Administrata e Donald Trump nuk e konsideron si legjitime caktimin e zv.Presidentes së Venezuelës në rolin e kryetares së përkohshme të shtetit, pas arrestimit nga forcat amerikane të Nicola Maduros.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi sot se Presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez nuk është "presidente legjitime e Venezuelës" dhe Shtetet e Bashkuara nuk e konsiderojnë regjimin aktual legjitim.
Në një nga intervistat e tij televizive, Rubio shpjegoi se e kupton që ka njerëz në Venezuelë sot "që në të vërtetë mund të sjellin ndryshime". Por ai sqaroi se kjo është e ndryshme nga njohja e legjitimitetit të qeverisë venezueliane, e cila do të vijë nga një periudhë tranzicioni dhe një zgjedhje.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha të dielën se disa agjenci amerikane, përfshirë Departamentin e Shtetit, Pentagonin dhe Departamentin e Drejtësisë (DOJ), do të përfshihen në drejtimin e Venezuelës për momentin.
“Kjo është një përpjekje ekipore nga i gjithë aparati i sigurisë kombëtare të vendit tonë. Por ai po e zbaton këtë politikë. Dhe qëllimi i politikës është të shohë ndryshime në Venezuelë që janë të dobishme për Shtetet e Bashkuara para së gjithash”, i tha Rubio prezantueses Kristen Welker në emisionin “Meet the Press” të NBC-së.
Ndërkaq, zv.presidenti J.D Vance ka folur edhe për naftën. "Shoh shumë kritika për naftën. Rreth 20 vjet më parë, Venezuela shpronësoi pronat amerikane të naftës dhe i përdori ato deri vonë për t'u pasuruar dhe për të financuar aktivitetet e trafikut të drogës. E kuptoj ankthin për përdorimin e forcës ushtarake, por a duhet të lejojmë që një komunist të vjedhë asetet tona në hemisferën tonë pa bërë asgjë? Fuqitë e mëdha nuk e bëjnë këtë.", tha Vance, duke iu përgjigjur gjithashtu, në X, kritikave të atyre që pohojnë se operacioni në Venezuelë nuk ka të bëjë fare me drogën, sepse fentanili vjen nga diku tjetër.
Fentanili "nuk është e vetmja drogë në botë, dhe ekziston fentanili që vjen nga Venezuela. Kokaina është droga kryesore e trafikuar" nga vendi, theksoi Vance.
Lini një Përgjigje