TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Shkurt 2024, 15:34

Rusia po e humbet luftën ekonomike, Perëndimin s’duhet ta lëshojnë nervat pikërisht tani

Shkruar nga Ambrose Evans-Pritchard
Rusia po e humbet luftën ekonomike, Perëndimin s’duhet ta
Vladimir Putin /

E vërteta është se ai nuk ka bërë një përparim të madh dhe askush nuk duhet të mashtrohet nga fantazitë e tij me PBB-në. Rusia po shkon në mënyrë të pashmangshme drejt rraskapitjes ekonomike. Do të ishte një gafë e madhe që Perëndimin ta lëshonin nervat pikërisht tani...

Rusia po bazohet sot tek një ekonomi lufte. Shpenzimet në mbrojtje në të gjitha format janë 3-fishuar që nga pushtimi i Ukrainës, dhe po i afrohen nivelit 8 për qind të PBB-së, ose afërsisht sa ishte në kohën e Bashkimit Sovjetik. Vlerësohet se rreth 800.000 rusë nga më të arsimuar janë larguar nga vendi.

300.000 të tjerë janë vrarë ose plagosur në front. Mobilizimi i rekrutëve vazhdon në një shoqëri që tashmë po përballet me një krizë demografike. Por alkimia e statistikave në dukje e ka kthyer Rusinë në “super-yllin” e Evropës. Fondi Monetar Ndërkombëtar flet për një rritje 3 për qind në vitin 2023 dhe parashikon një rritje 2.6 për qind në 2024-ën.

“Në dallim nga të tjerat ekonomia jonë po rritet dhe është bërë më e madhja në Evropë”-deklaroi së fundmi Vladimir Putin në forumin me temë “Gjithçka për fitoren” mbajtur në Tula. Kjo qëndrueshmëri në sipërfaqe ka ngatërruar shumë njerëz, duke shkaktuar një ndjenjë të përhapur dëshpërimi që u pa edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Në realitet, Putini po e humbet luftën ekonomike, dhe nuk po e fiton atë ushtarake aq shpejt sa për të kompensuar dëmet e të parës. Edhe rënia e Avdiivka në duart e rusëve nuk ndryshon asgjë. Sepse ai po e shpërdoron ushtrinë e tij dhe 2/3 e të gjithë tankeve të tij për përfitime mikroskopike.

“Po rriten kufizimet për rritjen ekonomike. Prodhimi industrial ka ngecur. Sektori rus i energjisë vuan po nga rënia e të ardhurave dhe vonesa në zbatimin e projekteve. Po mbyllen boshllëqet përmes të cilave mund të shmangen sanksionet”- thotë profesori Pavel Baev nga Instituti i Kërkimeve të Paqes me seli në Oslo të Norvegjisë.

Të dhënat e Rosstat (Institutit rus të Statistikave), tregojnë se bumi i ri-armatimit ngeci verën e vitit të kaluar, duke u ulur në nivele shumë më të vogla se ato që do t’i duhen Kremlinit për të fituar qoftë edhe ndaj një fraksioni të fuqisë teknologjike të Perëndimit.

“Ukraina nuk është një histori suksesi për Putinin. Kanë kaluar 2 vite nga fillimi i pushtimit, dhe lufta është një katastrofë edhe nga këndvështrimi i tij. Ne s’duhet të kemi iluzionin se aleanca jonë perëndimore është gati të shpërbëhet”- tha së fundmi kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre.

Ndërkohë mungesa e fuqisë punëtore dhe kufizimet e kapaciteteve kanë shtuar më tej presionin, duke i rritur në 16 për qind normat bazë të interesit, ndërsa ajo që mbetet nga ekonomia e konsumit vazhdon të tkurret çdo ditë që kalon. Asetet likuide të Fondit Kombëtar të Pasurisë kanë rënë nga 6.6 për qind në 2.7 për qind të PBB-së që nga fillimi i luftës.

Shefja e FMN-së Kristalina Georgieva, e cila u rrit nën komunizëm në Bullgari, ka thënë se ekonomia e deformuar ruse po duket gjithnjë e më shumë si sistemi sovjetik, jofunksionale dhe shumë e brishtë pas fasadës që mban. “Unë mendoj se ekonomia ruse po përjeton një periudhë shumë të vështira”- tha ajo.

Tre nga pesë artikujt më të lexuara në versionin rus të Moscow Times të premten e kaluar, kishin të bënin me mungesat në treg. Njëri prej tyre citonte kompaninë Mobius Technologies por edhe të tjerët, që ankohen për mungesën akute të pjesëve rezervë për hard disqet, kontrollorët apo bazat për ruajtjen e të dhënave.

Rezervat e grumbulluara në fillim të luftës janë mbaruar tashmë. Pjesët përbërëse shiten me çmime shumë të larta. Artikulli e dytë bënte fjalë për mungesën e motorëve të anijeve. Dhe i treti me “raftet bosh” në supermarkete, pjesërisht sepse bankat turke dhe kineze kanë bllokuar pagesat nga Rusia.

Një artikull i ‘Vedomosti’, citonte biznesmenë rusë që ankoheshin se ata nuk mund të pastrojnë më transaksionet në juanë përmes bankave kineze, për shkak të auditimeve të rrepta që synojnë respektimin e sanksioneve më të forta të vendosura nga SHBA.

Pagesat u ndaluan pavarësisht nëse ishin apo jo në dollarë, madje edhe kur përdornin sistemet ruse SPFS dhe CIPS kineze, që synonin të anashkalonin sistemin perëndimor të pagesave SWIFT. Në fakt, traktati kino-rus i “miqësisë së pakufishme” ka kufijtë e tij. Bankat në Dubai po mbyllin llogaritë e rusëve me burime financimi “të errëta”, nga frika e ndëshkimit nga Thesarit i SHBA-së.

BE-ja po harton plane për të vendosur sanksione ndaj gjithë kompanive në Kinë, Indi, Turqi, Sri Linka, Serbi, Tajlandë dhe Kazakistan që ndihmojnë Kremlinin të anashkalojë kufizimet e produkteve teknologjike me përdorim të dyfishtë. Rusia do të gjejë sërish mënyra për të shmangur edhe masat e reja.

Por ajo nuk mund të kalojë lehtësisht tek gjysmëpërçuesit nga Kina, sepse sistemet e saj janë të konfiguruara për çipat amerikanë, të cilët duhet të blihen në tregun e zi me një çmim të lartë. Të ardhurat nga nafta, gazi dhe qymyri janë ende të pranishme, por shumat janë modeste.

Ato kanë rënë nga 40 miliardë dollarë në fillim të vitit 2022 në 23 miliardë dollarë në janar të këtij vit. Dhe kjo nuk mjafton për të mbuluar një rritje prej 65 për qind të buxhetit vetëm gjatë vitit të kaluar. Kremlini po kërkon fonde, duke vendosur një tarifë shtesë ndaj industrisë së qymyrit dhe duke hartuar një listë me 30 kompani shtetërore që do të nxirren në privatizim.

India dhe Kina e kanë blerë naftën ruse, por jo me çmimin e tregut botëror. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) thotë se nafta e papërpunuar e Uraleve po shitet me 66 dollarë për fuçi, pak mbi kufirin e G7 prej 60 dollarësh, por me një zbritje prej 20 për qind ndaj tarifave të Brent. Laku po shtrëngohet edhe për flotën hije të Putinit.

Thesari i SHBA-së ka vënë në shënjestër 50 cisterna për shkelje të kufirit. Bloomberg raporton se gjysma e tyre nuk kanë guxuar të dalin nga porti, ndërsa janë bllokuar 14 cisterna që transportonin naftë të papërpunuar në Indi. Një rritje e çmimit të naftës mund të shpëtojë ende Kremlinin.

Por për të tretin muaj me radhë IEA e ka ulur parashikimin e saj për kërkesën globale për naftë. Furnizimi në rritje nga SHBA-ja po sjell reduktim të madh të prodhimit nga vendet e OPEC. Asgjë nga këto nuk e ndryshon faktin se Rusia mund të prodhojë mjaftueshëm predha artilerie për të përdorur 3000 të tilla në ditë në Ukrainë, por edhe me ndihmën e Koresë së Veriut.

Ndërkohë Perëndimi nuk mund ta bëjë këtë, teksa ka harxhuar shumicën e rezervave të tij të sigurta. “Lufta fitohet me armë dhe Perëndimi nuk prodhon mjaftueshëm armë”- tha senatori republikan J.D.Vance, duke paraqitur në Mynih “pikëpamjen e Trump”. Ai përsëriti thirrjen ndaj vendeve evropiane që të arrijnë objektivin për shpenzimin në mbrojtje të paktën prej 2 për qind të PBB-së.

Vance tha se pas zhvillimeve të fundit, Rusia do të jetë e motivuar për t’u  ulur në tryezë dhe për të arritur një paqe të negociuar. Dhe kjo do të thotë që Putin të lejohet të mbajë 4 territoret e aneksuara, të cilat ai ende nuk i kontrollon. Por Putin nuk ka asnjë nxitje për të biseduar, për sa kohë që ai mendon se mund t’i rezistojë një Perëndimi ngurrues ndaj ndihmës për Ukrainën.

Për më tepër, nëse misioni kryesor është ballafaqimi me Xi Jinping, siç thotë senatori republikan, atëherë linja e parë më e rëndësishme mbrojtjes është në lumin Dnipro. Eksperti ushtarak François Heisbourg tha se konferenca e këtij viti ishte më dëshpëruesja në 60 vjet.

Ndihet një atmosferë e ngjashme me atë të vitit 1938. S’ka dyshim që kohët e fundit lavjerrësi i psikologjisë së luftës ka lëvizur në favor të Putinit. Dhe ky i fundit po propagandon me ngulm narrativën e një Rusie të pathyeshme.

E vërteta është se ai nuk ka bërë një përparim të madh dhe askush nuk duhet të mashtrohet nga fantazitë e tij me PBB-në. Rusia po shkon në mënyrë të pashmangshme drejt rraskapitjes ekonomike. Do të ishte një gafë e madhe që Perëndimin ta lëshonin nervat pikërisht tani./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”

rusia perëndimi rusia

Lini një Përgjigje