TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Gusht 2025, 20:27

SHBA po rrëshqet drejt një regjimi të plotë autoritar!

Shkruar nga Jonathan Freedland
SHBA po rrëshqet drejt një regjimi të plotë autoritar!
Punëtorët varin një post Donald Trump në fasadën e selisë së Departamentit të Punës në Uashington

Nga dërgimi i trupave në qytetet e drejtuara nga demokratët, tek manipulimi i institucioneve federale, ish-presidenti po përqendron pushtetin si asnjëherë më parë..

Po të ndodhnin këto zhvillime në Amerikën Latine, raportimet ndërkombëtare do të flisnin për një president që pasi ka siguruar kontrollin mbi kryeqytetin, dërgon trupa në qytete të tjera të kontrolluara nga opozita me pretekstin e rikthimit të rendit. Do të përmendej edhe fakti që shërbimet e sigurisë arrestojnë kundërshtarët politikë, ndërsa njerëz të armatosur e të maskuar rrëmbejnë qytetarë nga rrugët.

Por këto nuk po ndodhin në ndonjë regjim të huaj, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Donald Trump, me hapa të qëndrueshëm drejt një stili autoritar, po e normalizon përqendrimin e pushtetit. Shumë e minimizojnë rrezikun, duke shmangur gjuhën alarmante, ndërkohë që veprimet e tij janë aq të paturpshme, sa shpesh perceptohen si të pabesueshme, sikur të mos përfaqësonin një kërcënim real.

Faktet janë të pamohueshme. Sot, mbi 2 mijë trupa të Gardës Kombëtare patrullojnë rrugët e Uashingtonit, megjithëse niveli i krimit të dhunshëm ishte në minimumin 30-vjeçar. Trump paralajmëron se radhën e kanë Çikago e Baltimora, ndërsa në qershor dërgoi Garda Kombëtare dhe marinsat në Los Anxhelos për të shtypur protestat kundër politikave të tij të emigracionit, duke i quajtur ato “kryengritje”. Qytetet e shënjestruara janë kryesisht bastione demokrate dhe me popullsi të mëdha afrikano-amerikane, pra potencialisht qendra rezistence ndaj sundimit të tij.

Në thelb, logjika që e udhëheq është kontrolli total. Trump ka shpallur luftë ndaj mediave, gjykatave, universiteteve dhe burokracisë federale. Javën e kaluar, agjentët e FBI-së bastisën banesën dhe zyrën e John Bolton, ish-këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare dhe një kritik të ashpër. Po ashtu, ai ka shënjestruar ish-guvernatorin Chris Christie. Trump ka tentuar edhe të largojë anëtaren e bordit të Rezervës Federale, Lisa Cook, me akuza të pabazuara, një hap që sfidon ligjin amerikan dhe traditën e pavarësisë së bankës qendrore. Në thelb, ai po përdor institucionet shtetërore për të ndjekur kundërshtarët politikë.

Objektivi është i qartë: forcimi i pushtetit personal. Përballë sondazheve në rënie për ekonominë, Trump synon të marrë vetë kontrollin e normave të interesit, duke anashkaluar Fed-in. Mbështetës si JD Vance justifikojnë këtë me argumentin se presidenti mishëron vullnetin e popullit, pra çdo autoritet duhet të përqendrohet tek ai. Ky është thelbi i autoritarizmit.

Një pengesë serioze për Trump do të ishte fitorja e demokratëve në zgjedhjet e vitit 2026 për Kongresin. Pikërisht për këtë arsye republikanët në Teksas, me urdhër të tij, kanë redaktuar kufijtë elektoralë duke i dhuruar vetes pesë vende të sigurta në Dhomën e Përfaqësuesve. Trump kërkon që ky model të shtrihet edhe në shtete të tjera. Paralelisht, ai ka shpallur luftë ndaj votimit me postë dhe ka kërkuar një regjistrim të ri popullsie që përjashton emigrantët pa dokumente, duke krijuar terrenin për të mohuar çdo fitore të mundshme demokrate.

Edhe retorika është shenjë e qartë e rrugës ku po shkon vendi. Këshilltarët e tij flasin hapur për delegjitimimin e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë “organizatë ekstremiste të brendshme”. Trump po ndërmerr hapa që shkojnë nga planet për parada ushtarake në nder të tij, deri te largimi i zyrtarëve shëndetësorë që nuk ndjekin vijën politike të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo është Amerika e sotme, e cila, sipas shumë analistëve, po shndërrohet në një regjim të ngjashëm me atë të Hungarisë së Viktor Orbanit. Problemi më i madh është se si brenda vendit, ashtu edhe jashtë, pak e thonë hapur. Aleatët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe Britaninë e Madhe, vazhdojnë të veprojnë sikur gjithçka është normale, për të mos pranuar faktin se bota mund të përballet me një SHBA që po shkon drejt autokracisë.

Por faktet nuk mund të fshihen pafundësisht. Ajo që mendohej e pamundur, po ndodh. Dhe po ndodh në Amerikë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”

Lini një Përgjigje