TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Gusht 2025, 08:53

SHBA-Venezuelë prag lufte, Maduro sulmon Trump: Vendosja e trupave amerikane në Karaibe është kriminale!

Shkruar nga Pamfleti
SHBA-Venezuelë prag lufte, Maduro sulmon Trump: Vendosja e trupave
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro dhe homologu amerikan Donald Trump

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka deklaruar se shpallja e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e trupave në Karaibe është pjesë e një plani që ai e cilësoi “të pamoralshëm, kriminal dhe të paligjshëm”.

“Ajo që kërcënojnë se do të bëjnë kundër Venezuelës, ndryshimi i regjimit, një sulm ushtarak terrorist, është e pamoralshme, kriminale dhe e paligjshme,” tha Maduro në parlamentin e vendit të Amerikës Latine.

Sipas tij, çdo kërcënim ndaj një vendi të Amerikës Latine është një kërcënim për të gjithë rajonin: “Kur dikush sulmon një vend të Amerikës Latine, sulmon të gjitha vendet. Kur kërcënon një vend, kërcënon të gjithë rajonin.”

Qeveria e presidentit amerikan Donald Trump kishte shpallur pak ditë më parë një operacion kundër “trafikut të drogës” në Karaibe, me përfshirjen e forcave detare, ajrore dhe tokësore.

Mediat amerikane raportojnë se pritet të dislokohen tre anije amfibie me helikopterë, tre shkatërrues të pajisur me raketa dhe sistemin Aegis, të paktën një nëndetëse dhe deri në 4.000 marinsa pranë brigjeve të Venezuelës.

Në fillim të muajit, Uashingtoni dyfishoi në 50 milionë dollarë shpërblimin për informacione që mund të çonin në arrestimin e presidentit venezuelas, i akuzuar nga SHBA për “trafik droge”.

Maduro bëri thirrje për unitet kombëtar: “Është koha të tregojmë guxim, të bashkojmë përpjekjet, të flasim me një zë, zërin e së vërtetës, të atdheut, të së drejtës sonë për paqe, zhvillim dhe harmoni.”

Dy ditë më parë, ai u bëri thirrje forcave të rojes kombëtare, rezervistëve dhe “të gjithë popullit” për mobilizim gjatë fundjavës, për t’iu kundërvënë kërcënimeve të SHBA-ve.

Paralelisht, Maduro njoftoi se ka aktivizuar një plan të posaçëm që parashikon vendosjen e 4.5 milionë rojesh kombëtare në të gjithë territorin e Venezuelës.

Kjo strukturë, e cila zyrtarisht numëron 5 milionë anëtarë, ndonëse ekspertët mendojnë se janë më pak, përbëhet nga qytetarë civilë, mbështetës të ideologjisë së ish-presidentit Hugo Chávez, trashëgimtar politik i të cilit paraqitet Maduro.

Shtetet e Bashkuara nuk e njohin rezultatin e dy zgjedhjeve të fundit presidenciale në Venezuelë dhe e akuzojnë Maduron si udhëheqës të “Cártel de los Soles”, një organizatë kriminale në të cilën, sipas tyre, janë të përfshirë edhe ministra e gjeneralë të ushtrisë venezuelase. Karakasi zyrtar mohon ekzistencën e një karteli të tillë.

 

shba-venezuelë prag lufte

Lini një Përgjigje