
Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) ka njoftuar se do të ndryshojë rekomandimet zyrtare për vaksinimin e fëmijëve, duke propozuar një ulje të numrit të vaksinave të rekomanduara në mënyrë rutinë për fëmijët e shëndetshëm. Vendimi u bë i ditur të hënën nga zyrtarë të shëndetësisë.
Sipas autoriteteve amerikane, do të vazhdojnë të rekomandohen vaksinat bazë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), si dhe ato kundër poliomelitit, lisë së dhenve, HPV-së dhe disa vaksinave të tjera thelbësore. Megjithatë, rekomandimet për vaksinimet kundër virusit respirator sincicial (RSV), sëmundjes meningokokale, hepatitit B dhe hepatitit A do të kufizohen vetëm për fëmijët që konsiderohen me rrezik më të lartë për infeksion.
Ndërkohë, për vaksinat kundër gripit sezonal, COVID-19 dhe rotavirusit, HHS do të zbatojë qasjen e ashtuquajtur “vendimmarrje e përbashkët klinike”. Kjo do të thotë se vaksinimi nuk do të rekomandohet automatikisht për të gjithë fëmijët, por do të merret një vendim individual pas konsultimit mes prindërve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor.
Këto ndryshime propozohen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përballen me një rritje të ndjeshme të rasteve të gripit në nivel kombëtar. Sipas të dhënave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), deri më tani janë raportuar nëntë vdekje të fëmijëve si pasojë e gripit.
Departamenti i Shëndetësisë thekson se, pavarësisht ndryshimeve në rekomandime, të gjitha kompanitë e sigurimeve shëndetësore do të vazhdojnë të mbulojnë koston e këtyre vaksinave pa bashkëpagesë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se politika e re mund të krijojë pengesë shtesë për disa prindër, të cilët tashmë do të duhet të planifikojnë vizita shtesë te mjeku për të vendosur mbi vaksinimet që nuk rekomandohen më në mënyrë rutinë për fëmijët e shëndetshëm.
Sipas CNN, orari i ri i vaksinimit të fëmijëve në SHBA po afrohet më shumë me praktikat e ndjekura në disa vende të tjera të zhvilluara evropiane, si Danimarka. Ky vend, për shembull, nuk rekomandon vaksinime rutinë për fëmijët kundër rotavirusit, hepatitit A, meningjitit, gripit, varicelës apo virusit respirator sincicial (RSV).
Lini një Përgjigje