinit, mund të ndryshojnë në mënyra që e bëjnë Rusinë të duket më pak kërcënuese.
Por për të ardhmen e parashikueshme, misioni kryesor i aleancës do të jetë të pengojë sulmet ruse ndaj anëtarëve të saj. Për sa kohë që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të sigurojnë besueshmërinë e parandalimit bërthamor të NATO-s, anëtarët evropianë duhet ta pranojnë barrën e mbrojtjes së krahut lindor të aleancës me mjetet e tyre konvencionale.
Ideja se përgjegjësitë duhet të ndahen në këtë mënyrë, ka një histori të gjatë që nis pas Luftës së Ftohtë. Në vitet 1990, kur problemet e NATO-s dukeshin shumë më modeste se sa sot, anëtarët e saj evropianë donin të krijonin një forcë prej 60.000 trupash të dislokueshme në çdo kohë, edhe pse kjo nuk ndodhi asnjëherë.
Vitet e fundit ka pasur synime më modeste, për një forcë gatishmërie me disa mijëra trupa. Dhe që nga viti 2017, ka siguruar shumicën e 5.000 trupave që përbëjnë Prezencën e Jashtme të Përforcuar të NATO-s në shtetet baltike. Mjerisht, gatishmëria e Evropës ndaj një sulmi të mundshëm të Moskës ndaj një shteti anëtar mbetet e pamjaftueshme.
Një simulim i kryer nga Korporata RAND në vitet 2014-2015, tregoi pengimi i Moskës për të pushtuar me shpejtësi 3 shtetet baltike do të kërkonte jo më pak se 7 brigada. Tani për tani, NATO mund të dërgojë me shpejtësi në front rreth 3 brigada. Llogaritjet e mëvonshme nga Instituti Brookings, sugjerojnë se një mbrojtje e qëndrueshme perëndimore e Baltikut, mund t ë kërkojë deri në 150.000 forca tokësore, ajrore dhe detare.
Pra thelbi qëndron tek shpejtësia e vendosjes në llogore. Së bashku, ushtritë evropiane aktualisht kanë pothuajse mbi 2 milionë personel aktiv. Por vetëm rreth 20.000-30.000 prej tyre kanë mbështetjen e nevojshme logjistike dhe lëvizshmërinë për të operuar në një distancë të konsiderueshme nga bazat e tyre.
Evropa ka të drejtë të rrisë shpenzimet në mbrojtje, por fiksimi vetëm pas buxhetit të mbrojtjes, mund të lërë në hije vendime të rëndësishme se si të shpenzohen më së miri paratë. Për ta përballuar si duhet sfidën e paraqitur nga një Rusi revanshiste, Evropa duhet t’i bëjë më të dislokueshme forcat më të vogla.
Për anëtarët e Evropës Jugore të NATO-s, sfida kryesore ndaj sigurisë vitet e fundit ka qenë kufizimi i fluksit të emigrantëve që vijnë nga Mesdheu ose përmes Turqisë. Vende si Greqia, Italia dhe Spanja, janë përpjekur të pengojnë trafikimin e paligjshëm duke ndërtuar gardhe në kufi, shtuar numrin e rojeve bregdetare dhe forcuar aftësitë e tjera detare.
Por këto mbrojtje mund të bien lehtësisht sa herë që një zi buke apo një konflikt i madh në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, do të shkaktonte një largim masiv të njerëzve drejt Evropës. Duke pasur parasysh se popullsia e kombinuar e Afrikës dhe Lindjes së Mesme pritet të dyfishohet nga mesi i këtij shekulli, dhe që ka të ngjarë të shtohen pasojat negative të ndryshimeve klimatike, NATO duhet të planifikojë ndërhyrjet e mundshme ushtarake që mund të pengojnë që në burim migrimin, duke menaxhuar konfliktet dhe katastrofat humanitare që e nxitin atë.
Dhe aktualisht, aftësitë paqeruajtëse të Evropës nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur këtë mision. Vendet evropiane, kanë së bashku mbi 6.000 trupa në misione të ndryshme paqeruajtëse (kryesisht në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Afrikë). Britania dhe Franca kanë një prani të madhe ushtarake në ish-kolonitë e tyre, Lindjen e Mesme më të gjerë, Detin Mesdhe dhe Indo-Paqësor.
Por ekspertët vlerësojnë se për të frenuar qoftë edhe një gjenocid në një vend të vogël afrikan, do të duheshin të paktën 10.000 trupa. Vendet evropiane duhet të krijojnë të paktën 10 brigada të tjera paqeruajtëse (secila me rreth 3500 ushtarë, plus staf mbështetës dhe pajisje), me një kosto vjetore prej 50 miliardë dollarësh, si dhe po aq avionë sa operojnë aktualisht në territorin lindor të NATO-s (rreth 30 miliardë dollarë në vit).
Shumë 80 miliardë dollarë është e madhe, por pjesa më e madhe e kostos mund të përballohet duke ripërdorur shpenzimet ekzistuese dhe rikonfiguruar strukturat ekzistuese. Përpjekjet e fuqishme të Evropës për të mbështetur Ukrainën, kanë nxjerrë në pah kufizime serioze për industrinë mbrojtëse të kontinentit, e cila është shumë e fragmentuar.
Zgjerimi i kapaciteteve do të kërkojë subvencionimin e prodhuesve, lehtësimin e kontratave shumëvjeçare të prokurimit, zgjerimin e prodhimit me përdorim të dyfishtë, dhe blerjen e armëve paraprake për të shtuar rezervat e municioneve./Pamfleti nga “Foreign Affairs”
Lini një Përgjigje