Udhëheqësja e partisë kundër migracionit Alternativa für Deutschland (AfD), Alice Weidel, pyeti në X: “Kur do të përfundojë kjo marrëzi?”. Aktualisht AfD është duke u renditur lart në sondazhe...
Mbi 200 persona u plagosën dhe të paktën 5 humbën jetën, kur një burrë përplasi makinën e tij me turmën e madhe të njerëzve në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman Magdeburg. Në mesin e atyre që u vranë pa dallim, ishte edhe një fëmijë i vogël.
Ashtu si shumë gjermanë, ndjeva një zemërim të madh kur dëgjova mbi këtë ngjarje të tmerrshme. Sepse më riktheu menjëherë tek kujtimet e hidhura të sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Berlin në vitin 2016, ku u vranë 13 njerëz dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Atë ditë motra ime punonte shumë afër vendit të ngjarjes. Më kujtohet që i shkrova “A je mirë?” me duart që më dridheshin dhe duke pritur për minuta në ankth përgjigjen e saj. Ishte një fat i madh që ajo dhe kolegët e saj, kishin vendosur të mos shkonin atë ditë në tregun e Krishtlindjeve.
Ajo ngjarje e tronditi shumë Gjermaninë. Në atë kohë, autori ishte një azilkërkues i pasuksesshëm nga Tunizia, që kishte hyrë në Gjermani gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015. ISIS mori përgjegjësinë për sulmin. Horst Seehofer, kryeministër i shtetit të Bavarisë në atë kohë dhe një kritik i fortë i vendimit të kancelares Angela Merkel për të lejuar hyrjen e rreth 1 milion azilkërkuesve kryesisht të pakontrolluar, kërkoi një rishikim të politikës së emigracionit. Sondazhet treguan se shumica e popullsisë ishte dakord. Sulmi i Magdenburgut ishte ndryshe. Autori i dyshuar është një 50-vjeçar nga Arabia Saudite, i cili kishte fituar të drejtën e azilit dhe punonte si psikiatër në një spital gjerman. Në mediat sociale dhe intervista të ndryshme, përfshirë të përditshmen e mirënjohur Frankfurter Allgemeine Zeitung, ai paraqitej si “kritiku më agresiv i Islamit në histori”.
Duke pasur parasysh postimet kaotike por dhe agresive në llogarinë e tij në platformën X, në të cilat ai pretendon se Gjermania po synon të “islamizojë Evropën”, motivi i tij duket të jetë kompleks. Por kjo nuk do ta zbehë ndikimin e këtij sulmi në Gjermani.
Kryetarja e bashkisë së Magdeburgut, Simone Borris, shpërtheu në lot kur deklaroi para gazetarëve: “Nuk mund ta imagjinoja që qyteti i Magdeburgut të prekej nga një incident i tillë. Pra se sa pranë nesh është terrorizmi!”. Kështu do të ndihen shumë gjermanë. Magdeburgu nuk është Berlini.
Sulmi mund të kishte ndodhur kudo, në çdo treg Krishtlindjesh në të gjithë vendin. Pavarësisht nga motivet specifike të autorit, efekti psikologjik i këtij akti terrorist do të jetë i madh. Tregjet e Krishtlindjeve janë institucione të rëndësishme kulturore dhe sociale në Gjermani. Ato vizitohen çdo vit nga miliona njerëz.
Një sulm ndaj tyre, perceptohet si personal nga cilido që ka shkuar ndonjëherë atje, sepse mund të kishin qenë dhe ata në vendin dhe kohën e gabuar. Në vitin 2016, vetëm 11 për qind e njerëzve u shprehën në një sondazh se do të shmangnin tregjet e Krishtlindjeve. Por kur vizitova një treg të tillë në Berlin disa ditë pas sulmit, pashë një atmosferë të zymtë. Disa tezga ishin hequr. Në shesh patrullonin policë të armatosur rëndë që shihnin me dyshim çdo vizitor.
Nuk kisha parë asnjëherë një treg Krishtlindjesh aq pa njerëz dhe gëzim. Këtë vit, kisha planifikuar të vizitoja me familjen dhe miqtë disa tregje krishtlindjesh. Tani po pyes secilin prej tyre nëse janë ende gati që të shkojnë. Shumica e njerëzve, do të pyesin tani veten nëse një për një gotë verë me miqtë, ia vlen të rrezikohet jeta e tyre dhe e familjes.
Dhe emocione të tilla të forta, do të kenë në mënyrë të pashmangshme edhe një ndikim politik. Heiko Teggatz, kryetar i sindikatës së policisë federale, deklaroi për të përditshmen gjermane Die Welt: “Ka ardhur koha t’i jepet fund politikës liberale të migracionit. Gjermania po kthehet gjithnjë e më shumë në një fushë të hapur për njerëz të tillë të çmendur!”.
Udhëheqësja e partisë kundër migracionit Alternativa für Deutschland (AfD), Alice Weidel, pyeti në X: “Kur do të përfundojë kjo marrëzi?”. Aktualisht AfD është duke u renditur lart në sondazhe. Gati 20 për qind e gjermanëve duket, se është gati të votojë për të, duke e pozicionuar të dytën pas konservatorëve të CDU/CSU-së, të cilët po premtojnë gjithashtu ndryshim të politikës ndaj migracionit dhe azilit përpara zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit 2025.
Sulmi i Magdenburgut do të ndikojë ndjeshëm mbi fushatën zgjedhore. Çështja e migracionit dhe azilit renditet vazhdimisht në sondazhe, si ndër shqetësimet kryesore të votuesve gjermanë. Por ndikimi ka të ngjarë që shtrihet përtej Gjermanisë. Pasi mbështeti publikisht AfD-në ditët e fundit, Elon Musk ndërhyri menjëherë në debatin politik, duke e quajtur një “budalla të paaftë” kancelarin Olaf Scholz, që sipas tij “duhet të japë menjëherë dorëheqjen“.
Politikanët gjermanë duhet të reflektojnë me kujdes mbi një çështje që e kanë lënë për shumë kohë pas dore. Ata do të dështojnë nëse diskutimet mbi sulmin në Magdenburg do të përqëndrohen sërish rreth masave të reja të sigurisë, siç ndodhi pas sulmit me thikë në Solingen, kur politikanët debatuan mbi gjatësinë e tehut të thikave, që mund të mbajnë njerëzit me vete në ambiente publike.
Partitë kryesore, duhet të fillojnë të përballen me pasojat serioze mbi sigurinë të një sistemi të mbingarkuar dhe jo në gjendje për të menaxhuar numrin e madh të atyre që kërkojnë azil në Gjermani. Aktualisht numri i tyre është 3.5 milionë, ose 4 për qind e popullsisë. Nëse ky debat nuk merret seriozisht nga rryma kryesore politike, AfD-ja do të ruajë monopolin e saj mbi zhgënjimet e njerëzve./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”
Shënim: Katja Hoyer është një historiane anglo-gjermane.
Lini një Përgjigje