
Policia indiane dyshime për sulm terrorist...
Një shpërthim i fuqishëm tronditi mbrëmjen e së hënës kryeqytetin indian, Nju Delhi, duke shkaktuar të paktën 13 viktima dhe mbi 20 të plagosur pranë monumentit historik Red Fort, një nga atraksionet më të vizituara të Indisë.
Sipas autoriteteve, shpërthimi ndodhi rreth orës 18:52 me orën lokale (13:22 GMT), kur një automjet që po lëvizte ngadalë ndaloi në një semafor dhe shpërtheu papritur, duke përfshirë automjete të tjera përreth dhe duke krijuar një skenë shkatërrimi të plotë.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë makina të përfshira nga flakët dhe fragmente metali të shpërndara në rrugë. Dëshmitarët flasin për “një shpërthim të frikshëm që tronditi gjithë zonën”, ndërsa shërbimet e emergjencës mbërritën pas disa minutash për të evakuuar të plagosurit.
Hetime të nivelit të lartë dhe rrezik terrorizmi
Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, po drejton një mbledhje urgjente të sigurisë me drejtues të policisë dhe agjencive të inteligjencës për të analizuar situatën. Burime të sigurisë thonë se autoritetet po “shqyrtojnë të gjitha mundësitë”, përfshirë pistën e një sulmi terrorist.
Edhe pse ende nuk është gjetur ndonjë fragment eksplozivi apo shrapneli, policia ka regjistruar çështje nën Ligjin kundër Veprimtarive të Paligjshme (UAPA) dhe Ligjin për Lëndët Plasëse, duke sinjalizuar se ngjarja po trajtohet me seriozitetin maksimal.

Zyrtari i policisë së Delhit, Raja Banthia, tha se “nuk ka ende prova për natyrën e saktë të shpërthimit”, ndërsa ekipi i hetuesve ka izoluar zonën dhe po analizojnë mbetjet e automjetit për gjurmë kimike.
Masa emergjente në kryeqytet
Red Fort, monument i shekullit të XVII-të që vizitohet nga mijëra turistë çdo ditë, do të qëndrojë i mbyllur për tre ditë. Qarkullimi rrugor në pjesën qendrore të Delhit është kufizuar dhe siguria është forcuar në të gjitha zonat strategjike të kryeqytetit, përfshirë ambasadat, stacionet e metrosë dhe aeroportin ndërkombëtar.

Ministri Shah u bëri thirrje qytetarëve “të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e dezinformimit”, ndërsa paralajmëroi se “ata që qëndrojnë pas këtij akti do të përballen me ndëshkim të ashpër”.
Një plagë që zgjon kujtime të errëta
Shpërthimi pranë Red Fort rikthen frikën e sulmeve terroriste që kanë goditur Indinë në të kaluarën. Në vitin 2000, një tjetër sulm me armë ndodhi në të njëjtën zonë, duke vrarë disa persona. Kësaj here, shkalla e dëmit dhe momenti, në një zonë simbolike për historinë dhe identitetin indian, e kanë tronditur thellë opinionin publik.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa forcat e rendit po kërkojnë përfshirjen e ndonjë rrjeti të brendshëm apo të huaj.

Policia pretendon se shpërthimi në Delhi lidhet me shkatërrimin e një “moduli terroristësh transnacional dhe ndërshtetëror” dhe sekuestrimin e supozuar të një sasie të madhe materialesh shpërthyese në një qytet aty pranë të quajtur Faridabad, disa orë para shpërthimit.
Faridabad, një zonë industriale në shtetin fqinj Haryana, ndodhet vetëm 30 km (18 milje) nga zona në Delhi ku ndodhi shpërthimi i së hënës.
Sipas gazetës Indian Express, policia e Kashmirit të administruar nga India kishte arrestuar dy mjekë kashmirianë nga Faridabad dhe distrikti Saharanpur i shtetit Uttar Pradesh për lidhje të dyshuara me Jaish-e-Mohammad, një grup i armatosur me bazë në Pakistan, anëtarët e të cilit kanë luftuar kundër forcave indiane në Kashmir për dekada të tëra. /Pamfleti
Lini një Përgjigje