
8 senatorë demokratë bashkojnë votat me Republikanët për t’i dhënë fund krizës...
Një grup i vogël senatorësh demokratë u bashkua me republikanët të hënën në mbrëmje për të miratuar një masë financimi që do të rihapë qeverinë federale, pa arritur kërkesën kryesore të partisë së tyre për të garantuar zgjatjen e subvencioneve të përforcuara të Ligjit për Kujdesin e Përballueshëm (Affordable Care Act), që ndihmojnë miliona amerikanë të përballojnë sigurimet shëndetësore.
Kompromisi financiar do t’i kalojë tani Dhomës së Përfaqësuesve, ku drejtuesit republikanë shpresojnë ta votojnë deri të mërkurën dhe t’i japin fund mbylljes më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Marrëveshja, e arritur fundjavën e kaluar dhe që pritet të nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, do të rikthejë shërbimet thelbësore si ndihma ushqimore federale dhe do të paguajë qindra mijëra punonjës federalë.
Tetë senatorë demokratë kaluan në krahun republikan duke siguruar miratimin me 60 vota pro dhe 40 kundër. I vetmi republikan që votoi kundër ishte senatori Rand Paul nga Kentucky.
Mbyllja e gjatë e qeverisë ka qenë politikisht e dhimbshme në Uashington, ku republikanët janë fajësuar gjerësisht në sondazhe për krizën financiare. Marrëveshja, e iniciuar nga demokratët centristë në Senat, ka ndezur debate të forta brenda partisë për strategjinë dhe drejtimin e saj pas 41 ditësh bllokadë.
Shumica e demokratëve ishin të vendosur të vazhdonin luftën, ndërsa krahët qendrorë të partisë pranuan se, me Trump të palëkundur, nuk kishte gjasa të fitonin ndonjë përfitim të rëndësishëm politik në fushën e kujdesit shëndetësor. Në vend të kësaj, ata siguruan një premtim për një votim të ardhshëm mbi një projektligj shëndetësor sipas propozimit së tyre, për të cilin shpresojnë të sigurojnë mbështetje nga republikanët. Megjithatë, fati i atij projektligji në Senat e aq më pak në Dhomën e Përfaqësuesve mbetet i pasigurt.
Votimi i së hënës në mbrëmje përmbylli disa ditë negociatash intensive brenda Kongresit amerikan, me bisedime të qeta mes senatorëve të qendrës, drejtuesve republikanë dhe Shtëpisë së Bardhë gjatë fundjavës, përpara se marrëveshja të bëhej publike të dielën. Tetë senatorët demokratë që hodhën hapin e parë të mbështetjes të dielën, dhanë miratimin përfundimtar një ditë më vonë.
Ata janë: Dick Durbin, Maggie Hassan, Tim Kaine, Jeanne Shaheen, Catherine Cortez Masto, John Fetterman, Jacky Rosen dhe Angus King (i pavarur që bashkëpunon me demokratët).
Ndërkohë, kreu i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, është përballur me kritika të ashpra nga krahu i majtë i partisë për lejimin e këtij kompromisi pa asnjë fitore konkrete mbi subvencionet e Ligjit për Kujdesin e Përballueshëm, të cilat së shpejti do të skadojnë dhe do të rrisin kostot e sigurimeve për miliona qytetarë.
Shumë demokratë në të dy dhomat e Kongresit besojnë se beteja do të përsëritet më 30 janar, kur do të skadojë paketa e ardhshme e financimit. Megjithatë, paketa aktuale përfshin fonde për disa agjenci kyçe, përfshirë ato që administrojnë ndihmën ushqimore federale, programet e ushqimit për gratë dhe fëmijët (WIC), si dhe programet për veteranët, deri në fund të vitit fiskal 2026.
Tani, vëmendja është përqendruar te Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dhe ligjvënësit që po kthehen në Uashington pas pushimeve në distriktet e tyre. Dhoma pritet të votojë projektligjin për rihapjen e qeverisë të mërkurën, rreth orës 16:00, sipas një njoftimi nga zëvendëskryetari i shumicës, Tom Emmer.
Johnson, për të kaluar paketën përmes një shumice të ndarë, ka gjasa të kërkojë ndihmën e presidentit. Por në një shenjë optimiste, Trump deklaroi për CNN se “po, unë e mbështes këtë marrëveshje”.
“Bazuar në gjithçka që po dëgjoj asgjë s’është ndryshuar, kemi mbështetje të mjaftueshme nga demokratët dhe do ta rihapim vendin shumë shpejt. Është për të ardhur keq që u mbyll, por Amerika do të hapet sërish”, tha Trump. /Pamfleti
Lini një Përgjigje