
Por pas sulmit të jashtëzakonshëm të Ukrainës në Kursk, dolën në shesh mosmarrëveshje të mëdha. Blogerët nacionalistë vunë në pikëpyetje vendndodhjen e fortifikimeve, për të cilat ishin shpenzuar 3 miliardë rubla. Ata pyetën se pse rekrutët u lanë në mëshirën e fatit, dhe pse nuk pati një përgjigje të duhur nga udhëheqja.
Kontrolli aktual i Vladimir Putinit mbi shoqërinë ruse, barazohet ndonjëherë me një totalitarizëm oruellian, ku nuk lejohen as debatet dhe as mendimet kundër. Dhe arsyeja kuptohet shumë lehtë kur sheh fatin e kundërshtarëve më liberalë të regjimit të tij:nga vrasja pas torturave e Alexei Navalny-t, deri në 5 vite burg për shumë rusë, qoftë edhe vetëm për shkak të një postimi kritik ndaj regjimit në rrjetet sociale.
Por ndërsa Kremlini e ka zhdukur opozitën pro-perëndimore, e djathta ultra-nacionaliste mbetet një sfidë e hapur dhe e vazhdueshme për të. Ndërsa i ashtuquajturi “operacioni ushtarak special” që supozohet të zgjaste vetëm 3 ditë ngeci, duke u shndërruar në një makth të tmerrshëm, Vladimir Putini është përballur me kritika të ashpra.
Dhe ato vetëm sa janë përshkallëzuar që nga inkursioni i fundit i ushtrisë së Ukrainës në rajonin kufitar Kursk, duke rindezur tensionet mes nacionalistëve dhe propagandistëve shtetërorë.
Kremlini e ka minimizuar rëndësinë e sulmit ukrainas brenda territorit rus, dhe këmbëngul se gjithçka është nën kontroll, duke e vënë më shumë theksin tek përparimet e ushtrisë ruse në rajonin ukrainas Donbas.
Por kjo narrativë ka krijuar një boshllëk informativ, që është mbushur nga komuniteti i njohur si “Z-bloggers”. Këta zënë një vend unik në mediat ruse, duke fituar shumë popullaritet për shkak të ndershmërisë së raportimit dhe mendimeve të pavarura që shfaqin në platformën Telegram.
Disa kanë më shumë se një milion ndjekës. Shumë prej tyre janë ushtarë aktivë që luftojnë në Ukrainë. Qëndrimi i tyre kritik tolerohet nga Kremlini, pasi ata kanë ndihmuar në mobilizimin e njerëzve dhe segmenteve të shoqërisë për luftën. Por lidhja e tyre me zhvillimet reale në terren, i vendos shpesh në kundërshtim me narrativat e Kremlinit.
Besnikëria e blogerëve është ndaj luftës dhe vizionit të tyre mbi Rusinë, dhe kjo i nxit të denoncojnë korrupsionin dhe gabimet ushtarake. Kohët e fundit, pas fillimit të pushtimit të Kurskut nga forcat ukrainase, tensionet u përshkallëzuan kur propaganduesit e Kremlinit në TV, si Vladimir Solovyov, akuzuan kanalet e blogerëve ushtarakë si Tëo Majors për përhapje paniku.
Këta të fundit raportuan pushtimin e një fshati në Kursk, një pretendim që u konfirmua ma vonë nga vetë Ministria e Mbrojtjes. Ata përdorin edhe informacionin e marrë në kohë reale për të këshilluar banorët e Kurskut që të evakuohen, në një kohë kur zyrtarët pretenduan se kjo nuk ishte e nevojshme.
Shumë banorë mbetën të bllokuar në mesin e luftës. Kremlini është indiferent ndaj qytetarëve të prekur nga sulmi ukrainas, dhe do të preferonte që pjesa tjetër e vendit të vazhdonte të rrinte indiferente, në mënyrë që udhëheqësit të vazhdojnë lojërat e tyre gjeopolitike. Sistemi rus dhe propaganda zyrtare janë shumë të aftë në nxitjen e këtij indiferentizmi.
Por blogerët ushtarakë paraqesin një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj kësaj strategjie. Ata janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë brenda Rusisë, e cila është shumë e rëndësishme për ushtrinë dhe mënyrën e menaxhimit të luftës. Në diktaturën ruse, kritikat ndaj elitës ushtarake interpretohen shpesh si një sulm i tërthortë ndaj presidentit, i cili nuk duhet të sulmohet asnjëherë drejtpërdrejt.
Ish-kreu i Wagner, Prigozhin e kaloi këtë vijë, ashtu si Igor Girkin, njeriu që mori përgjegjësinë për shndërrimin e protestave të rusëve në Donetsk në një luftë të hapur në vitin 2014. Prigozhin u vra gjatë rrëzimit të avionit të tij, ndërsa Girkin u burgos pasi vuri në dyshim burrërinë e Putinit dhe e fyeu të dashurën e tij. Pa një udhëheqës pas vjeshtës së vitit të kaluar, u duk sikur nacionalistët ishin vendosur nën kontroll.
Në çdo rast, në raport me luftën ata funksionojnë më shumë si një shoqëri civile sesa si opozitë, duke u mbështetur tek toleranca e Kremlinit dhe duke ekzistuar brenda vetë strukturave që kritikojnë. Ndërsa vazhduan ankesat e blogerëve për korrupsionin, problemet me furnizimin e trupave në front dhe jetët e humbura, ato mbetën në nivelin e kritikave, veçanërisht pasi Rusia bëri përparim të ngadaltë por të qëndrueshëm në Donbass.
Por pas sulmit të jashtëzakonshëm të Ukrainës në Kursk, dolën në shesh mosmarrëveshje të mëdha. Blogerët nacionalistë vunë në pikëpyetje vendndodhjen e fortifikimeve, për të cilat ishin shpenzuar 3 miliardë rubla. Ata pyetën se pse rekrutët u lanë në mëshirën e fatit, dhe pse nuk pati një përgjigje të duhur nga udhëheqja.
Kur Ministria e Mbrojtjes filloi të bënte pretendime të rreme se ukrainasit ishin zmbrapsur, kjo vetëm sa i përkeqësoi gjërat. Ndërsa kanalet e lidhura me grupimin Wagner si Alex Parker Returns e kritikuan hapur Putinin, shumica e blogerëve e drejtuan zemërimin e tyre te ministria dhe zyrtarët lokalë, të cilët janë objektiva më të sigurt për të mos pësuar ndonjë hakmarrje serioze.
Por përtej kritikave mbi taktikat, sulmi ukrainas në Kursk ka nxitur edhe një reflektim më të thellë. Aleksandr Khodakovsky, komandant i Batalionit të Luhansk, Vostok, dhe një bloger i njohur, u detyrua të fshinte llogarinë e tij, pasi vuri në dyshim qëllimin e vazhdimit të luftës, duke pasur parasysh humbjet e rënda të pësuar tashmë dhe ato që do të vijnë.
Sidomos, kur Rusia rrezikon të humbë atë që është “e saj” për të pushtuar atë që nuk është e saj. Debati mbi qëllimin e luftës dhe mungesën e objektivave të qarta, është një shqetësim i ri dhe në rritje të vazhdueshme. Shumë njerëz theksojnë se me rreth 120.000 të vrarë, Moska nuk ka ende një vizion të qartë të fitores, ndryshe nga ukrainasit, qëllimet e të cilëve janë të qarta.
Dhe kjo pasiguri po nxit demoralizim dhe pakënaqësi të madhe midis blogerëve dhe shoqërisë ruse në përgjithësi, e cila po përfiton në mënyrë të pabarabartë nga bumi ekonomik i lidhur me shpenzimet e mbrojtjes dhe po vuan nga një krizë e re e kostos së jetesës. Operacioni i Kievit në Kursk, ka nxjerrë në pah edhe gjendjen e brishtë të marrëdhënieve etnike brenda ushtrisë ruse, sidomos në lidhje me kontingjentin e saj çeçen.
Shumica e blogerëve shmangin kritikat e hapura ndaj çeçenëve, për të shmangur zemërimin e Kremlinit, që është shumë i ndjeshëm për çështje të tilla. Por Brigada Akhmat, një regjiment elitar çeçen që në Rusi dhe Ukrainë është tallur vazhdimisht si “luftëtarët e TikTok-it”, ka nxjerrë në sipërfaqe tensionet.
E vendosur në Kursk për frenimin e përparimit të ukrainasve, Akhmat u tërhoq që pas problemeve të para, duke i lënë rekrutët e armatosur keq dhe të pa trajnuar të përballen me forcat e armatosura elitare të Ukrainës. Shumica e rekrutëve u dorëzuan dhe më vonë dhanë dëshmi rrëqethëse mbi hajdutërinë, sulmet seksuale dhe burracakërinë e çeçenëve.
Në përgjigje të këtyre akuzave, komandanti i Akhmat, Apti Alaudinov, detyroi një rekrut të ri të kërkonte falje në televizion për “gënjeshtrat” e thëna ndaj regjimentit çeçen. Më vonë, ai u tall me të qarat e nënave të ushtarëve, dhe këmbënguli që djemtë e tyre të luftonin më fort.
Komentet e Alaudinov nxitën shumë zemërim tek rusët. Më pas në rrjet, nisën të qarkullonin foto të batalionit Rusich, një grupim neo-nazist rus që lufton kundër Ukrainës, që gjymtonte dhe “sakrifikuar” një luftëtar çeçen të regjimentit Akhmat. Duke iu përmbajtur narratives së të tij se “nuk asgjë për të parë në Kursk”, Putin kreu kohët e fundit vizitën e tij të parë në Çeçeni në 13 vjet.
Zyrtarisht për të përkujtuar viktimat e tragjedisë së Beslan, vizita synonte shmangien e provokimeve të mëtejshme ndaj Akhmat. Por ajo vetëm sa nxiti më shumë zemërim nga banorët e Kurskut dhe blogerët, të cilët vunë në dukje se Putini vizitoi Çeçeninë, por jo rajonin që ndodhet në një situatë të vështirë.
Në momente të tilla, rritet ndjeshëm popullariteti i nacionalistëve rritet. Kur Kremlini këmbëngul se gjithçka është në rregull - se është normale që të pushtohet një pjesë e Rusisë - dhe kur i udhëzon propagandistët të minimizojnë sulmet e Ukrainës, nacionalistët lidhen me një segment të mënjanuar të Rusisë.
Ky grup, thellësisht i përfshirë në luftë, e sheh veten si përmbushës të detyrave patriotike, por është gjithnjë e më i zhgënjyer me menaxhimin e keq dhe korrupsionin zyrtar. Ata e kanë të vështirë të pajtojnë besnikërinë e tyre ndaj Putinit, me ndërgjegjësimin se për Kremlinin, patriotizmi dhe vetë Rusia, janë dytësore përpara ruajtjes së pushtetit.
Ndikimi i nacionalistëve, kufizohet kryesisht tek ata që kanë lidhje me luftën dhe tek të rinjtë. Dhe shumica e rusëve janë ende të gatshëm të injorojnë ngjarjet rreth konfliktit. Ky indiferentizëm i jep mundësi Kremlinit të përhapë gënjeshtra mbi Kurskun në media.
Për më tepër, nacionalistët nuk kanë as mjetet dhe as dëshirën për të përmbysur regjimin në Kremlin, dhe asnjë qëllim real për t’i dhënë fund luftës. Kërcënimi që nacionalistët paraqesin për Kremlinin, vjen nga aftësia e tyre për të pretenduar se janë më patriotë se regjimi, gjë që ndikon shumë tek brezi i ri.
Në realitetin e turbullt të Rusisë, ku vrasësit e dënuar janë heronj, ku Kisha bekon armët e shkatërrimit në masë, dhe ku njësitë ekstremiste ruse u presin kokat të burgosurve ukrainas në emër të de-nazifikimit, është ndoshta është e pashmangshme që sfida më e madhe për Kremlinin të mos vijë nga ata që e kundërshtojnë luftën, por nga ata që besojnë vërtet tek ajo./Përshtati "Pamfleti", marrë nga “New Statesman”
Lini një Përgjigje