Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka reaguar për krizën politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke iu drejtuar presidentit të Republikës Srpska, entiteti serb në Bosnje Hercegovinë, Milorad Dodik se po minon institucionet shtetërore pas shpalljes non grata nga SHBA.
“Veprimet e presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, minojnë institucionet e Bosnjë-Hercegovinës dhe kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj”, ka shkruar Rubio në profilin e tij X.
Ai shtoi se SHBA-të inkurajojnë liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm.
“Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne në përballjen me këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, përfundoi Rubio.
Dodik, i cili u dënua me 1 vit burgim dhe gjashtë vjet me ndalim të veprimtarisë politike, në mbrëmjen e 5 marsit nënshkroi disa dekrete, me të cilat ndaloi veprimtarin e Gjykatës dhe Prokurorisë së BeH-së, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS), në Republikën Srpska.
Ndaj këtyre vendimeve, të enjten, reagoi ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë, duke shprehur shqetësim për një akt të tillë.
“Le të jemi të qartë , ky është një provokim i qëllimshëm i rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës dhe paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e BiH-së dhe qëllimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara”, shkroi ambasada amerikane në X.
Ambasada e SHBA-ve ka udhëzuar të gjithë krerët politikë, veçanërisht ata që qëndrojnë pas këtyre vendimeve, të përmbahen nga përfshirja në retorikë të mëtejshme destabilizuese dhe nxitëse.
Lini një Përgjigje