Askush përveç Uashingtonit, nuk mund ta dijë se si dhe kur do ta sulmojë Izraeli Iranin...

Një operacion, të cilin Izraeli e ka vendosur që nga përvjetori simbolik i sulmeve të 7 tetorit. Ndërkohë vazhdojnë operacionet e ushtrisë izraelite në Liban, me sulme të mëdha ajrore
në periferi të Bejrutit dhe operacione tokësore në jug të vendit.
Një front që ngre shumë pikëpyetje, duke filluar nga objektivat e vërteta strategjike të Netanyahut dhe qeverisë së tij. Pardje kryeministri izraelit, iu drejtua sërish libanezëve:”Ju keni mundësinë ta shpëtoni Libanin, përpara se të bjerë në humnerën e një lufte të gjatë, e cila do të sjelle shkatërrim dhe vuajtje si në Gaza”. Me fjalë të tjera mesazhi është:”Më mirë për ju, nëse hyjmë ne në shtëpinë tuaj!”. Filippo Landi, ish korrespondent në Jerusalem për RAI-n, flet për disa nga skenarët që mund të shohim ditët e ardhshme.
A ka një objektiv të pashpallur të operacioneve ushtarake izraelite në territorin libanez?
Them se po, edhe pse mendoj se ato po ekspozohen gjithnjë e më shumë. Dy janë objektivat.
I pari është më politik:Netanyahu s’ka frikë të kapërcejë vija që janë në dukje të pakapërcyeshme, siç është sovraniteti i Libanit. Ky është një mesazh që synon opinionin publik izraelit, përfshirë edhe atë në opozitë.
Pra të gjithë të bashkuar për të mbrojtur Izraelin?
Deklarata e fundit të udhëheqësit kryesor të opozitës, Yair Lapid, ka bërë shumë bujë. Ai tha se është koha për pushtimin e Libanit. Një mesazh për barkun dhe jo për kokat e votuesve.
Dhe cili është objektivi i dytë?
Është ai ushtarak, ti “pritet koka”, siç thonë izraelitët drejtuesve të Hezbollahut. Megjithatë ka një problem, dhe është e çuditshme që qeveria Netanyahu bën sikur nuk e sheh. Por drejtuesit e ushtrisë me siguri që e njohin.
Cili është ai?
Eliminimet e liderëve të lëvizjeve ekstremiste si Hamasi dhe Hezbollahu, nuk kanë qenë asnjëherë të suksesshme. Vrasja e Sheikh Yassin dhe pasardhësit të tij Rantissi (që të dy në vitin 2004) i dha Hamasit shumicën e votave në Gaza në zgjedhjet e vitit 2006.
Po në lidhje me Hezbollahun?
Sigurisht, që organizata ka liderë të rinj që do të zënë vendin e atyre që janë vrarë. Edhe pse u eleminuan Nasrallah dhe pasardhësi i tij, ashtu si komandantët ushtarakë të shumë rajoneve libaneze, 8 ushtarë izraelitë u vranë që në përleshjen e parë në terren. Pra Hezbollahu i ruan ende aftësitë operacionale në terren.
Le të kthehemi tek pyetja fillestare. Çfarë nuk po na tregon publikisht Izraeli?
Tel Avivi deklaron se dëshiron të kryejë një pushtim tokësor “të kufizuar”. Por në realitet, unë mendoj se dëshiron të përsërisë të njëjtin pushtim të Libanit të Jugut që kemi parë për shumë vite në të kaluarën. S’mund të përjashtohet që kjo të jetë zgjidhja e propozuar nga strategët e ushtrisë.
Ndërkohë po presim hakmarrjen izraelite kundër Iranit, që së fundmi kërcënoi ta rrafshojë Haifën dhe Tel Avivin brenda 10 minutash. Çfarë synojnë këto deklarata?
Historikisht, kundërpërgjigjet e Iranit ndaj sulmeve nuk kanë qenë kurrë të menjëhershme. Ato janë përshtatur me mënyrat dhe kohët që ishin më të përshtatshme për regjimin. Por ngjarjet e muajve të fundit, tregojnë se objektivi i Iranit është t’i dërgojë sinjale të qarta Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo është e rëndësishme për të dyja.
Çfarë shenjash?
Shenjat që tregojnë fuqinë e vërtetë ushtarake, por edhe dëshirën për të shmangur një luftë tjetër të madhe. Në këtë rast, nuk do të kishte një pushtim tokësor dhe përmbysje të regjimit si në Irak, por një sulm ajror, me pasoja po aq shkatërruese, nga ana e SHBA-së dhe Izraelit.
A është kjo një perspektivë realiste?
Pak ditë më parë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, e tha në mënyrë të tërthortë se nuk mund të përjashtohet mundësia që përpjekjet e administratës Biden për të shmangur bombardimin e bazave të programit bërthamor iranian... “të sjellin një rezultat të mirë”.
Pra mesazhi është i qartë...
Jo vetëm kaq. Kjo do të thotë se hipoteza, e përjashtuar më parë për shkak të një sërë faktorësh politikë, ushtarakë, madje edhe mjedisorë, e bombardimit të disa qendrave të programit bërthamor iranian, është bërë më konkrete ditët e fundit në Uashington.
Çfarë lloj diplomacie po ndjekin amerikanët?
Me ç’duket është një diplomaci, e cila nuk po jep rezultat, as për arritjen e armëpushimit në Gazë, Liban, dhe në perspektivë as për pengimin e një fillimi të mundshëm të një konflikti rajonal me Iranin.
Deri tani rezultati ka qenë de fakto një dritë jeshile për veprimet e Netanyahut...
Këtë e vuri në dukje edhe Papa, duke fajësuar paaftësinë e fuqive të mëdha për të ndërhyrë dhe rikthyer negociatat. Por është një element që tashmë po perceptohet qartë edhe nga liderët e të ashtuquajturave vende të moderuara arabe:para së gjithash Jordania, pastaj Katari, një aleat i madh i SHBA-së, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti.
Çfarë po i referoheni konkretisht?
Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pati një takim midis Blinken dhe disa përfaqësuesve të vendeve arabe. Zakonisht quhet si një takim “ritual”, por këtë herë gjërat shkuan ndryshe. Sipas disa burimeve, pas një deklarate së radhës të Sekretarit të Shtetit se SHBA-ja po punon për një armëpushim, bashkëbiseduesit i kujtuan atij mungesën e ndonjë rezultati në nivel diplomatik.
Pra sundimtarët e moderuar arabë, ua bënë të qartë amerikanëve se ata e kuptonin mirë lojën. SHBA-ja i ka dhënë drejtpërdrejt Izraelit gati 18 miliardë dollarë armë dhe municione, të cilave u shtohen edhe 5 miliardë të tjerë në anije dhe avionë amerikanë në Detin e Kuq për të luftuar ndaj rebelëve Huthi.
A mund të përjashtohet mundësia që Izraeli të pushtojë Libanin jo vetëm për të asgjësuar Hezbollahun, por edhe për të marrë nën kontroll territore të reja?
Fatkeqësisht, është një hipotezë e arsyeshme, legjitime, e cila nuk duhet të habisë askënd. Programet elektorale të Ben-Gvir dhe Smotrich, parashikonin një reduktim të pranisë së palestinezëve, si në Izrael ashtu edhe në territore. Objektivi i së djathtës fetare është një
zgjidhje territoriale, politike dhe historike për çështjen izraelito-palestineze që shkon përtej të ashtuquajturës “status quo” që ka vazhduar prej një kohe të gjatë nga Netanyahu. Fakti është që ne po shkojmë drejt mbylljes së të gjitha kampeve të refugjatëve në Bregun Perëndimor. Por palestinezët nuk janë zhvendosur në Bregun Perëndimor, ata po dëbohen edhe prej andej.
Drejt Jordanisë...
Po. Një vend i moderuar arab, i cili tani kërcënohet nga kjo politikë, dhe që nëse muajt e ardhshëm nuk ndërhyn komuniteti ndërkombëtar, mund të përjetojë kolapsin e ekuilibrave të vjetër./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje