TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Qershor 2024, 14:45

Si mund ta luftojë Evropa valën e ekstremit të djathtë

Shkruar nga Philippe Legrain

Si mund ta luftojë Evropa valën e ekstremit të djathtë

Më mirë një kryeministër i ekstremit të djathtë në vitin 2024, sesa një president i ekstremit të djathtë në vitin 2027.

Partitë populiste të ekstremit të djathtë, u paraqitën jashtëzakonisht mirë në zgjedhjet për Parlamentit Evropian fundjavën e kaluar, duke përfunduar të parat në Francë, Itali dhe 3 vende të tjera. Ato fituan gati çerekun e vendeve në PE, dhe u renditën të dytat pas Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë.

Teksa Evropa po lëkundet nga lufta në Ukrainë, dhe me kërcënimin e një presidence të dytë të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, standardet e jetesës që nuk po përmirësohen më, sistemet e mbingarkuara të mirëqenies sociale dhe ngjarjet ekstreme të motit, nacionalistët përbëjnë një kërcënim shumë serioz, që i shtohet sfidave të lartpërmendura.

Këto parti kanë shpesh simpati ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe janë haptazi armiqësore ndaj politikave ambjentaliste, emigrantëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian. Në këto kushte, partitë kryesore pro-evropiane kanë në dispozicion 3 mundësi për të reaguar: vetëkënaqësi, bashkëpunim ose kundërsulm.

Le ta nisim analizën me problemin që ka qasja e vazhdimit të sjelljes si më parë. Shumë evropianë besojnë gabimisht, se zgjedhjet e BE-së janë të parëndësishme. Pjesëmarrja është shumë më e ulët se në zgjedhjet kombëtare, e megjithatë shumë njerëz hodhën vota proteste, shpeshherë kundër partive qeverisëse.

Gjithsesi, partitë pro-BE do të vazhdojnë të kenë shumicën në Parlamentin e ardhshëm. Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (EPP), e udhëhequr nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, fitoi në fakt shumicën e vendeve.

Për më tepër, partitë e ekstremit të djathtë janë shumë të përçara. Ato janë të ndara midis dy grupeve parlamentare rivale, dhe disa nuk janë pjesë e asnjë grupimi. Po ashtu, nuk janë në një linjë në lidhje me luftën në Ukrainë, politikat ekonomike, të drejtat e komunitetit LGBTQ-së dhe më e rëndësishmja, nëse duhet të punojnë brenda sistemit të BE-së apo kundër tij.

Ndaj në mënyrë të pashmangshme, përçarje të tilla e zbehin ndikimin e tyre. Por edhe vetëkënaqësia është e rrezikshme. Partitë e qendrës, rezistuan vetëm sepse ajo përkufizohet në një diapazon gjithnjë e më gjerë, duke përfshirë jo vetëm PPE-në dhe grupin Socialistët dhe Demokratët (S&D), por edhe liberalët klasikë dhe socialë të Evropa e Ripërtërirë dhe të Gjelbrit.

Me ç’duket, zonja Von der Leyen ka mjaftueshëm vota në Parlamentin e ri Evropian për t’u rizgjedhur si presidente e Komisionit Evropian. Por vetëm kaq. Sepse në një votim të fshehtë mund të ndodhë çdo gjë. Dhe kjo vështirë se sugjeron ekzistencën e një qendre të fortë dhe të qëndrueshme pro-BE.

Kjo edhe sepse Partia Popullore Evropiane, fitoi terren pjesërisht duke bërë fushatë kundër axhendës së gjelbër të bllokut. Ç’është akoma më shqetësuese, zgjedhjet e riorganizuan panoramën politike në vendet anëtare kryesore. Pavarësisht tendencave neo-naziste dhe lidhjeve të dyshimta me Rusinë dhe Kinën, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë përfundoi e dyta në Gjermani, përpara Social Demokratëve (SPD) të kancelarit Olaf Scholz.

Në Francë, Tubimi Kombëtar mori 32 për qind të votave, më shumë se 2-fishi i aleatëve të presidentit Emmanuel Macron. Kjo disfatë e rëndë e nxiti Macron të thërrasë zgjedhjet e parakohshme. Kështu, dy liderët më të fuqishëm të Evropës janë dobësuar rëndë, duke e lënë bllokun potencialisht pa asnjë timon, përballë sfidave të mëdha ekonomike, të sigurisë dhe të ndryshimeve klimatike.

Në këto situatë, opsioni i dytë është të akomodohet e djathta ekstreme, një diçka e përbashkët kjo në nivel kombëtar. Shumë parti të qendrës së djathtë po kopjojnë gjuhën dhe politikat e ekstremit të djathtë, veçanërisht mbi migracionin (siç bëjnë disa të qendrës së majtë).

Madje në disa shtete anëtare, ata qeverisin bashkë. Në nivelin e BE-së, pragmatistët argumentojnë se disa parti të ekstremit të djathtë, mund të futen në rrjedhën kryesore konservatore. Dëshmi për këtë është tërheqja e Von der Leyen ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila e ka modeluar veten si një konservatore tradicionale, pavarësisht nga rrënjët neofashiste të partisë së saj Vëllezërit e Italisë (FdI), dhe e ka rritur profilin e saj duke punuar me BE-në dhe jo kundër institucioneve të saj.

(Ky është një truk i vjetër: pas një përballjeje të ashpër me autoritetet e BE-së, që gati çoi në dëbimin e Greqisë nga eurozona në vitin 2015, qeveria e saj e majtë e Syriza-s u josh të hynte në kampin pro-BE). Sot ekziston rreziku që e djathta ekstreme të zgjedhë qendrën e djathtë dhe jo anasjelltas.

Kujtoni pak faktin si qasja e BE-së ndaj azilkërkuesve, është zhvendosur nga politika e mirëseardhjes e kancelares gjermane Angela Merkel në vitin 2015, në një armiqësi thuajse universale sot. Për më tepër, partitë e ekstremit të djathtë mund të fitojnë forcë ndërsa normalizohen pikëpamjet e tyre.

Kjo dëshmohet nga fitorja e Partisë për Liri (PVV) të Geert Wilders në zgjedhjet parlamentare holandeze të vitit të kaluar. Mbi të gjitha, përqafimi i ekstremit të djathtë mund të kthehet në një bumerang. Për shembull partia Fidesz e kryeministrit hungarez Viktor Orban, ishte dikur pjesë e PPE-së; tani ai është një renegat pro-Putin, që e trajton me përbuzje shtetin ligjor dhe të drejtat demokratike.

E ndërsa Meloni mund të jetë një udhëheqëse e këndshme për disa centristë, askush nuk duket i etur të bashkëpunojë me Tubimin Kombëtare të Francës, dhe aq më pak me AfD-në e Gjermanisë. Dhe kjo na le me opsionin e tretë:të luftojmë ballazi të djathtën ekstreme. Macron ka zgjedhur që të ndjekë pikërisht këtë kurs, duke thirrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kjo lëvizje, shihet gjerësisht si një bast me rreziqe të mëdha, duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit të Macron dhe ndjenjat armiqësore të elektoratit ndaj tij.

Në këto kushte, Franca mund të zgjedhë një kryeministër të ekstremit të djathtë në balotazhin që mbahet në fillim të korrikut. Në atë rast, Macron do të bëhej një “rosë e çalë” për 3 vitet e tij të mbetura në detyrë. Por pozicioni i tij ishte i dobësuar tashmë, dhe koalicioni qeverisës aktual, të cilit i mungon një shumicë parlamentare, rrezikonte të humbiste në çdo rast një mocion mosbesimi.

Me shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare, Macron ka rifituar iniciativën, duke krijuar dy rrugë të mundshme për të mposhtur të djathtën ekstreme. Së pari, fushata e tij mund ta përqendrojë vëmendjen e votuesve tek kërcënimi i ekstremit të djathtë, i cili mund ta ndihmojë Macron të bashkojë një shumicë parlamentare që përbëhet nga partitë e majta dhe të djathta, të bashkuara në dëshirën e tyre për të mbajtur larg pushtetit Tubimin Kombëtar.

Duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit të Macron, kjo duket disi e pamundur. Ndërkaq është e besueshme, që Macron ta ngjitë enkas të djathtën ekstreme në qeveri, që ajo të dështojë. Populistët priren të dalin më mirë në zgjedhje, kur i sfidojnë partitë tradicionale nga opozita, duke mos mbajtur përgjegjësi.

Mos harroni se konservatorët në Mbretërinë e Bashkuar, pasi e kanë përmbushur premtimin e tyre për Brexit, janë zhgënjyer nga realiteti i tij, ndërsa edhe popullariteti i PVV-së së Gert Wilders në Holandë ka rënë tashmë që ai është pjesë e qeverisë.

Nëse Tubimi Kombëtar fiton shumicën ose udhëheq një koalicion më të gjerë të krahut të djathtë, ka të ngjarë që ai të përballet me përgjegjësitë e mëdha të qeverisjes, siç janë për shembull vendimet e vështira fiskale, apo nëse dhe si do të të bashkëpunojë me institucionet e BE-së.

Dhe moderimi i politikave të saj të vijës së ashpër, mund të dobësojë avantazhin e saj që buron nga qasja anti-establishment; dhe zbatimi i tyre mund ta fusë vendin në krizë. Sido që të shkojnë gjërat, kjo mund të minojë popullaritetin e udhëheqëses së saj, Marine Le Pen, përpara kandidimit të saj të mundshëm në zgjedhjet presidenciale. Ndaj më mirë një kryeministër i ekstremit të djathtë në vitin 2024, sesa një president i ekstremit të djathtë në vitin 2027./Përshtati "Pamfleti", nga “Project Syndicate”

Shënim: Philippe Legrain, ish-këshilltar ekonomik i presidentit të Komisionit Evropian, aktualisht studiues në Institutin Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës.

evropa ekstrem i djathte

Lini një Përgjigje