TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Qershor 2024, 12:55

Nga Alice Roosevelt tek Hunter Biden, familjarët që turpëruan presidentët e Amerikës

Shkruar nga Shannon Bow O’Brien

Nga Alice Roosevelt tek Hunter Biden, familjarët që turpëruan

Por thuajse të gjithë presidentët, kanë pasur incidente që përfshijnë fëmijët e tyre dhe anëtarët e tjerë të familjes, dhe që kanë tërhequr vëmendjen e publikut.

Një juri në Delaware e shpalli të martën Hunter Biden, djalin e presidentit amerikan Joe Biden, fajtor për 3 akuza mbi mashtrimin në lidhje me një aplikim për të blerë armë zjarri në vitin 2018. Ai hyn në histori si fëmija i parë i një presidenti të SHBA-së që dënohet për një krim.

Ndërsa Hunter Biden shënoi në formular, se në atë kohë nuk po përdorte droga të paligjshme, juria përcaktoi se ai gënjeu mbi këtë çështje. Joe Biden dhe bashkëshortja e tij, Jill, lëshuan një deklaratë menjëherë pas vendimit të jurisë, duke thënë se e mbështesin Hunterin dhe se do të “vazhdojnë të respektojnë procesin gjyqësor, ndërsa Hunter po shqyrton mundësinë e apelimit të vendimit”.

Paraprakisht presidenti kishte deklaruar se cilido që të ishte vendimi, ai nuk do ta falte djalin e tij nëse ai shpallej fajtor për një krim federal. Joe Biden e ka mbrojtur djalin e tij që vuan prej vitesh nga varësia prej drogave të forta, dhe nga disa ngatërresa në çështje të tjera personale, përfshirë skandalin e mosnjohjes së atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese, si dhe betejën e vazhdueshme gjyqësore për mbështetjen financiare të fëmijës.

Presidenti reagoi ndaj lajmit mbi akuzat e Hunter më 20 qershor 2023, duke thënë:”Jam shumë krenar për djalin tim!”. Unë jam studiues i presidencës amerikane, dhe kam parë se si fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes së presidentëve, janë vënë jo rrallë në qendër të vëmendjes së kombit, shpeshherë pa dashjen e tyre.

Të metat, veset dhe ndonjëherë edhe pamja e tyre fizike, kanë qenë ushqim për rubrikat e thashethemeve, kundërshtarët politikë dhe humoristët. Hunter Biden nuk është fëmija i parë i një presidenti që akuzohet për një krim. Jenna dhe Barbara Bush pranuan në vitin 2001 akuzat për drejtimin e makinës nën efektin e alkoolit, dhe për përdorimin e një karte identitetit të falsifikuar, edhe pse nuk u dënuan.

Por thuajse të gjithë presidentët, kanë pasur incidente që përfshijnë fëmijët e tyre dhe anëtarët e tjerë të familjes, dhe që kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Disa nga ngjarjet klasifikohen si shaka të padëmshme, si rasti i Tad Lincoln, djalit i vogël i Abraham Lincoln, që spërkati me një zorrë uji personalitetet e ftuara në një mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë.

Incidentet e tjera janë më pak të padëmshme dhe zbavitëse. Presidenti James Madison e rriti si të tijin thjeshtrin e tij problematik, John Payne Todd. Todd luante rregullisht kumar, pinte shumë dhe frekuentonte bordellot. Medison u zhyt shumë në borxhe, në përpjekje për të shlyer dëmet e shkaktuara nga veset e Todd.

Në një rast e shpëtoi nga burgu për shkak të një borxhi. Në mesin e viteve 1800, borxhet e Todd e detyruan nënën e tij të ve të shiste fermën e madhe të familjes, Montpelier. Madje ai dërgoi një avokat që të vizitonte nënën e tij në shtratin e vdekjes, për të rishkruar testamentin e saj, duke e bërë veten trashëgimtarin e saj të vetëm.

Alice Roosevelt, fëmija më i madh i Theodore Roosevelt, i solli jo pak probleme babait të saj gjatë presidencës së tij në fillim të viteve 1900. Alice kishte një marrëdhënie të tensionuar me babanë e saj dhe gruan e tij të dytë, Edith. Kur prindërit e saj e paralajmëruan se mund ta dërgonin si ndëshkim në një shkollë me konvikt, Alice u përgjigj:”Nëse më dërgoni atje, unë do t’ju poshtëroj. Do të bëj diçka që do t’ju turpërojë. Do ta shihni!”.

Në një kohë kur gratë pritej të ishin të turpshme, Alice pinte duhan, alkool, festonte pa fund me shoqërinë, dhe mbante si kafshë shtëpiake një gjarpër. Theodore Roosevelt tha në një rast me dëshpërim:“Unë mund të bëj një nga dy gjërat: Mund të jem president i Shteteve të Bashkuara ose mund të kontrolloj Alice Roosevelt. Nuk mund t’i bëj të dyja!”.

Më vonë Alice u ndalua të hynte në Shtëpia e Bardhë, pasi varrosi në oborr një kukull të magjisë së zezë, Vudu, që i ngjante Zonjës së Parë, Helen Herron Taft. Edhe Neil Bush, djali i George HW Bush dhe vëllai i George W.Bush, ka një histori të trazuar.

Neil ishte drejtor i një banke të madhe kursimesh dhe kredie që falimentoi në vitin 1988, pasi kishte dhënë kredi me probleme dhe të paligjshme. Kjo u kushtoi taksapaguesve më shumë se 1 miliard dollarë në atë kohë, dhe i detyroi rregullatorët federalë të kompensonin klientët.

Njerëzit e kritikuan Neil për shkak të lidhjeve të tij me investitorët kinezë dhe për njohuritë të tij të kufizuara mbi industritë që e punësuan atë, duke çuar në akuza për shitje të ndikimit. Neil Bush, ashtu si Hunter Biden, ishte subjekt edhe i akuzave për atësinë e një fëmije gjatë divorcit të tij.

Vëllezërit e presidentëve kanë qenë një tjetër pikë e errët e veçantë për disa presidentë. Kështu  vëllai i Lyndon Johnson, Sam Houston Johnson, ishte mjaft shumë llafazan pasi pinte çdo ditë. Presidenti u detyrua të përdorte shërbimin sekret për të ndjekur në çdo moment vëllain e tij, për t’u siguruar që ai të mos zbulonte për mediat ndonjë informacion delikat.

Billy Carter, vëllai i ish-presidentit Jimmy Carter, kënaqej me famën e tij. Si vëllai i presidentit, ai vizitonte shumë vende për të fituar para dhe për të krijuar Billy Beer-in. Ai urinoi publikisht përpara gazetarëve ndërsa priste njerëzit në barin e tij. Kur Carter po konkurronte për t’u rizgjedhur në vitin 1980, Billy mori para nga qeveria libiane dhe u bë një agjent i huaj për këtë vend.

Dhe për ta justifikuar sjelljen e tij, ai bëri deklarata shumë të ashpra kundër hebrenjve. Lidhja e Billy-t me Libinë, çoi në një hetim të Senatit dhe e dëmtoi fushatën e vëllait të tij. Edhe Roger Clinton, gjysmë-vëllai më i ri i ish-presidentit Bill Clinton, u angazhua në aktivitete të dyshimta.

Në vitet 1980, pak para presidencës së Clinton, Roger i shiti kokainë një agjenti sekret. Më vonë, gjatë administratës së vëllait të tij, emri i koduar që shërbimit sekret i kishte vënë Roger ishte “Dhimbje koke”. Bill Clinton e fali Roger për veprat e tij penale të lidhura me drogën, para se të largohej nga detyra në janarin e vitit 2001.

Presidentët janë tek e fundit njerëz si gjithë të tjerët. Edhe ata kanë anëtarë të familjes që bëjnë ose thonë gjëra që në fund shndërrohen në histori, që rrëfehen në tryezën gjatë darkës apo në përralla që njerëzit duan t’i fshehin. Amy Carter u arrestua për protesta në vitin 1985.

Dhe përpara se babai i tij të bëhej president, Donald Trump Jr u ​​arrestua për dehje në publik në vitin 2001.

Hunter Biden mund të vuajë potencialisht një dënim maksimal prej 25 vitesh burg për këtë krim. Edhe pse kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë, pasi ai është një shkelës për herë të parë. Ndërkohë, mund të përballet me një gjobë prej 750.000 dollarësh. Dhe nuk është ende i lirë nga akuzat e tjera.

Kongresi i kontrolluar nga republikanët, po e fokuson hetimin e tij në shkarkimin e Joe Biden, për shkak të konfliktit të interesit në marrëveshjet e biznesit që ka firmosur Hunter në disa vende të huaja. Megjithatë, republikanët  - të cilët e cilësuan vendimin ndaj Hunter si provë të shkeljeve shumë më të mëdha të ligjit nga familjen Biden - nuk kanë gjetur ende prova që të nxisin fillimin e procedurës së fajësimit (impeachment).

Hunter Biden, ka thënë se ai është përgjegjës për veprimet e tij, dhe unë nuk mendoj se është e drejtë të ngatërrohet administrata me aktivitetet e një djali të rritur. Ai nuk është i afërmi i parë presidencial që ka shkaktuar trazira, dhe nuk do të jetë as i fundit./Përshtati "Pamfleti", nga “The Conversation”

alice roosevelt hunter biden presidentët e amerikës

Lini një Përgjigje