TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Janar 2025, 21:22

Rubio betohet si Sekretar Shteti, CNN paralajmëron operacionin 'fshesa' në DASH

Shkruar nga Pamfleti

Rubio betohet si Sekretar Shteti, CNN paralajmëron operacionin

Marco Rubio mori zyrtarisht detyrën si Sekretari i Shtetit pasi u betua para zv/presidentit JD Vance. Rubio është nga të parët prej propozimeve të Trump që merr zyrtarisht detyrën.

“Është mundësi e jashtëzakonshme. Jam i nderuar dhe i privilegjuar, e kuptoj përgjegjësinë që më është dhënë dhe dua të falënderoj Presidentin Trump për besimin e tij. Do të punojmë çdo sekondë të ditës që ta ndihmojmë të realizojë axhendën për të cilën e besoi populli amerikan”, tha ai.

Ndër të tjera, Rubio u shpreh se Trump do të vendosë interesat e Amerikës mbi gjithçka.

“Ai do t’i mbajë premtimet. Premtimi kryesor kur vjen puna të politika e huaj është që prioritet i Departamentit Amerikan të Shtetit të jetë SHBA-ja”, shtoi Rubio.

“Çdo gjë që bëjmë duhet të justifikohet nga përgjigja e një prej këtyre tre pyetje: A na bën më të fortë? A na bën më të sigurt? Dhe a na bën më të begatë? Nëse nuk i përgjigjet një prej këtyre tre gjërave, nuk do ta bëjmë”, përfundoi Rubio.

E teksa pritet që Rubio të prezantohet në Departamentin Amerikan të Shtetit, CNN raporton se atje, shumë zyrtarëve të karrierës që shërbejnë në role të larta u është kërkuar të tërhiqen nga postet e tyre.

“Shumica e morën kërkesën para inaugurimit të së hënës. Ata kanë shërbyer në poste të larta si për menaxhimin dhe politikën, ashtu edhe për ndihmës sekretarët e shtetit, thanë burime, dhe janë ndër diplomatët më të lartë në Departamentin e Shtetit”, raporton CNN.

Edhe pse është e zakonshme për një administratë që vjen që të vendosë zyrtarët e saj në rolet e larta, zyrtarët aktualë të karrierës qëndrojnë derisa të emëruarit presin konfirmimin e Senatit. Por kjo sipas CNN ka rritur shqetësimet.

“Ky është pothuajse me siguri hapi i parë drejt një spastrimi të madh dhe marrjes së shërbimit të jashtëm të karrierës”, tha një ish-diplomat i lartë sipas CNN.

CNN ka kërkuar koment nga DASH për këtë çështje. Sipas tyre mes personave që u është kërkuar dorëheqja është edhe John Bass, i cili ka shërbyer si nënsekretar për çështjet politike, pozita e tretë më e lartë në DASH.

Në shënimet e tij të premten para largimit, ish-Sekretari Antony Blinken vlerësoi Bass dhe tha se “nuk ka asnjë oficer më të mirë për Shërbimin e Huaj në këtë gjeneratë se John Bass”.

Ndërkohë Marco Rubio pritet që gjatë së martës t’i drejtohet me një fjalim punonjësve të DASH në zyrat qendrore në Uashington.

Lini një Përgjigje