TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Prill 2024, 12:30

Si krimi i organizuar kinez po e dominon tregun ilegal të drogës në SHBA

Shkruar nga Pamfleti

Si krimi i organizuar kinez po e dominon tregun ilegal të drogës

Midis viktimave nga përplasje janë mijëra emigrantë kinezë, shumë prej tyre të futur ilegalisht kufirit meksikan për të punuar në kushte shpesh abuzive në fermat e rrethuara nga gardhe, kamera vëzhgimi dhe roje të pajisur më armë zjarri dhe hanxharë.

Në pamje të parë, ngjante si një vend i pamundur për një përballje midis gangsterëve kinezë:një fermë kanabisi në kontenë Kingfisher shtetin e Oklahomës. Një të dielë në mbrëmje në fund të nëntorit 2022, një makinë Toyota Corolla ngjyrë blu përshkoi me shpejtësi një rrugë me baltë dhe zhavorr, teksa anash kishte livadhe me bar dhe kolona turbinash gjigante me erë që rrotulloheshin.

Mjeti hyri në rrugën që të çonte në një kompleks prej 10 hektarësh të mbushur me disa kasolle rrethore dhe serra. Ai ndaloi para një garazhi të madh të shkëputur nga pjesa tjetër e fermës. Shoferi Chen Wu doli nga makina me një pistoletë 9 mm në dorë. Tullac dhe muskuloz, ai kishte punuar në fermë dhe kishte investuar në operacionin e paligjshëm të marijuanës.

Brenda në garazh u ndesh me 5 burra dhe 1 grua që ishin të punësuar aty. Ashtu si ai, edhe ata ishin emigrantë nga Kina. Grumbujt e gjetheve të kanabisit zinin gjithë ambientin që ndriçohej fort. Wu i drejtoi armën He Qiang Chen, një ish-i dënuar 56-vjeçar i njohur në fermë ne nofkën “Bosi”.

Chen ishte në pritje të gjyqit për rrahjen dhe plagosjen me armë të një burri 2 vjet më parë në një qendër komunitare kineze në Oklahoma City. Para se Chen të lëviste, WËu e qëlloi në gjurin e djathtë. “Bosi” u rrëzua dysheme, duke u përpëlitur nga dhimbja. Wu i detyroi të tjerët të mos lëviznin.

Ai u tha se Chen i kishte borxh 300.000 dollarë, dhe se ata kishin vetëm gjysmë ore kohë që t’ia gjenin dhe jepnin këtë shumë. Nëse nuk e bënin, do t’i vriste të gjithë. Sulmuesi dhe viktima e tij ishin nga Fujian, një provincë kineze bregdetare e njohur për mafiozët, emigracionin dhe korrupsionin.

Ata migruan në SHBA dhe iu bashkuan një grupi lojtarësh të rinj në botën e krimit, që nxituan të përfitonin nga bumi i biznesit miliarda dollarësh të kanabisit. Këta mafiozë kinezë bredhin nga një shtet në tjetrin, duke grumbulluar drogë dhe para. Ngjarja në fjalë, la të vdekur 4 persona dhe zbuloi një botë të krimit ndërkombëtar me dimensione të rrezikshme. Masakra në Kingfisher bëri bujë në mediat amerikane, duke e theksuar rolin e Oklahomas si kufiri më i fundit dhe më i egër në botën e trafikut të kanabisit. Nga Kalifornia në Mein, krimi i organizuar kinez po dominon pjesën më të madhe të tregtisë së paligjshme të marijuanës në vend.

Në këtë përfundim ka arritur një investigim i portaleve “ProPublica” dhe “The Frontier”. Krahas rritjes së madhe të kësaj industrie kriminale, gangsterët e kanë zgjeruar fushën e tyre të veprimit:dhunë, trafik droge, pastrim parash, lojëra fati, ryshfete, falsifikime dokumentesh, mashtrime bankare, dëmtim i mjedisit dhe vjedhjen e ujit dhe energjisë elektrike.

“Krimi i organizuar kinez, e ka uzurpuar trafikun e kanabisit të përgjithshëm në Oklahoma por edhe në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara”- tha në një intervistë të kohëve të fundit Donnie Anderson, drejtori i Byrosë së Narkotikëve dhe Drogave të Rrezikshme në Oklahoma.

Midis viktimave nga përplasje janë mijëra emigrantë kinezë, shumë prej tyre të futur ilegalisht kufirit meksikan për të punuar në kushte shpesh abuzive në fermat e rrethuara nga gardhe, kamera vëzhgimi dhe roje të pajisur më armë zjarri dhe hanxharë. Po ashtu, trafikantët i detyrojnë gratë emigrante kineze të prostituojnë.

Mafiozët operojnë në kuadër të një organizate të mbikëqyrur nga Nju Jorku nga mafiozët me origjinë nga Kinën Jugore. Të njohura si “triada” për shkak të një embleme të përdorur shumë kohë më parë nga shoqëritë sekrete, këto grupe kriminale kanë pushtet në Kinë dhe në të gjithë diasporën, dhe dyshohet se janë në një aleancë të ngushtë me shtetin kinez.

Në vitin 2018, mafiozët u fokusuan tek Oklahoma, kur votuesit e këtij shtetit miratuan legalizimin e kultivimit dhe shitjes së marijuanës për qëllime mjekësore. Ligji nuk e kufizonte numrin e shpërndarësve apo operacioneve. Ai vetëm kërkon që bizneset e marijuanës të kenë pronarë të shumtë, që kanë jetuar në këtë shtet për 2 vitet e fundit dhe e ndalon dërgimin e produktit në shtete të tjera.

Por zbatimi i kufizuar i ligjit, u dha mundësi investitorëve jashtë shtetit që të rekrutonin pronarët të paligjshëm dhe të trafikonin kanabisin në mënyrë klandestine në mbarë SHBA-në. Toka ishte e lirë. Nën këtë atmosferë, industria u rrit me shpejtësi marramendëse, dhe tani është e dyta në këtë shtet pas industrisë së naftës dhe gazit.

Edhe pse çmimet luhaten dhe llogaritja e vlerës në tregun e zi është komplekse, zyrtarët vlerësojnë se vlera e marijuanës së paligjshme të rritur në këtë shtet është midis 18- 44 miliardë dollarë në vit. Hetuesit kanë zbuluar lidhje midis mafieve të huaja dhe mbi 3.000 raste të kultivimit të paligjshëm.

Dhe më shumë se 80 për qind e grupeve kriminale janë me origjinë kineze. Ndërkohë reagimi nga autoritetet federale ka qenë i dobët. Me përhapjen e legalizimit dhe dekriminalizimit të kanabisit, lufta ndaj kësaj droge është shndërruar në një prioritet dytësor për Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së.

“Sfida që po hasim është mungesa e interesit nga prokurorët federalë për të ndjekur rastet e paligjshme të marijuanës”- thotë Ray Donovan, ish-shefi i operacioneve të DEA-s. “Ata nuk i kuptojnë të gjitha pasojat. Marijuana po shkakton shumë krime në nivel lokal, në veçanti dhunën me armë. Të njëjtat grupe që shesin mijëra dollarë kanabis, po pastrojnë gjithashtu miliona dollarë para të fituara nga droga shumë e fuqishme fentanil”- thekson ai.

Zgjerimi në tregun e kanabisit, po e forcon krimin e organizuar kinez në nivel global, thonë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare. Gjatë dekadës së fundit,  mafiet kineze u bënë pastrueset më të rëndësishme të parave për kartelet e Amerikës Latine që merren me trafikun e narkotikëve, përfshirë fentanilin, i cili ka vrarë qindra mijëra amerikanë.

Rrjedha e madhe e të ardhurave nga kanabisi e forcon këtë aparat pastrimi, i cili është “rrjeti më i gjerë bankar ilegal në botë”- thotë ish-zyrtar i lartë i DEA, Donald Im. “Fitimet nga tregtia e marijuanës, i japin mundësi rrjeteve të organizuara kriminale kineze të zgjerojnë sistemin e tyre bankar global të nëndheshëm për kartelet dhe organizatat e tjera kriminale”- vijon më tej Im.

Dhe në to ndihet hija e shtetit kinez. Siç ka raportuar shpesh ProPublica , regjimi autoritar dhe mafia dyshohet se kanë një aleancë midis tyre, nga e cila përfitojnë të dyja palët. Në këmbim të mbrojtjes së qeverisë, mafiozët kinezë ofrojnë shërbime të ndryshme, si lëvizja e paligjshme e parave jashtë shtetit për elitën e Partisë Komuniste, dhe ndihma për të spiunuar dhe frikësuar komunitetet e emigrantëve kinezë.

Në shkurt të këtij viti, 50 ligjvënës amerikanë shkruan një letër drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland, duke shprehur shqetësimin se shtetasit kinezë “përfshirë ata me lidhje të mundshme me Partinë Komuniste Kineze”, po drejtojnë mijëra ferma të paligjshme të marijuanës në të gjithë vendin. /Përshtati 'Pamfleti', marrë me shkurtime nga “Eurarsia Riview”

krimi i organizuar kine shba treg kanabisi

Lini një Përgjigje