
Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, sanksionet ndaj eksporteve ruse ndikuan tek konsumatorët perëndimorë duke rritur çmimet e naftës dhe gazit, dhe bashkë me to inflacionin, ndërsa Moska u gëzua pasi përfitoi nga rritja e çmimeve të naftës që ua shiste blerësve të tjerë...
Në letër, Irani dhe Rusia quhen si të dërrmuara nga një mal me sanksione që shtohen çdo ditë. Megjithatë në realitet, shtetet autoritare janë duke drejtuar skema që i shmangin këto masa kufizuese, duke ngritur jo pak pikëpyetje nëse udhëheqësit perëndimorë janë seriozë për zbatimin e politikave të tyre.
Zbatimi gjysmak i sanksioneve, si mjeti i vetëm kuptimplotë politik i Perëndimit në një epokë kur ndikimi i tyre është komprometuar rëndë, është një simptomë dëshpëruese e krizës që ekziston në udhëheqjen ndërkombëtare. Pavarësisht se administrata Biden pretendoi se “sanksionet ekstreme” e kishin paralizuar sektorin energjetik të Teheranit, Departamenti Amerikan i Energjisë vlerësoi se shitjet e naftës iraniane midis viteve 2020-2022 u rritën nga 17 në 54 miliardë dollarë.
Një investigim i Financial Times në shkurt, tregoi se si një kompani petrokimike shtetërore iraniane, me një zyrë në zemër të Londrës, kishte përdorur dy nga bankat më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar për një skemë të madhe të shmangies së sanksioneve.
Një investim tjetër i New York Times, zbuloi se si një flotë cisternash, që operonin hapur, ia dolën të siguronin polica sigurimi nga një kompani amerikane, ndërsa drejtonin një operacion të madh për të kontrabanduar jashtë shtetit një pjesë të konsiderueshme të naftës së Iranit.
Ato janë pjesë e një “flote fantazmë” prej rreth 400 cisternash nafte në pronësi të huaj, që transportojnë ilegalisht hidrokarburet iraniane. Gjatë viteve 2022-2023, SHBA-ja e ngadalësoi zbatimin e sanksioneve pasi u përpoq pa sukses të joshte Teheranin që të ulej dhe nënshkruante një marrëveshje të re mbi programin e tij bërthamor.
Si shenjë e vullnetit të mirë, SHBA-ja bllokoi në mënyrë naive 6 miliardë dollarë para të ngrira të naftës iraniane, për të lehtësuar kthimin e 5 pengjeve amerikane. Administrata Biden kishte frikë se goditja e shitjeve të paligjshme në Kinë mund të rriste çmimet e naftës, në një kohë kur po përpiqej të reduktonte inflacionin dhe kostot e jetesës përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Me gjithë sanksionet nga Thesari i SHBA-së, Irani u dërgon çdo vit qindra miliona dollarë milicive të saj rajonale dhe e furnizon Rusinë me dronët Shahed-136. Sanksionet kanë dështuar plotësisht edhe në ngadalësimin e përparimit të pandalshëm iranian drejt zhvillimit të armëve bërthamore.
Ditët e fundit në Perëndim, ka pasur pati reagime të forta kundër instalimit nga Irani të centrifugave të reja të avancuara në impiantet e tij bërthamore. Ndaj duhet pritur njoftimi për vendosjen e sanksioneve të reja. Rusia është sot vendi më i sanksionuar në botë.
E megjithatë ekonomia e saj, parashikohet të rritet këtë vit më shpejt se ajo e shumicës së vendeve perëndimore. Gjysmëpërçuesit, teknologjia e avancuar dhe mallrat luksoze nga kompanitë perëndimore vazhdojnë të hyjnë në Rusi përmes ndërmjetësve në Azinë Qendrore, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, eksportet gjermane të automjeteve në Kirgistanin e varfër, janë rritur me më shumë se 5000 për qind. Sipas një raporti të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, mbi 450 komponentë të prodhuar nga jashtë u zbuluan tek municionet ruse që përdoren në Ukrainë.
Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, sanksionet ndaj eksporteve ruse ndikuan tek konsumatorët perëndimorë duke rritur çmimet e naftës dhe gazit, dhe bashkë me to inflacionin, ndërsa Moska u gëzua pasi përfitoi nga rritja e çmimeve të naftës që ua shiste blerësve të tjerë.
Ndërsa Rusia është bërë furnizuesja kryesore me naftë për Kinë, u rritën edhe eksportet kineze në Rusi, përfshirë teknologjinë ushtarake me përdorim të dyfishtë. Brenda një viti, shitjet e makinave kineze në Rusi u rritën nga 6 miliardë dollarë në 23 miliardë dollarë.
Gjithsesi, vështirë se Uashingtoni mund t’i japë leksione Kinës për armatosjen e makinerisë rusë të luftës, ndërsa vetë vazhdon të jetë furnizuesi më i madh i armëve për një shtet të akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, siç është Izraeli.
Përdorimi i sanksioneve nga Amerika kundër një grushti kolonësh izraelitë, është një shembull tjetër gati komik i mjetit të gabuar për problemin e gabuar. Teksa Kina, Rusia dhe Irani janë bashkërisht nën këto sanksione, ato janë afruar më shumë me njëra-tjetrën, duke krijuar rrjete kompanish dhe institucionesh financiare me një ekspozim zero ndaj tregjeve perëndimore, dhe duke e shmangur tregtinë në dollarë.
Irani dhe Kina, arritën kohët e fundit një sërë marrëveshjesh për funksionalizimin e marrëveshjes së tyre të bashkëpunimit ekonomik të vitit 2021. Pra, ashtu si mbi-përdorimi pa kriter i antibiotikëve ka prodhuar gjenerata të reja super-bakteresh me imunitet ndaj mjeteve mjekësore më të fuqishme që ka në dispozicion shkenca, edhe mbështetja e tepërt tek sanksionet që nuk zbatohen siç duhet, ka krijuar një bllok shtetesh që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së botës dhe hapësirës tokësore, të cilat janë kryesisht të imunizuara nga sanksionet.
Këto shtete janë përpjekur në mënyrë proporcionale të tërheqin nën ndikimin e tyre pjesë të konsiderueshme të botës në zhvillim. Duke pasur parasysh përkeqësimin e tensioneve SHBA-Kinë, kjo prirje polarizuese pritet që të vazhdojë më tej.
Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur një tërheqje nga mjetet alternative diplomatike, të cilat mund t’i kishin lejuar vendet perëndimore të ushtronin ndikimin e tyre jashtë shtetit në një mënyrë më strategjike. Për shembull, është zvogëluar ndjeshëm ndihma për zhvillim për kombet më të varfra të botës, ndërsa është rritur numri i shteteve të dështuara.
Ndërkohë, nga vitit 2012 është 3-fishuar numri i njerëzve të zhvendosur në mbarë botën, duke arritur në 120 milionë. Ndërsa SHBA-ja po mbështeste me entuziazëm aleatin e saj izraelit, miliarda dollarët e destinuar për Ukrainën u mbajtën bllokuar nga Kongresi, dhe kjo i dha mundësi forcave të ngazëllyera ruse të arrinin disa përfitime territoriale të paprecedenta.
Departamenti amerikan i Shtetit, nuk po merr seriozisht sa duhet kërcënimin bërthamor iranian, konfliktin e Sudanit dhe morinë e krizave të tjera globale të njëkohshme. Paaftësia e forcave amerikane dhe britanike për të parandaluar milicitë Huthi, që kërcënojnë një nga korsitë më të ngarkuara të transportit në botë, është një shembull i përsosur i kësaj pafuqie në mbarë planetin.
Ndërsa shtetet perëndimore kanë bashkëpunuar në të kaluarën për të adresuar me vendosmëri sfidat globale, sot një pjesë e madhe e përpjekjeve dhe e fondeve të politikës së jashtme janë të përqendruara në synimin specifik të mbrojtjes së kufijve kombëtarë.
Dështimi për të mbrojtur dhe mbështetur mekanizmat e ligjit ndërkombëtar dhe zgjidhjes së konflikteve, na kanë çuar në një arenë globale ku nuk sundon më asnjë rregull apo ligj.
Në mungesë të zbatimit të fuqishëm dhe gjithëpërfshirës, sanksionet janë thjesht tufa letre në arkivat e Thesarit të SHBA-së: në një mjedis ndërkombëtar të përkeqësuar, ato janë bërë një justifikim për të mos ndërmarrë veprime reale.
Me retorikën e tyre për ruajtjen e drejtësisë ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe ndalimin e agresionit jashtë shtetit, ka ardhur koha që demokracitë perëndimore të praktikojnë me përgjegjësi atë që predikojnë dhe të shtojnë zgjidhje të reja pragmatike në “kutinë” e veglave të tyre diplomatike./Përshtati Pamfleti nga “Arab News”
Lini një Përgjigje