TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Tetor 2025, 10:37

Rendi i Ri Botëror: Trampi, Xi dhe Putini ndajnë sferat e ndikimit

Shkruar nga Piro Nase

Rendi i Ri Botëror: Trampi, Xi dhe Putini ndajnë sferat e ndikimit

Takimi në Gjongju shënon kthesën historike drejt një bote trepolare, ku SHBA, Rusia dhe Kina përcaktojnë ekuilibrin e ri të fuqisë dhe fundin e epokës së hegjemonisë perëndimore...

Pas më shumë se tri dekadash dominimi amerikan, bota po hyn në epokën e marrëveshjeve dhe balancave. Samiti i APEC në Korenë e Jugut nuk është thjesht forum ekonomik, por fillimi i arkitekturës së re të sigurisë globale, ku Trampi, Xi dhe Putini po rikompozojnë rendin botëror përtej blloqeve tradicionale.

Në vitin 1972, Riçard Nikson paralajmëronte se “në botën pa ekuilibra fuqie, nuk ka paqe, por pasiguri; paqja nuk është gjendje natyrore, por rezultat i përpjekjeve të atyre që e ruajnë.” Kjo frazë, që dikur përshkruante Luftën e Ftohtë, përkufizon sot realitetin e shekullit XXI: rrëzimin e rendit unipolar dhe lindjen e një bote trepolare.

Pas tri dekadash ku Shtetet e Bashkuara përcaktonin rregullat e lojës ndërkombëtare, rendi global po riformatohet. Takimi i shumëpërfolur mes Donald Tramp dhe Xi Jinping në korridoret e samitit të APEC në Gjongju të Koresë së Jugut, i paraprirë nga bisedimet Putin-Tramp, është momenti simbolik i këtij ndryshimi: SHBA, Rusia dhe Kina po përcaktojnë rregullat e ekuilibrit të ri të fuqisë.

Në planin zyrtar, APEC mbetet platformë bashkëpunimi ekonomik mes 21 vendeve anëtare, me theks tek ekonomia digjitale dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Por prapa deklaratave për “të ardhmen e gjelbër” dhe “inovacionin e përgjegjshëm” zhvillohet dialogu real i epokës: negociimi i paqes përmes shpërndarjes së sferave të ndikimit.

Rusia dhe Kina kanë ndërtuar për më shumë se dy dekada një aleancë euroaziatike që shtrihet nga energjia dhe infrastruktura deri tek siguria dhe financat. Doktrina e Vladimir Putinit për “arkitekturën e sigurisë euroaziatike” dhe vizioni i Xi Jinping për “të ardhmen e përbashkët të njerëzimit” janë bërë dy shtyllat e këtij rendi të ri, ku peshorja e fuqisë nuk bazohet më në sanksione dhe presion ekonomik, por në marrëveshje mes fuqive të barabarta.

Në këtë kontekst, SHBA-të e Trampit nuk rikthehen si hegjemon, por si pjesëmarrës në një sistem që kërkon stabilitet përmes marrëveshjeve. Doktrina e realizmit, që zëvendëson idealizmin moral të administratës Bajden, synon një rend të negociuar: Rusia mbetet faktor dominues në hapësirën euroaziatike, SHBA ruan kontrollin në Atlantik e Evropë, ndërsa Kina garanton balancën në Indo-Paqësor.

Në këtë konfigurim, Evropa shfaqet më e dobët se kurrë. E lidhur pas logjikës së sanksioneve, e varur nga siguria amerikane dhe energjia e huaj, ajo ka humbur aftësinë për të vepruar si subjekt politik. Rrjedhimisht, rendi i ri ndërkombëtar do të shkruhet pa të: bota e marrëveshjeve të mëdha po lind në Gjongju, jo në Bruksel.

Pas luftës në Ukrainë, ku doktrina e sanksioneve dështoi të ndryshojë sjelljen e Rusisë, Perëndimi humbi monopolin e ndikimit global. Ndërkohë, Putin ka kthyer konfliktin në Ukrainë në instrument të konsolidimit të rolit të tij në Euroazi, ndërsa Kina mbetet motori ekonomik që mban të lidhura vendet e Azisë përmes rrjetit të BRIKS, SHOS dhe ASEAN.

Ky është realiteti i botës së re shumëpolare: një rend ku askush nuk ka më luksin e diktimit, por vetëm mundësinë e negociimit.

Takimi i radhës, në formatin Tramp-Putin-Xi, do të shënojë formalizimin e këtij modeli. Historia po përsëritet – jo si luftë, por si marrëveshje e re globale që vendos kufijtë e ndikimit për dekadat që vijnë.

Në fund, pyetja nuk është kush fiton, por kush përshtatet. Ata që do të vazhdojnë të besojnë në rendin e vjetër do të mbeten në periferi të historisë. Ata që kuptojnë se fuqia sot është ekuilibër, jo dominim, do të jenë themeluesit e Rendit të Ri Botëror./Pamfleti

piro nase xi trump putin

3 Komente

  1. M
    Macoku

    Ju lumte goja dhe pena! Do Zoti i madh dhe paqja e begatia mbreterofshin ketej e tutje!

    1. T
      Toni Kodoshi

      Ha ha ha!

      1. Y
        Y

        Eshte pasuri e madhe per tu ndare e rishperndare, uroj paqesisht ! Kush ka vendosur bast ne 200 vitet e fundit kunder USA ka humbur, te shohim.

        Lini një Përgjigje